- Hronika
- Montesong
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Novosti dana
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- Muzički program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
07. 11. 2024.
00:00 >> 17:32
Ditari 07.11.2024
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Sharanoviq - policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme maksimalisht janë të përkushtuara për arrestimin e vrasësit të dyfishtë Alia Baliagiq
Ministri i punëve të brendshme Danillo Sharanoviq tha sot se policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme maksimalisht janë të përkushtuara për arrestimin e vrasësit të dyfishtë Alia Baliagiq, i cili, siç thotë, ka kohë që më shumë është në territorin e Serbisë se në Mal të Zi.
Ne shpresojmë që atij personi t'ia heqim lirinë sa më shpejt të jetë e mundur, tha Sharanoviq. Duke folur për vrasjen e djeshme në Podgoricë, ministri thotë se policia kot arreston, kur vrasësit lirohen nga burgu. Siç tha ai, disa gjyqtarë nuk janë në gjendje që brenda afatit prej tri vjetësh të sjellin vendime gjyqësore. Ai e tha këtë në konferencën për media, pas Forumit Evropian për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë, që po mbahet sot në Budva.
Kryeministri Spajiq, pas vrasjes së djeshme të dy personave në Podgoricë ka thirrë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Kryeministri Millojko Spajiq, pas të shtënave të djeshme në Podgoricë ku mbetën të vrarë dy persona, thirri një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Siç është bërë me dije nga Qeveria, seanca do të fillojë sot në ora 17 e 30 minuta.
Kuvendi vazhdoi sot seancën, në të cilën u diskutua për gjeneral brigadierin Zoran Llazareviq
Kuvendi vazhdoi sot seancën, në të cilën u diskutua për gjeneral brigadierin Zoran Llazareviq, si dhe për fitoren e Donald Trampit në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në pyetjet e deputetëve përgjigjen: zëvendëskryeministri për arsim, shkencë dhe marrëdhënie me bashkësitë fetare Budimir Aleksiq, Ministri i Zhvillimit të Investimeve Rajonale dhe Bashkëpunimit me Organizatat Joqeveritare pastaj Ernad Suleviq, ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq, dhe ministri i Financave Novica Vukoviq.
Krapoviq - Ata që nuk duan ose shmangin marrjen e vendimit për shkarkimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi (QVG), Zoran Lazareviq do të mbajnë përgjegjësi
Ata që nuk duan ose shmangin marrjen e vendimit për shkarkimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi (QVG), Zoran Lazareviq do të mbajnë përgjegjësi për pasojat e mundshme, tha Ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq. Ai këtë e ka thënë në Kuvend në përgjigje të pyetjes parlamentare të Sllagjana Kalugjeroviq, deputete e Partisë Socialiste Popullore. Krapoviq tha se ka struktura të caktuara që e mbrojnë politikisht Lazareviqin, përfshirë edhe presidentin e shtetit, Jakov Millatoviq, i cili, siç përkujtoi, refuzon të marrë vendim për shkarkimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Krapoviq ka theksuar se vendimin për propozimin për shkarkimin e Lazareviqit nuk e ka marrë menjëherë pas marrjes së pozitës së ministrit të Mbrojtjes, por pasi ka marrë një pasqyrë të situates,duke theksuar se publiku po përpiqet të krijojë një imazh se është një konflikt personal mes tij dhe Lazareviqit. Krapoviq tha se për këtë as që bëhet fjalë.
Propozim-vendimi për hapjen e hetimit parlamentar dhe formimin e Komisionit Hetimor si dhe rastet e vrasjeve me motive politike në kuvend me 12 nëntor
Propozim-vendimi për hapjen e hetimit parlamentar dhe formimin e Komisionit Hetimor për mbledhjen e informacioneve dhe fakteve për veprimet e autoriteteve shtetërore në rastet e vrasjeve me motive politike, të ndodhura që nga futja e sistemit shumëpartiak e deri më sot, do të jetë në rendin e ditës së seancës së Kuvendit të Malit të Zi, e cila është caktuar për më 12 nëntor. Propozimi është dorëzuar nga një grup deputetësh nga radhët e Demokracisë së Re Serbe, Partisë Demokratike Popullore, Lëvizjes Evropa Tani dhe Demokratët. Siç thuhet në sqarim, deputeti dhe kryetari i Kuvendit Andria Mandiq do ta paraqesë arsyetimin e miratimit të këtij propozimit.
Shumica e institucioneve arsimore në Mal të Zi morën sot email-e kërcënuese
Shumica e institucioneve arsimore në Mal të Zi morën sot email-e kërcënuese, ku thuhej se në ambientet e tyre do të aktivizohen mjete shpërthyese. Punonjësit e policisë kanë shkuar menjëherë pas denoncimeve në vendngjarje dhe kanë kontrolluar objektet, ku është konstatuar se informacionet për vendosje të bombave ishin të rreme. Theksojmë se shkalla e kërcënimit në këto raste është e ulët, duke pasur parasysh faktin se emailet në fjalë janë krijuar nga e njëjta platformë, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë. Ata shtojnë se nuk ka pengesa për vazhdimin e mësimit.
Koprivica dhe Zadiq – Mali i Zi vendos standarde të larta në reformën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit
Mali i Zi vendos standarde të larta në reformën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe mund të jetë model për vendet e tjera të rajonit, u bë e ditur në takimin e zëvendëskryeministrit Momo Koprivica dhe ministres austriake të Drejtësisë Alma Zadiq. Koprivica, në takimin me Zadiqin në Vjenë, ka falënderuar Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Malit të Zi në përpjekjet e tij drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian (BE). Ai theksoi se Qeveria e Malit të Zi ka bërë përparim të dukshëm në forcimin e kapaciteteve për të luftuar korrupsionin, duke përfshirë harmonizimin e legjislacionit me normat e BE-së, një kornizë të re strategjike dhe forcimin e institucioneve gjyqësore. Koprivica, siç u tha, posaçërisht ka theksuar procedurat që janë në vazhdim, të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin e nivelit të lartë, dhe në këtë kuptim, ka përmendur rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm të Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe Departamentit të Policisë Speciale, të cilat, meritojnë mbështetje të plotë në punë. “Rrjedhimisht, Mali i Zi ka marrë një raport pozitiv për përmbushjen e standardeve të përkohshme (IBAR), si dhe një vlerësim për herë të parë në Raportin e Komisionit Evropian për Malin e Zi, se është bërë progres i mirë në kapitujt 23 dhe 24”, tha Koprivica.
Marta Kos, tha sot se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi t’i përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026
Kandidatja për komisionare të Zgjerimit e BE-së,sllovenia Marta Kos, tha sot se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi t’i përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026, përkatësisht 2027. Ajo tha gjatë seancës dëgjimore se do të jetë e “përkushtuar” për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe se do ta mbajë si parim qëndrimin se vendet kandidate duhet të anëtarësohen në bazë të meritave dhe përmbushjes së reformave dhe kushteve për anëtarësim. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027”, tha ajo. Kos tha me këtë rast se nuk do t'i ndiqte tendencat e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t'i ndjekim këto tendenca”, ka thënë ajo pasi është pyetur për idetë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas deputetit që bëri pyetje, mund të kthehen përsëri në tryezë pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Kos - Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t'i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave
Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t'i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027”, tha ajo. Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 3. Pas disa vitesh stagnimi, ky vend i ka rinisur negociatat në qershor të këtij viti dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre. Në anën tjetër, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor. Kos theksoi se gjatë mandatit të saj, nëse do të emërohet, do të ngulë këmbë që edhe BE-ja t’i mbajë premtimet ndaj vendeve në procesin e zgjerimit.
Nuk është e qartë nëse Kos do të emërohet
Nuk është e qartë nëse Kos do të emërohet, pasi, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në PE, besohet se ajo mund të jetë një nga kandidatet që mund të votohet që të mos emërohet komisionare për Zgjerim. Ajo u propozua për këtë post në shtator nga presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nëse konfirmohet, Kos do ta zëvendësojë në këtë post Oliver Varhelyin.Kos është pyetur gjithashtu edhe për rolin e saj të mundshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo shprehu gatishmëri për të punuar me Kaja Kallasin, e cila pritet të konfirmohet në postin e përfaqësues për politikë të jashtme të BE-së, dhe ta marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve fqinje. “Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit.Unë do të punoj sigurisht me të, që të lëvizim përpara. Ajo tha se pret nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan në fillim të vitit 2023 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.Por, Kos paralajmëroi se “nëse gjërat nuk shkojnë, duhet të gjejmë një rrugë të re”, duke e cituar Albert Ajnshtajnin se “është çmenduri të vazhdosh ta bësh të njëjtën gjë çdo ditë dhe të presësh rezultat tjetër“.
Oficerët e policisë malazeze morën pjesë në operacionin global ,,Liberterra,,
Oficerët e policisë malazeze morën pjesë në operacionin global ,,Liberterra,, në kuadër të të cilit 15 persona u proceduan penalisht dhe 12 u arrestuan në Mal të Zi për veprat penale të krijimit të organizatës kriminale dhe kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror dhe kontrabandës me njerëz. Aksioni, siç tha Drejtoria e Policisë, u organizua nga Interpoli dhe u krye në 116 vende, kundër grupeve të organizuara kriminale të përfshira kryesisht në kontrabandën e emigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Në qendrën koordinuese në Shkup gjatë operacionit kanë qëndruar zyrtarë të Sektorit Kundër Krimit dhe Sektorit të Policisë Kufitare, ku, siç shtohet, së bashku me përfaqësues të tjerë të shërbimeve të sigurisë kanë koordinuar aktivitetet dhe kanë kryer kontrolle të drejtpërdrejta përmes bazave të Interpolit, nëpërmjet bazave kombëtare të vendeve pjesëmarrëse. Thuhet se, përveç Maqedonisë së Veriut, qendra koordinuese janë formuar edhe në Argjentinë, Senegal dhe Filipine, për të lehtësuar bashkëpunimin mes vendeve në rajonet e tyre dhe më gjerë, kështu që operacioni në të cilin mori pjesë Mali i Zi, shtohet se ka rëndësi globale.“Gjatë kohëzgjatjes së aksionit, nga 29 shtatori deri më 4 tetor, janë kryer pothuajse tetë milionë kontrolle në bazat e të dhënave të Interpolit, janë shpëtuar 3,222 viktima të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore dhe janë identifikuar 17,793 migrantë të parregullt”, thuhet në deklaratë.
Organizata Sindikale e Prokurorive të Shtetit (SODT) i bëri thirrje pushtetit ekzekutiv që të vazhdojë dialogun
Organizata Sindikale e Prokurorive të Shtetit (SODT) i bëri thirrje pushtetit ekzekutiv që të vazhdojë dialogun, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve konkrete që do të përmirësojnë pozitën e punonjësve në gjyqësor. Nga kjo organizatë sindikale thanë se në seancën e Kuvendit i kanë dhënë mbështetje unanime Shoqatës së Gjyqtarëve në luftën për përmirësimin e gjendjes financiare të punëtorëve në gjyqësor. “Reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve, i Komisionit Profesional të Gjyqësorit, si dhe i SODT-së në periudhën e kaluar, tregon pa mëdyshje për pakënaqësinë e përgjithshme të punonjësve si dhe për kushtet materiale të punës në institucionet gjyqësore”, thuhet në deklaratë.
Ngjarja ndërkombëtare sportive dhe turistike Podgorica Milenijum do të mbahet të shtunën dhe të dielën në kryeqytet
Ngjarja ndërkombëtare sportive dhe turistike Podgorica Milenijum do të mbahet të shtunën dhe të dielën në kryeqytet dhe do të mbledhë më shumë se 2700 vrapues nga 37 vende të botës, njoftuan organizatorët e manifestimit. Sponsor është Kryeqyteti, respektivisht Sekretariati për Kulturë dhe Sport dhe eventi do të mbahet në bashkëpunim me Multisport Academy Mayer. Vrapimi i Mijëvjeçarit të Podgoricës do të mbahet për herë të katërt dhe pesë gara janë planifikuar si pjesë e veprimtarisë. E shtuna është e rezervuar për adhuruesit më të vegjël të vrapimit, me një garë për fëmijë në Urën e Mijëvjeçarit. Kulmi i eventit do të jetë ditën e diel, kur në program janë garat 10, 21.1 dhe 42.2 kilometra. Organizatori planifikoi gjithashtu një garë të zjarrfikësve. Drejtori i garës, Igor Majer, tha se organizimi do të jetë në një nivel të lartë dhe se komunikimi do të jetë shumë më serioz dhe më i madh se më pare, kështu thonë numrat si dhe përgatitja e gjithë manifestimit. Sektorët e veçantë në faqen tonë janë përshtatur për trafikun dhe komunikimin me qytetarët se si të sillen në këtë ditë", tha Majer në konferencën për media.
Raportet Trump-Kosovë: Çfarë ishin dhe çka mund të pritet
Nga marrëveshja ekonomike ndërmjet Kosovës e Serbisë, njohja nga Izraeli, deri te mospajtimet politike dhe akuzat – janë ngjarjet që shënuan raportet e Kosovës me administratën e kaluar amerikane në krye me Donald Trump, të viteve 2016-2020. Tani që Trump u zgjodh për mandatin e dytë, njohësit politikë në Kosovë dhe të huaj, kanë qëndrime të ndara për ndikimet që kjo administratë do të ketë mbi Kosovën. Ndërsa për Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin “as edhe një gjë pozitive” për Ballkanin nuk mund të vijë nga zgjedhja e Trumpit. Gjatë mandatit të parë të Donald Trump si President i SHBA-së (2016-2020), administrata e tij u përqendrua fuqimisht në atë që e quajti “normalizim ekonomik” të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Synimi kryesor, sipas kësaj administrate, ishte që bashkëpunimi ekonomik t’i vendoste “në plan të parë përfitimet e qytetarëve, duke i ulur tensionet politike në rajon”. I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, luajti një rol kyç në këtë përpjekje, duke theksuar se mungesa e një marrëveshjeje të tillë përbënte një pengesë të madhe për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve dhe për tërheqjen e investimeve të huaja. Në katër vjetët sa president i SHBA-së ishte Trumpi, në Kosovë u ndërruan tre kryeministra: Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ndërmjetësimi i Trumpit i solli Kosovës edhe njohjen nga shteti i Izraelit. Ndryshe nga kjo periudhë, marrëdhëniet e administratës Trump dhe në veçanti të Grenellit me Albin Kurtin ishin të tensionuara.
Profesori Afrim Hoti e konsideron zgjedhjen e Donald Trumpit president të SHBA-së si një zhvillim pozitiv për Kosovën dhe Ballkanin
Nga ana tjetër në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, profesori Afrim Hoti nga Universiteti i Prishtinës e konsideron zgjedhjen e Donald Trumpit president të SHBA-së si një zhvillim pozitiv për Kosovën dhe Ballkanin. Hoti beson se administrata e Trumpit mund të sjellë energji të reja në marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën dhe rajonin. “Unë dua të besoj se kushdo që i udhëheq institucionet e Kosovës duhet të jetë i vetëdijshëm se ka pak rëndësi fakti se kush e udhëheq Shtëpinë e Bardhë. Pra, cila administratë udhëheq SHBA-në, sepse si me njërën, ashtu edhe me tjetrën, institucionet tona kanë pasur raporte të ngushta”. Hoti, gjithashtu, shton se Kosova duhet të forcojë përpjekjet e lobimit me SHBA-në për të ruajtur këto marrëdhënie të rëndësishme, pasi sipas tij ky lobim është rritur shumë në Serbi. "Tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë serbët janë në ofensivë, ata po lobojnë me të madhe. Përfundimisht, institucionet tona duhet të jenë të vetëdijshme për këto veprime dhe ta ripozicionojnë vendin karshi SHBA-së", thotë Hoti. Në anën tjetër, Toby Vogel parashikon se Ballkani nuk do të jetë shumë lart në agjendën e Trumpit, por beson se çfarëdo ndikimi që administrata e tij do të ketë në rajon, “nuk do të jetë pozitiv”.
Rreth 50 liderë evropianë – përfshirë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe shefin e NATO-s, Mark Rutte – janë mbledhur sot në Budapest për të diskutuar për marrëdhëniet e tyre transatlantike
Rreth 50 liderë evropianë – përfshirë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe shefin e NATO-s, Mark Rutte – janë mbledhur sot në Budapest për të diskutuar për marrëdhëniet e tyre transatlantike. Ata shpresojnë se nuk do të kenë mospajtime të ngjashme me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, sikur gjatë mandatit të tij të parë. Në mesin e liderëve që po marrin pjesë në samitin e Budapestit janë edhe ata të Ballkanit Perëndimor, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e falënderoi kryeministrin hungarez, Viktor Orban, për mikpritjen. Liderët evropianë do të kërkojnë edhe pajtueshmëri për një qëndrim të përbashkët dhe të fuqishëm ndaj Rusisë gjatë këtij samiti njëditor. Rutte, i cili ishte kryeministër i Holandës gjatë mandatit të parë të Trumpit 2017-2021, tha se “punova shumë mirë me të gjatë katër vjetëve”. “Ai është shumë i qartë për atë që dëshiron. Ai e kupton se duhet të merremi me njëri-tjetrin për të ardhur në një përfundim të përbashkët. Dhe, mendoj se mund ta bëjmë këtë”, tha Rutte. Trumpi i shtyu aleatët evropianë të NATO-s të shpenzojnë më shumë në mbrojtje gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Ai u kërkoi atyre të shpenzojnë mbi 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për mbrojtje, ashtu siç kërkohet nga shtetet e NATO-s, si dhe të jenë më pak të varura nga ushtria amerikane.
Kancelari gjerman Olaf Sholc thotë në mes të një krize të thellë koalicioni se ai do të kërkojë një votëbesim më 15 janar
Kancelari gjerman Olaf Sholc thotë në mes të një krize të thellë koalicioni se ai do të kërkojë një votëbesim më 15 janar që mund t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme në mars. Ai shkarkoi dje ministrin e tij Financave Kristian Lindner, pasi siç u shpreh nuk kishte më asnjë bazë besimi, duke e bërë të pamundur bashkëpunimin mes tyre. Kancelari gjerman shtoi se po kërkon mbështetjen e kreut të konservatorëve në opozitë Friedrih Merc për miratimin e buxhetit dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, ku parashikohet edhe një paketë ndihme për Ukrainën. Vetë ministri Lindner tha se masat e propozuara nga Sholc nuk i shërbenin rritjes se ekonomisë gjermane, ndërsa partia Liberale tërheqi të gjithë ministrat nga qeveria. Menjëherë pas largimit të një prej tre partnerëve të koalicionit, kancelari gjerman Olaf Sholc nxitoi të plotësonte katër pozicionet ministrore të mbetura bosh nga Partia e Lirë Demokratike në largim.
Sulmet ruse mëngjesin e sotëm kanë shkaktuar zjarre dhe dëme të mëdha
Sulmet ruse mëngjesin e sotëm kanë shkaktuar zjarre dhe dëme të mëdha në pesë qarqe të Kievit, njoftoi kryetari i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko, në Telegram. Copëzat e dronëve të rrëzuar ranë në qarqet Peçersk, Holosivski, Solomiansk, Obolonsk dhe Podilsk, tha Klitschko. Ai shtoi se dy njerëz u lënduan pasi u goditën nga copëzat e dronëve të rrëzuar. Klitschko raportoi se katet e sipërme të një ndërtesë shumëkatëshe në Peçersk u përfshinë nga zjarri dhe se banorët u evakuuan. Në Odesa, një ndërtesë e lartë banimi u dëmtua dhe një burrë u plagos, pasi mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi dronë rusë mbi portin e Detit të Zi, tha guvernatori rajonal, Oleh Kiper. Kanalet në Telegram e publikuan një video që shfaq një zjarr në katin e parë të një ndërtesë nëntëkatëshe në Odesa. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Derisa Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Për nesër pritet mot kryesisht me diell
Për nesër pritet mot kryesisht me diell, kohë pas kohe me vranësira të larta të dobëta deri mesatare. Në veri paradite nëpër lugina me mjegull. Do të fryjë erë kryesisht e dobët nga drejtime të ndryshme, në juglindje herë pas here deri mesatare nga drejtimi i verilindjes. Temperatura e mëngjesit nga -3 deri në 11, kurse më e larta ditore nga 14 deri në 23 gradë.
Коментари0
Остави коментар