Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

16. 09. 2024. 00:00 >> 18:32

Ditari 16.09.2024

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Koalicioni Me zemër për Gucinë, i përbërë nga Partia Boshnjake, Socialdemokratët dhe Partia Socialdemokrate, fitoi 14 mandate, i ndjekur nga lista "Së bashku për Gucinë”, i përbërë nga Forumi Shqiptar dhe UDSH-ja 7 mandate

Në zgjedhjet e mbajtura dje në Guci, në bazë të 100 për qind të votave të numëruara, koalicioni Me zemër për Gucinë, i përbërë nga Partia Boshnjake, Socialdemokratët dhe Partia Socialdemokrate, fitoi 14 mandate, i ndjekur nga lista "Së bashku për Gucinë”, i përbërë nga Forumi Shqiptar dhe UDSH-ja 7 mandate, Partia Socialiste Demokratike 6, Lëvizja për Gucinë 2 mandate dhe Mali i Zi Demokratik 1 mandat. 7 Nga 14 mandatet e fituara nga koalicioni Me zemër për Gucinë, shtatë i takojnë Partisë Boshnjake, gjashtë Socialdemokratëve dhe Partisë Socialdemokrate. Këto parti, së bashku me koalicionin e partive shqiptare, tash një vit e gjysmë e kanë formuac pushtetin lokal në Guci, pas shpërbërjes së koalicionit të Partisë Boshnjake dhe Partisë Demokratike të Socialistëve. Koalicioni "Me zemër për Gucinë" është fituesi bindës i zgjedhjeve, ka thënë lideri i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq. Ndërsa kryetari aktual dhe i ardhshëm i Gucisë, Sanell Balliq, tregoi se si mund të zhvillohet kjo zonë e bukur.

Nikë Gjeloshaj - Forumi Shqiptar është brend, forca udhëheqëse dhe lider i shqiptarëve në Mal të Zi

Forumi Shqiptar është brend, forca udhëheqëse dhe lider i shqiptarëve në Mal të Zi, ka shkruar në Facebook lideri i tij Nik Gjeloshaj. Fituam edhe më shumë vota, 500 vota dhe 7 këshilltarë, duke u radhitur si forca e dytë politike në këtë komunë. Forumin Shqiptar e votuan 80 për qind të shqiptarëve në Guci, rezultat ky që na obligon edhe më shumë, që t’i përfaqësojmë edhe më mirë bashkëkombësit tanë, ka thënë ai. Duke falënderuar të gjithë votuesit për mbështetjen, Gjeloshaj ka premtuar angazhim edhe më fuqishëm në drejtim të avancimit dhe integrimit të shqiptarëve. Kudo që veprojmë, i rrisim votat dhe mandatet për shqiptarët, ka përfunduar ai.

Millatoviq - Hungaria është një mik i fortë i perspektivës evropiane të Malit të Zi

Hungaria është një mik i fortë i perspektivës evropiane të Malit të Zi, deklaroi presidenti malazez Jakov Millatoviq në një takim me kryetarin e Kuvendit të Hungarisë, Laszlo Kover. Siç është njoftuar nga zyra e Millatoviqit, në takim është vlerësuar se dy vendet po ndërtojnë miqësi kuptimplote në nivel dypalësh, bashkëpunim aleat brenda NATO-s, ndërsa Hungaria është një nga promovuesit më konsekuente të politikës së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Millatoviq tha se Hungaria është një mik i fortë i perspektivës evropiane të Malit të Zi. Ai falënderoi Hungarinë për gjithçka që ka bërë sa i përket anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe tha se nuk ka dyshim se do të luajë të njëjtin rol edhe kur bëhet fjalë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE). “Ne presim që deri në fund të këtij viti, gjatë presidencës së Hungarisë me Këshillin e BE-së, të organizohet një konferencë ndërqeveritare në të cilën Mali i Zi, pas një pauze disavjeçare, do të vazhdojë mbylljen e kapitujve të negociatave”, tha Millatoviq.

Mandiq në takimin me Koverin - është shumë e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkim Evropian

Vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të lejohen të përparojnë sipas rezultateve të tyre, thotë kryetari i Parlamentit të Hungarisë, Lazlo Kover, duke vlerësuar se Mali i Zi ka pritur për anëtarësim në Bashkimin Evropian më shumë sesa duhej. Kover, pas takimit me homologun malazez në Podgoricë, Andria Mandiq, tha se  janë të bindur se nga aspekti i stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik të Evropës, është shumë e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkim Evropian. Ne jemi të bindur se çdo vend kandidat duhet të lejohet të përparojë sipas rezultateve të tij, nuk duhet të merren nën të njëjtën ombrellë, tha Kover. Ai theksoi se “në këtë garë fisnike” Mali i Zi ka bërë përparimin më të madh. Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andria Mandiq tha se në takim  ka kërkuar që të dy vendet të avancojnë bashkëpunimin, duke u përpjekur për arritjen e një plani ambicioz në Bruksel, i cili është që Mali i Zi të mbyllë katër kapituj deri në fund të vitit.

Krapoviq ka bërë thirrje që sa më shpejt të caktohet një mbledhje e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe të zgjidhet shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi

Ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq ka bërë thirrje që sa më shpejt të caktohet një mbledhje e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe të zgjidhet shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi. Ai përshëndeti gjestin e përgjegjësisë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, gjeneral brigade Zoran Llazareviq. Ai vetë, siç thotë, disa herë ka paralajmëruar se sektori i mbrojtjes dhe Ushtria e Malit të Zi nuk duhet të tolerojnë politikën ditore dhe nuk duhet të bërë fushatë për zgjedhjet lokale përmes sistemit të mbrojtjes.

Kovaçeviq - Komuna e Nikshiqit e ka zgjidhur në mënyrë adekuate problemin me ethet KJU

Komuna e Nikshiqit e ka zgjidhur në mënyrë adekuate problemin me ethet KJU, tha kryetari i komunës së Nikshiqit, Marko Kovaçeviq. Detyra e tyre, siç thotë ai, ishte gjetja e një lokacioni ku do të groposeshin lopët e infektuara, ndërsa gjithçka tjetër është detyrë e Drejtorisë së veterinarisë dhe ministrisë përkatëse. Mirëpo, problemi që paraqitet në perspektivë është shfaqja e rasteve të reja dhe se duhet të caktohen lokacione të tjera. Në bisedë me ministrin Jokoviq kemi thënë se Qeveria do ta caktojë lokacionin, tokën që është në pronësi të shtetit, për groposjen e lopëve të eutanazuara, dhe shpresoj që qeveria sot ta gjejë zgjidhjen e këtij problemi, tha Kovaçeviq.

Për herë të parë në sistemin tonë shëndetësor është aplikuar terapia inovative gjenetike

Për herë të parë në sistemin tonë shëndetësor është aplikuar terapia inovative gjenetike, e cila paraqet një zbulim revolucionar në trajtimin e atrofisë muskulore spinale tipi 1, tha ministri i Shëndetësisë Voisllav Shimun. Ai theksoi se medikamenti ZOLGENSMA është i disponueshëm në treg që nga viti 2017, çka tregon se nuk po ngecim mbrapa në aplikimin e terapive më moderne që ofrojnë mundësi për një jetë normale për bashkëqytetarët më të rinj.

Stano: Retorika nxitëse dhe hapat e njëanshëm, kundër  dialogut

I pyetur që të reagoj lidhur me prononcimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq të premten që shkoi, e që kanë të bëjnë me masat e vendit të tij si reagime ndaj zhvillimeve në veri të Kosovës, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka bërë thirrje për përmbajtje nga ‘retorika nxitëse dhe hapat e njëanshëm që shkojnë kundër  dialogut’. “Retorika nxitëse dhe mashtruese si dhe veprimet e njëanshme dhe të pa koordinuara shkojnë kundër dialogut. Ato vejnë në rrezik normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si dhe sigurinë e qytetarëve të tyre”, ka thënë Stano në një përgjigje me shkrim. Zyrtarët e BE-së në këtë rrafsh i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog.  “Ne mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga Presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht marrim në dijeni thirrjen për Serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe re integrimin e Serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, ka deklaruar Stano. Ai ka nënvizuar se Brukseli vazhdimisht ka ftuar Beogradin që të inkurajoj këtë gjë, ndërsa Prishtinën që të mundësoj re integrimin e Serbëve të Kosovës. Peter Stano përsëriti thirrjen e vazhdueshme te Bashkimit Evropian për de-përshkallëzim si dhe për implementim të plotë dhe të menjëhershëm të të gjitha marrëveshjeve nga dialogu nga të dyja palët dhe konfirmoi gatishmërinë e BE-së që të mbaj një raund dialogu në nivel kryenegociatorësh të martën e ardhshme.

Kërkohet ndihma e Hungarisë për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, pas takimit me ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, Bela Bozsik, deklaroi se në takim u fol edhe për synimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kryeziu Hyseni tha se në takimin e sotëm të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Bela Bozsik, u diskua për raportet që Kosova ka me këtë vend, me thekës të veçantë për periudhën kohore për sa Hungaria është kryesuese e vendeve të Bashkimit Evropian. “Sigurisht kemi diskutuar edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe qëndrimet që deputetët që janë anëtar të Këshillit të Evropës nga Hungaria kanë mbajtur në këtë proces dhe ideja është të gjendet një gjuhë e përbashkët me ta dhe t’i bëjmë ata të kuptojnë sa e rëndësishme është të votohet pro anëtarësimit të Kosovës, sepse këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje që ka të bëjë  me Kosovën, por është shumë e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës edhe për faktin se kjo ndikon shumë edhe në rritjen e stabilitetit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më pas edhe në vet BE-në”, tha ajo. Kryeziu njoftoi se kanë dërguar një ftesë tek deputetët për Politikë të Jashtme të Hungarisë të vizitojë Kosovën.

Konjufca: Kërcenimi i Vuçiqit nuk na bënë përshtypje

Kryetari i Kuvendit të Kososovës, Glauk Konjufca, tha se të gjitha kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë në kundërshtim me kushtetutën dhe diçka që nuk ekziston më. Konjufca ka theksuar se substanca e Strukturave paralele tashmë është hequr nga Kosova. Sipas tij procesi i largimit të strukturave paralele ka qenë i domosdoshëm për konsolidimin e kushtetutshmërisë dhe shtetësisë së Kosovës dhe sovranitetit në veri. “Vuçiqi po tenton ti rua ato struktura që nuk i ka më, faktikisht po kërcënon republikën e Kosovës. Por ky kërcenim nuk na bënë shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë organet e sigurisë, institucionet politike, komunat që funksionojnë dhe është shanca e humbur e qytetarëve që kanë mendime të tjera për me marrë pjesë në procesin politik dhe me dashtë me qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik”, deklaroi Konjufca.

Evropa Qendrore vazhdon të luftojë me shira e përmbytje

Banorët dhe autoritetet në Evropën Qendrore vazhdojnë të luftojnë me reshje të dendura shiu dhe përmbytje.Në Rumani, zyrtarët thanë se së paku gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë zhdukur.Në Austri, një zjarrfikës vdiq gjatë një operacioni të shpëtimit.Në Poloni u raportua, po ashtu, një viktimë nga mbytja, ndërsa në Republikën Çeke katër persona janë të zhdukur.Provinca austriake që rrethon Vjenën, u shpall “zonë fatkeqësie”, ndërsa kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, shpalli gjithashtu gjendje të fatkeqësisë natyrore. Parashikimet janë që shirat dhe erërat e forta që nisën qysh në fund të javës së kaluar, të vazhdojnë edhe gjatë ditës së hënë.

Izraeli zotohet se do t’i përgjigjet sulmit të rebelëve Huthi

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se rebelët Huthi të Jemenit do të paguajnë një “çmim të rëndë”, pasi një raketë e hedhur nga ta, ra në Izraelin qendror. Ushtria izraelite tha se raketa ra në një zonë të pabanuar të dielën dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore nuk arritën ta shkatërronin përpara se të hynte në hapësirën ajrore izraelite. Izraeli  shtoi se është duke hetuar incidentin. Kjo është hera e parë që një raketë e lëshuar nga ky grup, arrin në Izraelin qendror, i cili është rreth 2.000 kilometra nga Jemeni. Rebelët Huthi thanë se përdorën një lloj të ri rakete hipersonike për operacionin e tyre. Ata janë një grup i armatosur, që pushtoi pjesën më të madhe të Jemenit, gjatë luftës së vazhdueshme civile në këtë vend. Ata, po ashtu, e kanë deklaruar veten pjesë të “boshtit të rezistencës” - që udhëhiqet nga Irani - kundër Izraelit, SHBA-së dhe Perëndimit. Grupi tha se sulmi i së dielës u krye në solidaritet me palestinezët dhe se Izraeli duhet të presë edhe të tjera përpara përvjetorit të parë të sulmeve të 7 tetorit. Më 7 tetor të vitit të kaluar, Hamasi - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera - sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë qindra pengje. Në përgjigje, Izraeli vazhdon fushatën masive të sulmeve në Gazë - enklavë e populluar me palestinezë, nën kontrollin e Hamasit. Sipas autoriteteve në Gazë, mbi 40.000 njerëz  janë vrarë deri më tani.

Ukraina thotë se zmbrapsi një sulm masiv në Kiev

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se kanë rrëzuar 53 nga 56 dronët rusë, natën mes 15 dhe 16 shtatorit, duke shtuar se “shënjestër kryesore” e tyre ishte kryeqyteti Kiev. Kreu i administratës ushtarake rajonale të Kievit, Ruslan Kravchenko, tha se një grua është shtruar në spital, pasi është plagosur nga copat e një droni të rrëzuar. Shefi i administratës ushtarake të qytetit, Serhiy Popko, tha se Kievi ishte nën sulm për më shumë se tri orë gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore “i rrëzoi pothuajse të gjithë dronët e armikut”. Radio Evropa e Lirë, megjithatë, nuk mund t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet e asnjërës palë për zhvillimet në fushëbetejë. Rusia ka bombarduar Ukrainën me dronë dhe lloje të ndryshme raketash gjatë kohës më të madhe të pushtimit, që ka nisur qysh në shkurt të vitit 2022. Shumë nga sulmet e fundit kanë goditur infrastrukturën e energjisë, por bomba shpesh kanë rënë edhe në spitale, shkolla dhe ndërtesa banimi. Moska, në anën tjetër, këmbëngul se nuk i sulmon zonat e civilëve. Instituti për Studime të Luftës, me bazë në SHBA, tha më 15 shtator se Rusia “po përpiqet të arrijë një fitore vendimtare në Ukrainë deri në vitin 2026 - përpara se kufizimet e mundshme ekonomike të fillojnë t’i degradojnë ndjeshëm kapacitetet e Rusisë” për të luftuar në Ukrainë.Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i tha CNN-it se do t’i paraqesë presidentit amerikan, Joe Biden, një plan me katër pika për fitimin e luftës, kur të takohet me të gjatë këtij muaji.

Mbi 500.000 kërkesa për azil në Evropë në gjysmën e parë të vitit

Numri i azilkërkuesve në Bashkimin Evropian, në Norvegji dhe në Zvicër ra në gjysmën e parë të këtij viti, por vazhdon të mbetet në mbi gjysmë milioni. Të dhënat e reja të Agjencisë së BE-së për Azil (EUAA) tregojnë për 513.000 aplikime të reja nga janari deri në fund të qershorit, që do të thotë 6.000 më pak krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2023. Statistikat përfshijnë shifra nga të gjitha vendet e BE-së, ashtu si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra, të cilat nuk janë pjesë e bllokut. Më së shumti aplikime u regjistruan në Gjermani, përkatësisht 124.000, që i bie sa gati një e katërta e numrit të përgjithshëm. Deri në fund të këtij viti, EUAA tha se pret më shumë se një milion aplikime në gjithë rajonin. Sipas të dhënave të saj, rreth 71.000 azilkërkues u regjistruan nga Siria, ndërsa rreth 45.000 nga Afganistani dhe 37.000 nga Venezuela. Shifrat nuk përfshijnë rreth 4.5 milionë njerëz nga Ukraina, që kanë kërkuar strehim në BE dhe kanë marrë mbrojtje të përkohshme, prej se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tyre në shkurt të vitit 2022.

FBI po heton “atë që duket të jetë një tentim për të   vrarë” Trumpin

Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI) tha se të shtënat pranë klubit të golfit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, “duket se ishin një atentat” ndaj tij.“FBI-ja i është përgjigjur incidentit në Floridë dhe e heton atë që duket të jetë tentim për të vrarë ish-presidentin Trump”, u tha në një deklaratë.Paraprakisht, ekipi i fushatës së Trumpit dhe Shërbimi Sekret amerikan thanë se kandidati republikan për president të SHBA-së është i sigurt.Një person i dyshuar është ndaluar nga autoritetet amerikane lidhur me këtë rast.Gjatë një konference për media, shefi i Policisë në Palm Beach, Ric Bradshaw, tha se sulmuesi i dyshuar kishte një pushkë , dy çanta krahu që i kishte vendosur në gardhin e klubit të golfit dhe një kamerë GoPro.

Shangai goditet nga tajfuni më i fortë në disa dekada

Një tajfun i fuqishëm goditi qendrën financiare të Kinës, Shangai. Tajfuni Bebinca zbarkoi sot rreth orës 7:30 - sipas kohës lokale - në zonën bregdetare Lingang Nju Siti, tha Administrata Meteorologjike e Kinës. Mijëra banorë u evakuuan, ndërsa të gjitha fluturimet në të dyja aeroportet kryesore të qytetit u anuluan. Shërbimet e trenave ndaluan dhe autostradat u mbyllën, gjithashtu. Tajfuni Bebinca është stuhia më e fortë që ka goditur Shangain në 75 vjet, sipas medias shtetërore kineze. Autoritetet lëshuan alarmin e kuq - që është niveli më i lartë i rrezikut - për shkak të erërave që kaluan shpejtësinë prej 150 kilometrash në orë. Më herët, tajfuni Bebinca kaloi edhe në Japoni dhe në Filipinet qendrore dhe jugore, ku nga rënia e pemëve humbën jetën gjashtë persona. Media shtetërore kineze tha se Bebinca pritet të lëvizë në veriperëndim, duke shkaktuar reshje të dendura shiu dhe erëra të forta në provincat Jiangsu, Zhejiang dhe Anhui.

Për nesër pritet mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi ka mbajt mot kryesisht i vranët. Frynë erë e dobët deri e mesme nga drejtimi i jugut.

Temperaturat në open 14; Tivar, H. Novi, Ulqin e Budvë 22 gradë, Podgoricë 21, Beranë, B.Pole e Andrievicë 18, Nikshiq e Petnicë 17, Cetinë, Plevle, Plluzhinl e Shavnik 16, Kollashin, Rozhajë e Guci 15 dhe Zhablak 12 gradë.

               Për nesër pritet mot i ndryshueshëm deri plotësisht i vranët, me reshje të përkohshme dhe të dobëta shiu. Do të fryjë erë kryesisht e dobët deri e mesme nga drejtimi i lindjes. Temperatura e mëngjesit nga 0 deri në 13, kurse më e larta ditore nga 14 deri në 25 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се