- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
08. 04. 2025.
00:00 >> 12:48
Ditari 08.04.2025
Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj
Edhe sot vazhduan konsultimet në mes të Spajiqit dhe përfaqësuesve të partive
Konsultimet mes kryeministrit Millojko Spajiq dhe përfaqësuesve të partive lidhur me mbështetjen e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vazhduar edhe sot. Kryeministri u takua sot me përfaqësues të Partisë Demokratike Popullore, Demokracisë së Re Serbe dhe Partisë Demokratike të Socialistëve. Pas takimit, këto palë thanë se nuk janë kundër investimeve, por se mbështetja e tyre për marrëveshjen nuk është ende përfundimtare. Ata janë në pritje, siç thonë ata, për të gjitha informacionet dhe detajet e marrëveshjes.
Dukaj: Depolitizimi dhe profesionalizimi është qëllimi i të gjitha ligjeve që ne punojmë
Ministria e Administratës Publike e ka harmonizuar maksimalisht Propozimin për ndryshimin e Ligjit për nëpunës dhe zyrtarë shtetërorë me rekomandimet evropiane, ka bërë me dije ministri Marash Dukaj, duke shtuar se të gjitha ligjet që po i përgatisin kanë për qëllim profesionalizimin dhe depolitizimin e administratës shtetërore. Këtë e tha Dukaj në seancën e Kuvendit, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit socialdemokrat Boris Mugosha dhe deputetes së Partisë Demokratike të Socialistëve, Zoja Bojaniq- Llaloviq. Bojaniq- Llalloviq e pyeti Dukajn se çfarë do të bëjë Mali i Zi që të përmbushë kërkesat e përcaktuara nga Bashkimi Evropian në lidhje me Ligjin për nëpunësit dhe zyrtarët shtetërorë. Dukaj ka thënë se as Ministria e Administratës Publike dheas ndonjë ministri apo institucion tjetër, nuk mund ta përfundojë vetë ndonjë proces apo ligj. Ne e kemi bërë atë çfarë ka qenë obligim ligjor dhe profesional i Ministrisë. E kemi harmonizuar maksimalisht këtë ligj me rekomandimet evropiane, kemi bërë çdo gjë që është në dorën tonë, tha Dukaj. Ne do të vazhdojmë të punojmë sa më shumë në fushën që ka të bëjë me depolitizimin dhe profesionalizimin e administratës publike, por kjo nuk varet nga ne, por nga të gjithë, tha Dukaj.
Çarapiq: Vendin vakant të Dragana Gjuranoviqit mund ta plotësojë vetëm një gjyqtar i ri
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Evropa Tani, Vasilie Çarapiq, vlerësoi se pas qëndrimit të Komisionit të Venecias, është e qartë se vendin vakant të gjyqtares së pensionuar të Gjykatës Kushtetuese, Dragana Gjuranoviq, mund ta plotësojë vetëm një gjyqtar i ri. Çarapiq ka theksuar për portalin e Radio Televizionit të Malit të Zi se Komisioni i Venecias në reagimin e tij të parë ka qenë i qartë se mendimi i tyre nuk do t'i referohet rastit individual të Drgana Gjuranoviqit, por se mendimi do të fokusohet në përmirësimin e procedurës për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që të shmangen dyshimet që kemi pasur deri më tani, tha Çarapiq. Kah mesi i dhjetorit të vitit të kaluar, Komisioni Kushtetues ka votuar për konkluzionet se për shkak të plotësimit të kushteve për pensionim sipas Ligjit për sigurimin pensionist e invalidor, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese Dragana Gjuranoviq, Desanka Llopiçiq dhe Budimir Shqepanoviq u ka përfunduar mandati. Në seancën e Kuvendit është konstatuar përfundimi i mandatit të Gjuranoviqit.
Abazoviq: Gjykata e hodhi poshtë padinë e Lazoviqit kundër meje
Gjykata Themelore në Ulqin e hodhi poshtë si të pabazë padinë e ish funksionarit policor, tani i paraburgosur, Zoran Llazoviq, kundër liderit të Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq. Siç ka bërë me dije Abazoviq në rrjetin social X, aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Ulqinit e ka marrë më 5 prill, bazuar në padinë e Zoran Llazoviqit, në të cilën Gjykata ka vendosur se nuk ka bazë. "Mirëmëngjesi, Mali i Zi. Vendimi ka ardhur - Zoran Llazoviqi është mundur, është prononcuar Abazoviq.
Begoviq: EVSP ka paralajmëruar grevë për shkak të kushteve të këqija, por edhe veprimeve të ngadalta procedurale ligjore
Avokati Zdravko Begoviq thotë se greva e urisë e të paraburgosurve dhe të burgosurve në Entin për Vuajtjen e Sanksioneve Penale, e cila është paralajmëruar për nesër, mund të ngadalësojë procedurat gjyqësore dhe të vonojë gjykimet, gjë që nuk është e mirë. Të arrestuarit po protestojnë kundër kushteve të vështira, por edhe kundër disa veprimeve procedurale dhe ligjore të drejtësisë që cenojnë të drejtat e tyre. Siç tha ai në emisionin “Link”, i njeh mirë kushtet në Burg dhe greva e paralajmëruar nuk është vetëm për shkak të kushteve jo të mira të qëndrimit të të burgosurve, por edhe për shkak të veprimeve procedurale ligjore në kontestet që zhvillohen ndaj tyre. Kushtet janë të këqija, në Burgun hetues ka afër 600 të paraburgosur, kurse kapaciteti është rreth 200. Begoviq sqaroi se protesta është paralajmëruar edhe për shkak të shkeljes së të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, për shkak të paraburgimeve që zgjasin shumë, lirimi me kusht është thuajse një shkronjë e vdekur në letër dhe vendimet e gjykatave kërkojnë shumë kohë për të kaluar nga njëri në tjetrin. Këto, thotë ai, janë arsye serioze pse të paraburgosurit besojnë se u janë shkelur të drejtat dhe se janë shkelur ligjet dhe Kushtetuta.
Bozhoviq: Qeveria do të shqyrtojë rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve me 30 për qind këtë javë
Qeveria këtë javë do të shqyrtojë një rritje të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët për 30 përqind , konfirmoi Ministri i Drejtësisë, Bojan Bozhoviq. Ai këtë e deklaroi në një takim të Grupit punues për hartimin e ligjit për rrogat e bartësve të funksioneve gjyqësore. Pritet nënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive të Degës në mënyrë që të korrigjohet paga e shërbimeve profesionale në gjyqësor, deklaroi ministri Bozhoviq.
Berisha: Komuniteti rom nuk ka shumë arsye për të festuar
Sot është Dita Ndërkombëtare e Romëve. Drejtori i organizatës “Të rinjtë, ecni me ne”, Elvis Berisha, thotë se këtë vit komuniteti rom nuk ka shumë arsye për të festuar pasi shteti nuk ka bërë shumë për romët deri më tani. Si shembull i mirë, ai përmend Ministrinë e Arsimit që siguron transportin për në shkollë për fëmijët romë.
Problemet në fushën e strehimit, punësimit, si dhe të promovimit të kulturës dhe gjuhës së komunitetit rom janë ende në të njëjtin nivel. Kemi ende shumë për të bërë në këto fusha. Ne si komunitet nuk shohim se kjo qeveri është shumë e përkushtuar ndaj këtyre çështjeve dhe as nuk e ka prioritet zgjidhjen e problemeve të komunitetit rom në Mal të Zi, theksoi ai
Millatoviq e dekoroi Marina Gojkoviq pas vdekjes
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, presidenti Jakov Millatoviq e ka dekoruar Marina Gojkoviqin pas vdekjes me Urdhrin e Punës, i cili ndahet për merita të veçanta në ekonomi dhe veprimtari të tjera, si dhe për punë me rëndësi të jashtëzakonshme për përparimin dhe zhvillimin e Malit të Zi. Ai ia dorëzoi urdhrin vëllait të saj Ivan Gojkoviq. Siç është njoftuar nga Zyra e Presidentit, Millatoviq ka theksuar se ky çmim është një nderim për një grua të jashtëzakonshme, Marina Gojkoviqin - humaniteti, përkushtimi dhe vizioni i së cilës lanë gjurmë të pashlyeshme në komunitetin tonë, thuhet në kumtesë.
Kallas: Viti 2030, objektiv realist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 mund të jetë një objektiv realist, nëse kryhen reformat e nevojshme, tha në Tiranë shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas. Por në këtë rrugë, Kallas tha se Shqipëria duhet të bëjë reformat e nevojshme. “Shqipëria me reformat e saj — jo vetëm ato që duhet të miratohen, por edhe ato që tashmë janë miratuar — duhet të zbatohen. Këtu, sundimi i ligjit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi ai, shteti i së drejtës, është një nga themelet e Bashkimit Evropian,” deklaroi Kallas. Në konferencën e përbashkët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në fokus të diskutimeve ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Rama shprehu ambicien që negociatat e Shqipërisë me BE-në, në kuadër të procesit të anëtarësimit, të mbyllen deri në vitin 2027.“Ne kemi një plan të dakordësuar me BE-në për të mbyllur negociatat në vitin 2027, që do të thotë se në momentin që mbyllen negociatat, Komisioni i rekomandon vendeve anëtare anëtarësimin,” tha Rama. Nga ky moment, Rama tha se Shqipëria parasheh një periudhë dyvjeçare ratifikimesh, që sipas tij përfundon me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Këtë rrugëtim, Rama tha se e ndihmon fakti që Shqipëria është në linjë të plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Shqipëria i hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim më 15 tetor, 2024.Kallas dhe Rama, po ashtu, folën për rëndësinë që ka stabiliteti në rajon, duke theksuar nevojën për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Konjufca: Pa koalicion, i pamundur themelimi i Qeverisë
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në konferencën me gazetarë ka folur për krijimin e institucioneve. Ai tha se pa koalicione është i pamundur themelimi i Qeverisë. Lidhur me pyetjen për të parin e Kuvendit të Kosovës, Konjufca tha se LVV ende nuk e ka dhënë emrin për mandatin e kryetarit të Kuvendit. “Kjo për arsye se të gjitha pozitat sa i përket përbërjes së re të mazhorancës, e cila i nënshtrohen disa principeve e njëra prej më kryesoreve është përpjekja për ta themeluar Qeverinë, sepse Kuvendi nuk është institucion në vetvete, por themelohet për të zgjedhur institucionet tjera dhe njëra pre më të rëndësishme është ekzekutivi”, tha Konjufca. Ndërsa për themelimin e qeverisë, Konjufca tha se është i pamundur të themelohet pa koalicione që është e aftë për ta qeverisur vendin.
Gërvalla në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja, në detyrë, e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Nju Jork për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të mbahet sot, më 8 prill 2025, në orën 15 sipas kohës lokale në Nju Jork. Në këtë seancë do të shqyrtohet raporti periodik i i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për zhvillimet në Kosovë. Ministrja Gërvalla do të përfaqësojë Republikën e Kosovës , duke praqitur të arriturat e vendit , sfidat aktuale dhe përparimet në fusha të ndryshme si sundimi i ligjit , ekonomia dhe reformat institucionale , njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Të paktën 19 persona humbën jetën në sulmet izraelite në Rripin e Gazës
Të paktën 19 persona u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, njoftoi sot në mëngjes Mbrojtja Civile e Territorit Palestinez. Pesë fëmijë janë mes viktimave. Rreth mesnatës, ushtria izraelite goditi një shtëpi në Deir el-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, duke vrarë nëntë persona. Në agim, dhjetë njerëz u vranë në dy sulme, një në qytetin e Gazës dhe tjetri në Beit Lahia, në veri, tha për AFP zëdhënësi i Mbrojtjes Civile Mahmoud Basal.
SHBA do të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Iranin
Presidenti Donald Trump tha të hënën se SHBA do të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Iranin për programin e tij bërthamor, ndërsa paralajmëroi iranianët se do të ishin në "rrezik të madh" nëse bisedimet nuk arrijnë t`i bindin ata të braktisin programin e tyre të armëve bërthamore. Nga ana tjetër, Teherani konfirmoi se bisedimet do të ndodhnin, por këmbëngul se ato do të ishin diskutime indirekte përmes një ndërmjetësi. Trump, në komentet për gazetarët pas takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se bisedimet do të fillojnë të shtunën, nojfton AP .“Ne po merremi me ta drejtpërdrejt dhe ndoshta do të arrihet një marrëveshje”, tha Trump. Ai shtoi se “bërja e një marrëveshjeje do të ishte e preferueshme”.I pyetur nëse ai do të angazhohej për veprime ushtarake kundër Iranit nëse negociatorët e tij nuk do të ishin në gjendje të pajtohen me Teheranin, Trump u përgjigj: "Irani do të jetë në rrezik të madh, ndonëse e urrej ta them". “Nëse bisedimet nuk janë të suksesshme, mendoj se do të jetë një ditë shumë e keqe për Iranin”, tha Trump. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, duke shkruar në platformën sociale X, që është e ndaluar në Teheran, këmbënguli se bisedimet do të ishin indirekte.
Tarifë shtesë prej 50 për qind ndaj mallrave të importuara nga Kina
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha dje se do të vendosë një tarifë shtesë prej 50 për qind ndaj mallrave të importuara nga Kina nëse Pekini nuk i tërheq tarifat hakmarrëse kundër Shteteve të Bashkuara.“Gjithashtu, të gjitha bisedimet me Kinën në lidhje me takimet që ata kanë kërkuar me ne do të ndërpriten! Negociatat me vende të tjera, të cilat gjithashtu kanë kërkuar takime, do të fillojnë menjëherë”, tha Trump në një postim në Truth Social.Javën e kaluar, Trump vendosi tarifa prej 34 për qind ndaj mallrave kineze. Këto tarifa janë pjesë e një vendimi më të gjerë, përmes së cilit SHBA-ja ka vendosur tarifa ndaj shumicës së partnerëve tregtarë.Më 4 prill, Pekini iu kundërpërgjigj tarifave të reja amerikane, duke vendosur një tarifë shtesë prej 34 për qind ndaj mallrave amerikane, lëvizje që paraqet një përshkallëzim në luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Nesër mot kryesisht me diell
Në pjesët jug dhe qendrore të vendit mban mot kryesisht i kthjellët, në veri kryesisht i vranët dhe i thatë. Frynë erë e mesme deri e fortë, vende- vende shumë e fortë e drejtimeve veriore dhe verilindore. Temperaturat në ora 14 u shënuan: Herceg Novi 15, Tivar e Budvë 14, Ulqin 13, Podgoricë 12, Nikshiq 6, Beranë e Bijello Pole 4, Plevle, Andrievicë, Plluzhinë, Shavnik e Petnjicë 3, Kollashin 2, Cetinë, Rozhajë e Guci 1 dhe në Zhablak -3 gradë. Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot kryesisht me diell. Në veri, në orët e mëngjesit me ngricë, kurse gjatë ditës kryesisht i vranët dhe me intervale të diell. Do të fryjë erë e lehtë deri e mesme, vende-vende e fortë nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit prej -6 deri në 6, kurse më e larta e ditës prej 5 deri në 17 gradë.
Коментари0
Остави коментар