Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

05. 09. 2024. 00:00 >> 17:26

Ditari 05.09.2024

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

M .Spajiq - Qytetarët tanë do kenë rritjen më të madhe të rrogave në historinë e Malit të Zi

“Qytetarët tanë do kenë rritjen më të madhe të rrogave në historinë e Malit të Zi”, ka shkruar kryeministri Millojko Spajiq në rrjetin social X. "Evropa tani 2 – Rritja e të ardhurave! Qytetarët tanë do të marrin rritjen më të madhe të rrogave në historinë e Malit të Zi.

Ne po e rrisim pagën minimale nga 450 në 600 euro për punëtorët me arsim të mesëm, pra me 33 për qind, dhe në 800 euro për ata me shkollë të lartë, që është rritje prej 78 për qind”, ka shkruar Spajiq duke ka shtuar se “po ndërtojmë Malin e Zi të së ardhmes”.

 

Kopman - plani i pushtetit malazez për të përfunduar negociatat dhe për antarësim është ambicioz

Përfaqësuesit e Grupit të Punës për Zgjerim në Këshillin e Bashkimit Evropian do të qëndrojnë në Mal të Zi javën e ardhshme, më 12 dhe 13 shtator. Vizita e diplomatëve nga vendet anëtare të BE-së do të pasojë qëndrimin në Podgoricë të Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë Hert Jan Kopman. Në panelin e organizuar nga “Think Tank Brugell” në Bruksel, me temën e zgjerimit, Kopman theksoi se plani i pushtetit malazez për të përfunduar negociatat për zgjerim në fund të vitit 2026, në mënyrë të bëhet anëtar i BE-së që në fillim të vitit 2028, është "plan ambicioz por realist". Megjithatë, ai thotë se Komisioni Evropian nuk vendos për mbylljen e kapitujve bashkëbisedues.

 

Mendimet preliminare të ekspertëve të ODIR-it nesër para Komisionit

Mendimet preliminare të ekspertëve të ODIR-it për Ligjin e financimit të subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore do të prezantohen nesër para Komisionit për reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore. Këto mendime përmbajnë sërë rekomandimesh dhe udhëzimesh për përmirësimin e kornizës ekzistuese legjislative të Malit të Zi në fushën e financimit të subjekteve politike. Në raport mes tjerash thuhet se nevojitet vlerësim publik i financimit të aktiviteteve të partive politike. Gjithashtu, sipas këtij raporti, është e nevojshme të zgjerohen mundësitë për financim publik edhe të partive që nuk janë të përfaqësuara në parlament apo kuvendet komunale, në mënyrë që të sigurohet kualifikimi edhe i partive joparlamentare dhe ato të sapoformuara.

 

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi sot përsëri votuan për ndryshimet dhe plotësimet e e Ligjit për arsim

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi sot përsëri votuan për ndryshimet dhe plotësimet e e Ligjit për arsim të përgjithshëm, të cilin presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq e ktheu në Kuvend për rishqyrtim. Për Ligjin në fjalë votuan 45 deputetë për dhe një kundër. Në arsyetimin e tij të kthimit në ruishqyrtim, Millatoviq ka thënë se Ligji ndryshon mënyrën e zgjedhjes së drejtorëve të institucioneve arsimore, duke parashikuar që ata të zgjidhen dhe shkarkohen nga ministri, në vend të Këshillit të shkollës, siç ishte përcaktuar me ligjin e mëparshëm. Kurse propozuesit mendojnë se kur bëhet fjalë për zgjedhjen e drejtorëve, zgjidhja e mëparshme ligjore nuk ka sjellë rezultate të pritura, por përkundrazi ka shkaktuar efekt të kundërt. Poashtu ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Përgjithshëm parashikojnë që viti shkollor në të ardhmen do të ndahet në dy periudha, në vend të asaj aktuale, katër periudhave klasifikuese.

 

Këshilli parlamentar për Ekonomi, Financa dhe Buxhet ka përfunduar sot diskutimin për ndryshimet në Ligjin për kontributet

Këshilli parlamentar për Ekonomi, Financa dhe Buxhet ka përfunduar sot diskutimin për ndryshimet në Ligjin për kontributet për sigurimet e detyrueshme shoqërore, për të cilat do të deklarohen më vonë. Ministri i Financave, Novica Vukoviq, në arsyetimin e tyre tha se ndryshimet janë propozuar, mes tjerash, edhe për shkak të zvogëlimit të ngarkesës në bazë të punës ndërsa Malin e Zi do ta rendisin në mesin e vendeve me nivelin më të ulët të ngarkesës së punës. Kryetari i Komisionit e deputeti i Partisë Socialdemokrate, Boris Mugosha tha se po diskutohet për ligjin i cili nuk ka kaluar në diskutim publik. Ai u bëri thirrje propozuesve që të mendojnë edhe një herë, pasi siç tha ai, reformat janë shumë serioze. Këshilli vazhdoi mbledhjen me diskutimin për Propozimin për ndryshimin e Ligjit për akcizat, si dhe për Propozimin e Ligjit për fshirjen e kamatës nga detyrimet a arritura tatimore.

 

Gjeloshaj - aksioni për kufizimin e marzheve do të fillojë nesër

Zëvendëskryeministri e ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj deklaroi sot se aksioni për kufizimin e marzheve do të fillojë nesër dhe do të zgjasë deri më 31 janar të vitit të ardhshëm. "Mendoj se shitoret kanë pasur kohë për t'u përgatitur. Ne i kemi përfunduar të gjitha procedurat", theksoi Gjeloshaj i cili paralajmëroi promovimin e këtij aksioni edhe përmes mesazheve telefonike. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë ata të cilët nuk do ta respektojnë këtë aksion. Përndryshe, siç njoftoi ai, Qeveria e Malit të Zi poashtu ka hartuar projektligjin për kreditë konsumatore, sipas të cilit do të hiqen tarifat për përpunimin dhe shlyerjen e parakohshme të kredive banesore si dhe vendosjen e normës më të lartë të lejuar të interesit efektiv për kreditë konsumatore.

 

Remon Zakaria, optimist për punën e qeverisë

Shefi i zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Malin e Zi, Remon Zakaria, shprehet optimist për punën e qeverisë, duke theksuar se Mali i Zi ka mundësi të konsiderueshme që duhet shfrytëzuar në maksimum, në kuadër të procesit të integrimit evropian.  Zakaria këtë e tha gjatë  takimi me ministrin e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qullafiq. “BERZH do të vazhdojë të jetë partner i besueshëm në zbatimin e projekteve të përbashkëta dhe mbetemi të hapur për të gjitha idetë që i konsideroni të rëndësishme dhe të arritshme”, tha Zakaria. Ndërsa Qullafiq u shpreh se bashkëpunimi i mëparshëm me BERZH ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm. "Kemi potencial të madh për përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit", theksoi Qullafiq.

 

Zgjatja e sezonit turistik do ta lehtësonte punën

“Zgjatja e sezonit turistik do ta lehtësonte punën ndërsa opsioni ideal është shpërndarja më e rregullt e numrit të mysafirëve”, deklaroi ministrja e turizmit, Simonida Kordiq. Përparësia e Malit të Zi është se në një rajon të vogël kemi oferta të ndryshme që mund të jenë aktuale gjatë gjithë vitit”, tha Kordiq dhe se “Malin e Zi duhet ta paketojmë si produkt turistik”. Kordiq tha gjithashtu se asnjë mysafir nuk duhet nënvlerësuar, mirëpo mysafirët nga rajoni janë turistët tanë tradicionalë që janë besnikë ndaj Malit të Zi. “Si ta kemi ofertën ashtu do ti kemi mysafirët”, tha Kordiq duke shtuar se turizmi ka ndryshuar shumë si industri.

 

Lajçak më 6 shtator viziton Kosovën

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nesër, më 6 shtator pritet të vizitojë Kosovën, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj në Bruksel. Kjo vizitë, siç ka deklaruar edhe vet Lajçaku javën e kaluar, ka për qëllim përgatitjen e një takimi në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kësaj radhe, sipas burimeve, Lajçak pas Prishtinës nuk do ta vizitojë Beogradin. Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për siguri, Globsec, emisari evropian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Pragë. Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka përsërit thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, që sipas bllokut mund të rrisin tensionet në veri të vendit. BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, në veriun e banuar me shumicë serbe. Këto kritika janë bërë pasi më 30 gusht, Kosova mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb. Stano ka folur edhe për ftesën për intervistim të politikanëve serbë nga institucionet e Kosovës, të cilët kanë udhëhequr strukturat paralele serbe, që u mbyllën nga Kosova. Ata po dyshohet për “falsifikim dokumentesh”. Por, partia Lista Serbe e ka cilësuar ftesën për intervistim si “përndjekje politike” të serbëve. “BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës dhe përcjellim qartë mesazhet tona. Shpresojmë të zgjidhim këto çështje aty ku duhet. Vendi është në procesin e dialogut”, tha Stano.

 

MPJD u bën thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës t’i shmangin pikat kufitare me Serbinë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje  shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare që t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit, për shkak të, siç tha, paralajmërimeve për bllokimin e rrugëve në Serbi që çojnë drejt vendkalimeve kufitare këtë javë. Në një njoftim në Facebook, MPJD tha se një i “ashtuquajtur ‘Këshill Organizativ për Bllokada’ në Serbi” ka bërë të ditur se më 6 shtator ka ndër mend t’i bllokojë rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën. Ajo u kërkoi “të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”. Ky njoftim vjen në një kohë kur autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – duke nxitur edhe kritika nga bashkësia ndërkombëtare.

 

Michel Barnier emërohet nga Macron si kryeministër i ri francez

Presidenti francez Emmanuel Macron ka emëruar Michel Barnier si kryeministër të ri të vendit. Emërimi vjen rreth dy muaj pasi asnjë parti nuk fitoi një shumicë të plotë në zgjedhjet e parakohshme, duke çuar në një ngërç në negociatat se kush duhet të drejtojë qeverinë.Në zgjedhjet e parakohshme Aleanca e majtë e Frontit të Ri Popullor i befasoi të gjithë duke marrë shumicën e vendeve, ndërsa koalicioni i Ansamblit të Macron doli i dyti, përpara  Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë .73-vjeçari Barnier udhëhoqi bisedimet e BE-së me Britaninë mbi daljen e saj nga blloku nga 2016-2021.Barnier do të jetë kryeministri më i vjetër i Francës që nga krijimi i Republikës së Pestë në vitin 1958.

 

Sulmet izraelite vrasin pesë persona në Bregun Perëndimor

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se sulmet ajrore izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor kanë lënë të vrarë pesë persona, përfshirë djalin e një militanti të njohur që gjendet në burg. Izraeli po kryen bastisje në shkallë të gjerë në territor në javët e fundit dhe thotë se këto operacione kanë për qëllim shkatërrimin e grupeve militante dhe parandalimin e sulmeve. Palestinezët druajnë se po zgjerohet lufta në Gazë. Sulmet ajrore të kryera gjatë natës në qytetin Tubas, në veri të Bregut Perëndimor, lanë të vrarë pesë persona, përfshirë Mohammed Zubeidi, tha sot Ministria palestineze e Shëndetësisë. Babai i tij, Zakaria Zubeidi, është një komandant i njohur militant gjatë kryengritjes të dytë palestineze në fillim të vitit 2000 i cili kishte marrë pjesë në ikjen nga burgu në vitin 2011. Ai ishte arrestuar disa ditë më vonë. Ushtria izraelite ka thënë se ka kryer tre sulme ajrore në Tubas ndaj militantëve, që tha se kanë kërcënuar ushtarët izraelitë.

 

Kievi përballet me një valë të re të sulmeve ruse

Mëngjesin e 5 shtatorit, autoritetet e qytetit urdhëruan banorët e Kievit që të mos largohen nga strehimoret, teksa Rusia kreu sulmet me dronë kundër kryeqytetit ukrainas. Sulmet e Rusisë ndaj Kievit nisën gjatë natës. “Ende janë disa dronë në hapësirën ajrore të kryeqytetit. Mos u largoni nga strehimoret”, paralajmëroi qytetarët kreu i Kievit, Vitaliy Klitschko. “Alarmet për sulme ajrore po vazhdojnë. Mbrojtja ajrore po punon në kryeqytet. Qëndroni në strehimore derisa të ndalen alarmet”, këshilloi banorët kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko. Ushtria ukrainase tha se edhe në disa rajone të tjera, përfshirë Çernihivin dhe Sumin, po sulmohen me dronë nga Rusia, shtet që nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.

 

Katër të vdekur, nëntë të plagosur nga të shtënat në një shkollë në SHBA

Katër njerëz janë vrarë dhe nëntë të tjerë janë plagosur ditën e djeshme nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë të mesme në Xhorxhia të Shteteve të Bashkuara, njoftuan autoritetet. Sulmi me armë zjarri ndodhi vetëm disa javë pasi filloi viti i ri shkollor në SHBA dhe tregon për kërcënimin që përbën dhuna me armë zjarri në shkolla dhe kolegje në vend. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, tha zyra e sherifit. Sulmi ndodhi në shkollën e mesme “Apalachee” në Uinder të Xhorxhias. Byroja për Hetime e Xhorxhias tha se katër njerëz u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën. “Ajo çfarë po shohim mbrapa nesh sot është ligësi”, tha sherifi Jud Smith në një konferencë për media në oborrin e shkollës. Shtëpia e Bardhë tha në një komunikatë se presidenti Joe Biden është njoftuar për incidentin dhe se “administrata e tij do të vazhdojë të koordinohet me zyrtarët federalë, shtetërorë dhe lokalë”. Në SHBA kanë ndodhur qindra sulme me të shtëna me armë zjarri në shkolla dhe kolegje në dy dekadat e fundit. Incidenti më vdekjeprurës ka ndodhë  në  vitin 2007 kur u vranë mbi 30 njerëz në Virxhinia.

 

Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot të ndryshueshëm, me reshje të shiut dhe bubullimë

Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot të ndryshueshëm, me reshje të shiut dhe bubullimë. Paradite janë të mundshme reshje intensive. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e jugut, vende vende deri e fortë. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 11 deri në 24, kurse më e larta e ditës prej 22 deri në 32 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се