Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

04. 09. 2024. 00:00 >> 16:58

Ditari 04.09.2024

Përgatiti, Senad Gilaj

Deputetët sot për dy ligjet e kthyera nga Millatoviq

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi sot do të votojnë sërish për ndryshimet në ligjin për punë të brendshme dhe energjetikë, për të cilin presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim. Kuvendi i miratoi ato ligje në seancën e 17 gushtit dhe Millatoviq i ktheu për rishqyrtim tri ditë më vonë, me arsyetimin se zgjidhjet e propozuara paraqesin vazhdimësi të politizimit të institucioneve. Millatoviq tha se me ndryshimet në Ligjin për Punë të Brendshme është futur një procedurë e veçantë për punësimin e policëve pa shqyrtim publik dhe pa plan të personelit.

Duke folur për Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Energjinë, ai tha se amendamenti i propozuar ka sjellë ndryshime thelbësore në mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve dhe kryetarëve të Këshillit të Agjencisë Rregullatore për Energji. Siç theksoi Millatoviq, Kuvendi merr një rol të drejtpërdrejtë në emërimin e anëtarëve të Këshillit ndërsa Komisioni i mëparshëm i përbërë nga shtatë anëtarë të propozuar nga Qeveria, Akademia e Shkencave të Malit të Zi, Universiteti i Malit të Zi, Oda Ekonomike dhe Kuvendi shfuqizohet me propozim të Këshillit Administrativ. Sot Kuvendi do të diskutojë edhe për Projektligjin për konfirmimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Francës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, ndërsa nesër sërish do të votojnë për Ligjin për ndryshimin e Ligjit të përgjithshëm për arsim, të cilin poashtu presidenti Millatoviq e ktheu në Kuvend për rishqyrtim.

 

Këshilli për ekonomi: dritë jeshile për ribalanc dhe ligjet e „Evropa Tani“

Këshilli kuvendor për Ekonomi, Financa dhe Buxhet i Kuvendit i dha dje pasdite dritën jeshile propozimit për ribalancin e buxhetit të këtij viti, si dhe ndryshimet në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe në dobi të personave juridikë. Këshilli diskutoi për paketën e ligjeve që kanë të bëjnë me programin „Evropa Tani 2“ dhe të cilat janë shpallur përmes Strategjisë Fiskale, si dhe ka mbajtur diskutim të përbashkët për propozimet për ndryshime në ligjin për TVSH-në dhe tatimin në dobi të personave juridik. Ministri i Financave Novica Vukoviq, duke shpjeguar Propozimin për ndryshime në Ligjin për TVSH-në, tha se qëllimi është reformimi i normës së reduktuar në përputhje me Direktivën e BE-së për sistemin e përbashkët të vlerës së shtuar, nëpërmjet futjes së një norme të dytë të reduktuar të TVSH-së prej 15 për qind.  Vukoviq tha se ndryshimet në Ligjin për Buxhetin janë propozuar me qëllim të harmonizimit teknik dhe se janë bërë korrigjime edhe në buxhetin kapital për të krijuar supozime për realizim të përshpejtuar të projekteve kapitale.

 

Kaleziq dhe Remikoviq u propozuan për zëvendësguvernator

Guvernatorja e Bankës Qendrore e Malit të Zi (BQ e MZ), Irena Radoviq, i dërgoi Kuvendit propozimin për emërimin e Gordana Kaleziq dhe Millan Remikoviq zëvendësguvernator të këtij Institucionit kryesor monetar. Në një deklaratë në faqen e internetit, BQ e MZ publikoi propozimet për emërimin e Kaleziq dhe Remikoviq, me biografitë e tyre. Ligjit për Bankën Qendrore të Malit të Zi përcakton se Bordi Drejtues i këtij Institucionit Monetar ka tetë anëtarë - guvernatorin, tre zëvendësguvernator dhe katër anëtarë të cilët nuk janë të punësuar në BQ të MZ. Sipas këtij Ligji përcaktohet që zëvendësguvernatorët emërohen nga Kuvendi, me propozim të guvernatorit.

 

“Prokurimi i anijeve patrulluese në përputhje me Kushtetutën”

Sot u mbajt mbledhja e Këshillit Legjislativ, ku deputetët debatuan për projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Republikës së Francës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me marrëveshjen teknike ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi dhe Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Francës për prokurimin e dy anijeve patrulluese nga Mali i Zi. Ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq tha se ligji i propozuar është në përputhje me Kushtetutën dhe shtoi se ky është prokurimi më transparent i Ministrisë. “Janë ndjekur të gjitha procedurat për miratimin e Ligjit, kemi të gjitha mendimet e nevojshme që janë të nevojshme ndër të tjera edhe nga Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Çështjeve Evropiane”, tha Krapoviq, duke shtuar se ky është prokurimi më transparent i Ministrisë së Mbrojtjes ndonjëherë dhe se nuk ka vend më të mirë për të vendosur për këtë sesa në Kuvend.

 

Radulloviq: Kontrolluam 600 anije, gjobat kaluan vlerën e 63 000 euro

Gjatë muajit gusht janë kryer 600 kontrolle të anijeve në Mal të Zi, në të cilat janë konstatuar 161 parregullsi, gjë që tregon seriozitetin e problemit në përputhje me rregulloret detare, tha ministri i Detarisë Filip Radulloviq. Shuma e përgjithshme e gjobave të shqiptuara, siç ka thënë ai në njoftim, ka arritur në 63 mijë e 404 euro, dhe gjobat kanë qenë në përpjesëtim me kundërvajtjet e kryera. Sipas tij, këto aktivitete janë pjesë e strategjisë së Ministrisë së Detarisë për përmirësimin e sigurisë në det dhe uljen e numrit të incidenteve. Kontrollet intensive do të vazhdojnë edhe gjatë pas-sezonit dhe për verën e ardhshme, tha ministri Radulloviq dhe se Ministria ka përgatitur një sërë masash inovative që do të sigurojnë që trafiku detar në Mal të Zi të mbahet në nivel të lartë sigurie.

 

Ligji për punëtorët sezonal të përhershëm deri në fund të vitit

Mali i Zi ka vite që po përballet me mungesën e punëtorëve sezonal dhe ministrja e Punës Naida Nishiq thotë se ky problem do të zgjidhet me miratimin e ligjit për punëtorët sezonal të përhershëm. Ajo shpreson që deri në fund të vitit do të miratohet ligji dhe do të mund të zbatohet nga sezoni i ardhshëm. Ndërkohë, siç u njoftua nga Administrata tatimore, deri në gusht të këtij viti është arritur arkëtimi rekord i të hyrave prej mbi një miliardë euro, që është 195 milionë euro më shumë në krahasim me periudhën e një viti më parë, njoftoi Vlladan Kasallica. Siç ka bërë të ditur ai për programin e mëngjesit të TVMZ-së, borxhlinjtë më të mëdhenj të taksave në mesin e komunave janë Cetina, Berana, Bijello Pola dhe Rozhaja ndërsa problem janë edhe borxhet e kompanive komunale, theksoi Kasalica.

 

Për zgjedhjet lokale në Podgoricë janë dorëzuar 13 lista, tetë janë konfirmuar

Afati për dorëzimin e fletëvotimeve për zgjedhjet në Podgoricë dhe Kotorr ka përfunduar në mesnatë. Për garën zgjedhore në kryeqytet kanë aplikuar 13 lista dhe në Kotorr 12. Zgjedhjet janë caktuar për 29 shtator. Në Komisionin Zgjedhor të Kryeqytetit janë dorëzuar 13 lista për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, tha kryetari i Komisionit, Vlladimir Filipoviq, duke thënë se tetë janë konfirmuar. Filipoviq ka thënë për agjencinë MINA se afati për dorëzimin e listës ka skaduar në mesnatë. “Nga 13 lista, tetë janë konfirmuar, dy janë kthyer për rishikim për shkak të mungesës së numrit adekuat të nënshkrimeve”, tha Filipoviq. Siç shpjegoi ai, listat e "Partisë Evropiane të Malit të Zi - Novak Axhiq" dhe "Qyteti ynë - shtëpia jonë" u kthyen për rishikim. Filipoviq tha se tri listat e dorëzuara dje janë duke u përpunuar, duke shtuar se pret që sonte të ketë informacion për vlefshmërinë e tyre.

 

KFOR: Forcat e shtuara në urën e Ibrit, pjesë e një trajnimi

Forcat dhe mjetet e shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, të cilat u vunë re edhe sot në urën e Ibrit në Mitrovicë, janë të përkohshme dhe pjesë e një trajnimi periodik, konfirmoi KFOR-i për Radion Evropa e Lirë. Në deklaratën me shkrim, misioni tha se trajnimi po kryhet "për të testuar procedurat dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale". Pa dhënë më shumë detaje rreth tij, KFOR-i tha se "po e monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës" dhe se "mbetet vigjilent". Përndryshe sot zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se autoritetet e rendit do të nxjerrin gjatë ditës të gjitha materialet nga objektet e institucioneve paralele serbe në veri, të mbyllura më 30 gusht.

 

Vuçiq: Do ta vizitoja Mitrovicën nëse do të më lejohej

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka folur për mundësinë e vizitës së tij në Mitrovicë. Ai ka thënë se do të vizitonte Mitrovicën nëse do ta lejonin forcat ndërkombëtare dhe ato të Kosovës. “Të shkoj atje nuk është çështje e zgjedhjes sime, por e vendimit të tyre”, ka thënë ai, duke shtuar se do të shkojë jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në të gjitha vendbanimet dhe fshatrat në Kosovë. Vuçiq, ka thënë se nuk është e vërtetë që në Kosovë nuk funksionojnë institucionet serbe. Sipas tij, janë duke funksionuar dy më të rëndësishmet, përkatësisht shëndetësia dhe arsimi.

 

Vullin takon Putinin në Rusi

Presidenti rus, Vlladimir Putin, është takuar sot me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vullin në margjina të një forumi ekonomik në Vlladivostok. Në takim Vullin ka thënë se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë. Ai ka thënë se për shkak të qëndrimit të vet, Serbia është nën presion të jashtëzakonshëm. Ndërkohë Departamenti Amerikan i Shtetit kumtoi se qëndrimi amerikan ndaj Vullinit “dihet mirë” dhe që ai është nën sanksione amerikane. Kurse nga Bashkimi Evropian u kumtua për mediat në Serbi se “mbajtja e lidhjeve me Rusinë në kohën e agresionit kundër Ukrainës, nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe procesin e anëtarësimit”. Forumi në Vlladivostik të Rusisë do të mbahet prej 3 deri më 6 shtator.

 

Zelensky thotë se inkursioni në Rusi ndihmon në “planet për këmbim”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se qëllimi i inkursionit të befasishëm në rajonin jugor rus, Kursk, të nisur muajin e kaluar, është kapja e tokave dhe trupave ushtarake për këmbim, dhe që Kievi nuk ka nevojë për tokën e Rusisë. “Nuk na duhet territor rus”, ka thënë Zelensky për NBC News. “Operacioni ynë ka për qëllim rikthimin e integritetit territorial. Nuk na duhet toka e tyre”, ka thënë Zelensky. Në raportimet paraprake janë dhënë sinjale që Kievi synon që përmes këtij operacioni të pozicionojë veten në mirë, në rast të nisjes së bisedimeve për paqe. Ukrainasit dhe analistët kanë sugjeruar se përmes operacionit ushtarak është mëtuar t’iu tregohet edhe rusëve për situatën e luftës së nisur prej Moskës.

 

Të paktën shtatë të vrarë nga sulmet e reja ruse në qytetet ukrainase

Zyrtarët ukrainas në Kiev dhe disa rajone tjera në Ukrainë, kanë raportuar për sulme raketore dhe me dronë, të nisura prej mesnatës deri sot në mëngjes, si pasojë e të cilave janë vrarë të paktën shtatë njerëz. Për sulmet e reja është raportuar vetëm një ditë pas sulmeve më vdekjeprurëse ruse në Ukrainë, prej nisjes së luftës, pasi të paktën 51 persona janë vrarë në një qendër ushtarake të trajnimit në qendër të shtetit. Ndërsa Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, është raportuar të jetë anëtari i fundit i kabinetit qeveritar që ka dorëzuar dorëheqjen, pasi presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky, i ka bërë të ditura planet për riformatim të kabinetit.

 

Samiti i aleatëve të Putin/ Në Rusi do shkojnë liderët e Kinës, Brazilit dhe Afrikës së Jugut

Presidenti rus Vlladimir Putin tha sot se po pret që udhëheqësi kinez Xi Jinping të marrë pjesë në një samit të grupit BRICS të ekonomive të mëdha në zhvillim në Rusi muajin e ardhshëm. Putini ka kërkuar mbështetje nga lideri kinez që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, duke rritur tregtinë në nivele rekord ndërsa Rusia përballet me sanksione të rënda ekonomike nga Perëndimi. Grupi BRICS, një akronim për Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, përfaqëson pothuajse gjysmën e popullsisë së botës dhe që atëherë është zgjeruar për të përfshirë ekonomitë e tjera të mëdha në zhvillim, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Iranin.

 

Protestuesit izraelitë bllokojnë rrugën në Tel Aviv për të kërkuar marrëveshje me palestinezët

Protestuesit izraelitë bllokuan një rrugë në Tel Aviv për të bërë presion ndaj qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu për të arritur një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me palestinezët, transmeton agjencia turke Anadolu. Protestuesit, duke përfshirë të afërm të izraelitëve të mbajtur peng në Gaza, bllokuan një rrugë në zonën Metzudat Ze'ev në Tel Aviv, e cila përfshin selinë e Partisë Likud të Netanyahut. Protestat masive shpërthyen në Izrael që nga e diela pasi ushtria tha se ka gjetur trupat e gjashtë pengjeve në Gazën jugore. Hamasi ka thënë se pengjet u vranë në sulme ajrore izraelite në enklavën palestineze.

 

SHBA padit liderët e Hamasit për sulmin e 7 tetorit në Izrael

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar liderin e Hamasit, Yahya Sinwar, dhe disa figura tjera të larta të këtij grupi palestinez për sulmet vdekjeprurëse të 7 tetorit të vitit të kaluar në Izrael. Departamenti amerikan i Drejtësisë ka thënë se padit gjashtë anëtarë të Hamasit me shtatë akuza, përfshirë vrasje të shtetasve amerikanë, komplot për të financuar terrorizmin dhe përdorim të armëve për shkatërrim në masë. Në padi përfshihen sulmet që dyshohet se janë kryer në dekada nga Hamasi, si dhe sulmi i pashembullt në jug të Izraelit, një vit më parë. Ky është hapi i parë i zyrtarëve amerikanë për zbatim të ligjit, për t’i mbajtur përgjegjës personat që e kanë kryer sulmin e 7 tetorit, ndonëse tre prej personave të përfshirë në padi janë të vdekur.

 

Internet falas për shkollat në Mal të Zi

Fillimi i këtij viti shkollor për Ministrinë e Arsimit dhe Telekomin e Malit të Zi nënkupton vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes gati dy dekadash.  Në atkimin dje pasdite të ministres dhe drejtorit të Telekomit, u dakordua që të vazhdojë ofrimi i shërbimeve falas të internetit për shkollat ​​në Mal të Zi, ndërsa nga ministrja e Arsimit, Angjella Jakshiq- Stojanoviq dhe Dushan Banoviq, drejtor i Sektorit të Zhvillimit të Shërbimeve dhe Transformimit Digjital në Telekom u diskutuan detajet e projektit dhe drejtimet shtesë të bashkëpunimit. Telekomi ka 17 vjet që mbështet sistemin arsimor të Malit të Zi duke ofruar internet falas për rreth 170 shkolla fillore dhe të mesme dhe institucione parashkollore, ndërsa gjatë viteve të mëparshme në projekt janë përfshirë edhe shkollat ​​ në zonat rurale dhe periferike.

 

Kryetarja e Preshevës vizitoi Ulqinin; Konferenca ,,Shoqëria fillon  me të drejtat e gruas”

Kryetari i Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu priti dje Kryetaren e Komunës së Preshevës Ardita Sinani ku u diskutua për një sërë temash të rëndësishme për të dy komunat, me fokus në zhvillimin ekonomik, turizmin, kulturën, sportin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, u kumtua nga Komuna e Ulqinit. Kryetarja e Preshevës falënderoi  për ftesën që i është bërë që të jetë pjesë e Konferencës ,,Shoqëria fillon me të drejtat e gruas” që e organizon Komuna e Ulqinit me “Eminas Hand fondacionin”. Përndryshe sot në hotelin Mediteran në Ulqin po mbahet Konferenca ,,Shoqëria fillon me të drejtat e gruas” që në fokus ka të drejtat e gruas dhe synon të thellojë njohuritë për barazinë gjinore dhe të adresoje sfidat  me te cilat ballafaqohen gratë, duke propozuar strategji vepruese për te nxitur  integrimin sa më të madh gjinor.  

 

Filloi rikonstruimi i rrugës Tivar -  Ura e Merkotit- Krythë

Nisja e punimeve për rikonstruktimin e rrugës Tivar - Ura e Merkotit - Krythë, një projekt i cili ka qenë premtuar për vite me radhë, është një hap i madh përpara në përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjes së kësaj zone me pjesët e tjera të Malit të Zi, u tha sot pas fillimit të punimeve të kësaj rruge nga kryeministri Millojko Spajiq dhe dy kryetarët e komunave të Tivarit dhe Ulqinit. “Është inkurajuese të shohim që Komuna e Ulqinit ka marrë përsipër dhe ka përfunduar procesin e eksproprijimit në kohë rekord, gjë që tregon një angazhim serioz për të realizuar këtë projekt. Ky është një shembull i përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar kushte më të mira dhe mundësi të barabarta për komunitetin shqiptar në këtë rajon, thonë nga kabineti i kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu. Ky projekt pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e qasjes dhe zhvillimit ekonomik të zonës, duke sjellë përfitime afatgjata për banorët e saj, thonë nga komuna e Ulqinit.

 

Në Komunën e Tuzit fillojnë me dy linja të re të autobusit

Komuna e Tuzit njofton se prej sot filloi linja e re e autobusit që do të përfshijë vendbanimet, me pikënisje në Omerbozhaj në ora 7 e 10 minuta, duke vijuar me Dinoshë, Milesh, Tuz, Sukruq, Kodërbudan, Nënhelm- Deshaj, Vuksanaj dhe Tuz. Linja kthyese do të realizohet pas përfundimit të mësimit në orën 14:00. Kjo linjë e re synon të lehtësojë lëvizjen e banorëve të këtyre vendbanimeve drejt qendrës së Tuzit, duke u mundësuar atyre qasje më të lehtë në shërbimet publike. Ndërsa, prej me 2 shtator është vendosur edhe linja e autobusit Tuzi - Podgoricë. Stacionet lokale përgjatë kësaj linje janë: Dushiq, Vllanë, Lekaj, Vrane, Tuz, Shipshanik, Dheu i Zi dhe Rakiq të përcaktuara nga autoritetet përkatëse të transportit publik. Sipas kryetarit të Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, ky shërbim synon të lehtësojë udhëtimin e përditshëm të qytetarëve në Malësi dhe mes Tuzit dhe Podgoricës.

 

Nesër paradite kthjellët, pas dite vransim gradual

Në Mal të Zi sot mbajti mot kryesisht i kthjellët, në veri deri me vranësira të ndryshueshme, vende vende edhe me reshje lokale të shiut. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperaturat në ora 14 u shënuan: në Podgoricë 34 gradë, Beranë 33, Herceg Novi, Bijello Pole e Plevle 32, Budvë e Cetinë 31, Rozhajë 30, Ulqin, Nikshiq e Kollashin 29, Guci 28 dhe në Zhablak 17 gradë.

Edhe nesër paradite do të mbaj mot kryesisht me diell. Pasdite vranësim gradual dhe reshje të mundshme lokale të shiut, në mbrëmje i vranët dhe me reshje të shiut, kryesisht në bregdet dhe Bokë. Do të fryjë erë e mesme, pasdite deri e fortë jugore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 10 deri në 23 kurse më e larta ditore nga 25 deri në 35 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се