- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
09. 04. 2025.
00:00 >> 17:50
Ditari 09.04.2025
Përgatiti, Musa Gjoka
MILATOVIQ: BE-JA DUHET TË DEKLAROHET NË LIDHJE ME MARRËVESHJEN ME EMIRATET E BASHKUARA ARABE
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se marrëveshja e nënshkruar midis Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe është e kontestuar për disa arsye; sepse, siç tha ai, ajo ka të bëjë me interesa kyçe shtetërore që janë në formën e biznesit të paligjshëm. Millatoviq theksoi se pret një prononcim të qartë nga Bashkimi Evropian për këtë çështje, dhe tha se deputetët në Parlamentin e Malit të Zi kanë një përgjegjësi të madhe, sepse po diskutohet ligjshmëria e saj.
"Ende nuk ka një projekt të qartë dhe të identifikuar. Janë nënshkruar dy marrëveshje, njëra prej të cilave është me natyrë të përgjithshme. Është një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik midis Malit të Zi dhe Emirateve, të cilën e kemi të nënshkruar edhe me rreth 20 vende të tjera. Kur bëhet fjalë për atë Marrëveshje, mendoj se nuk ka asgjë të diskutueshme në lidhje me të. U nënshkrua një marrëveshje tjetër, për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme. Kjo është një marrëveshje që është thelbësisht e diskutueshme. Së pari, si e tillë, kjo nënkupton anulimin e disa ligjeve të rëndësishme të Malit të Zi. Në këtë kuptim, është problematike”, shprehet Millatoviq.
ZENKA INVESTIMET DO TA ÇOJNË ULQININ DREJT FALIMENTIMIT VUKSANOVIQ: JEMI SKEPTIKË PËR MARRËVESHJEN
Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmed Zenka, tha pas konsultimeve me kryeministrin Milojko Spajiq lidhur me Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe, nëse investimi i planifikuar realizohet, kjo do ta çojë Ulqinin drejt falimentimit. Kryetari i Iniciativës Qytetare Kroate, Adrijan Vuksanoviq, tha se varësisht nga mënyra se si do të vazhdojë diskutimi dhe si do të zbulohen detaje të reja, subjekti që ai përfaqëson do të përcaktohet, por se për momentin është shumë skeptikë. “Me sa shoh unë, gjithçka reduktohet në një histori, se një megainvestim që filloi me 20 miliardë dhe tani ka arritur në 35 miliardë. Disa plane monstruoze që parashikohen për Ulqinin, do ta japin me qira Plazhin e Madh prandaj opinioni duhet ta dijë këtë”, thotë Zenka. Kryetari i Iniciativës Qytetare Kroate, Adrijan Vuksanoviq, theksoi se vetëqeverisja lokale dhe popullsia në Ulqin duhet të merren parasysh, veçanërisht pasi procesi filloi në një mënyrë shumë jotransparente, gjë që, sipas tij, krijoi dyshime të caktuara.
PROJEKTLIGJI PËR MARRËVESHJEN ME EMIRATET E BASHKUARA ARABE KA MBËRRIT NË KUVEND
Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe do të shkaktojë kosto të konsiderueshme për buxhetin e Malit të Zi, sepse shteti do të financojë ndërtimin e infrastrukturës për projektet e ardhshme dhe do të paguajë kompensimet e shpronësimit. Këto shpenzime do të dihen kur Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe investitori i saj të zgjedhin se ku dhe çfarë të ndërtojnë. Për shkak të këtyre kostove, do të jetë e nevojshme të kryhet një analizë fiskale plotësuese e ndikimit të këtyre kontratave të ardhshme në financat publike, si dhe një strategji e re fiskale kur këto kosto të jenë të njohura. Kjo u tha në mendimin e Ministrisë së Financave dhe në Raportin mbi analizën e vlerësimit të ndikimit të rregulloreve në Projektligjin për konfirmimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme midis Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat u publikuan dje në faqen e internetit të Kuvendit të Malit të Zi.
NË BURGUN E SPUZHËS, 42 TË PARABURGOSUR FILLUAN GREVË URIE
Në Burgun e Spuzhës, 42 të paraburgosur filluan grevë urie. Të burgosurit dhe të paraburgosurit e Burgut kanë njoftuar grevë dhe kërkojnë kushte më të mira jetese, si dhe përmirësimin e veprimeve të caktuara procedurale ligjore në mosmarrëveshjet në të cilat akuzohen. Të paraburgosurit dhe të burgosurit në Burgun e Spuzhës kanë kërkuar të bisedojnë me presidentin e shtetit, kryeministrin, ministrin e drejtësisë, avokatin e popullit, kryetarin e Gjykatës Supreme, përndryshe do të fillojnë një grevë urie. Administrata e Burgut theksoi se 42 të paraburgosur nga Burgu Hetues tashmë kanë filluar një grevë urie dhe se Kryetari i Gjykatës Themelore, Zoran Radoviq, i vizitoi ata dhe bisedoi me disa të paraburgosur të cilët shprehën dëshirën për të folur. Nga administrata e Burgut thotë se do të marrin të gjitha masat e nevojshme për ta mbajtur situatën nën kontroll.
KRIMET KUNDËR LIRISË SEKSUALE NDAJ FËMIJËVE NUK DO TË VJETËRSOHEN ME LIGJ.
Krimet kundër lirisë seksuale që kryhen në dëm të fëmijëve nuk do të kenë status të vjetërsimit dhe do të ndiqen penalisht pavarësisht se kur janë zbuluar. Propozimi që ndjekja penale dhe ekzekutimi i dënimit për veprat penale kundër lirisë seksuale nga kodi penal të mos vjetërsohen iu dërgua ministrisë së drejtësisë nga klubi për qitje praktike "Arsenal": "Ne nuk shohim asnjë arsye pse duhet të lejohet vjetërsimi për veprat penale të përdhunimit, përdhunimit të personave të cenueshëm, ngacmimit seksual të fëmijëve, ngacmimit seksual me anë të abuzimit, akteve të paligjshme seksuale, prostitucionit dhe krimeve të ngjashme nga kapitulli 18, duke pasur parasysh pasojat për viktimat, si dhe anëtarët e familjeve të tyre", deklaruan ata në komentin e tyre gjatë seancës publike dëgjimore. Departamenti i Bojan Bozhoviqit e pranoi pjesërisht propozimin: "Mos vjetërsimi për vepra penale kundër lirisë seksuale do të miratohet nëse ato janë kryer në dëm të fëmijës".
AEROPORTI I TIVATIT BRENDA DZ MUAJ SHËRBEU 33,312 PASAGJERË
Sipas njoftimeve nga Aeroportet e Malit të Zi, këtë verë do të operojnë gjithsej 50 linja ajrore nga aeroporti i Tivatit drejt destinacioneve të ndryshme në Evropë, Lindjen e Mesme, rajonin e Gjirit Persik dhe Azinë Qendrore. Muajin e kaluar, Aeroporti i Tivatit regjistroi një fluks prej 16,348 pasagjerësh, që është 12.3 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ky rezultat u arrit pavarësisht faktit se linja ajrore kombëtare turke Turkish Airlines nuk mbajti një linjë të rregullt Stamboll-Tivat këtë dimër, siç ndodhi vitin e kaluar. Aeroporti i Tivatit pati 282 operacione ngritjeje dhe uljeje në shkurt, që është 7.2 për qind më shumë se në të njëjtë periudhën të vitit të kaluar. Në dy muajt e parë të këtij viti, 33,312 pasagjerë kaluan nëpër ndërtesën e terminalit të Aeroportit të Tivatit, që është një rezultat 5.3 për qind më i mirë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në janar dhe shkurt të këtij viti, në pistën pranë Gjirit të Tivatit u kryen gjithsej 577 operacione ngritjeje dhe uljeje avionësh, që është 3.4 për qind më shumë se në dy muajt e parë të vitit të kaluar.
KOSOVA DHE SERBIA KËMBEJNË AKUZA NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË OKB-SË
Kryediplomatët e Kosovës dhe të Serbisë kanë këmbyer akuza ndaj vendeve të njëri-tjetrit në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku mbrëmë vonë u diskutua për raportin gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për misionin e OKB-së në Kosovë. Ministrja e Jashtme e Kosovës në detyrë, Donika Gërvalla, tha se Serbia “nuk ka ndryshuar” dhe se ajo po i vazhdon përpjekjet për ta destabilizuar demokracinë e Kosovës, “jo vetëm përmes retorikës, por përmes veprimeve konkrete dhe të dhunshme që e rrezikojnë paqen dhe sigurinë në rajon”. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, u ankua se gjendja e serbëve në Kosovë “po përkeqësohet” dhe “serbët po e paguajnë çmimin”. Gërvalla tha se “në shtator 2023 Kosova ishte cak i një inkursioni të armatosur nga një grup paramilitar të mbështetur nga Serbia dhe të udhëhequr nga Millan Radoiçiq”.
PËRSËRITET TRAGJEDIA E KOÇANIT, RRITET BILANCI I VIKTIMAVE
Numri i të vdekurve nga shembja e çatisë në një klub nate të njohur në Santo Domingo vazhdon të rritet, me të paktën 98 viktima dhe me dhjetëra të plagosur, sipas autoriteteve lokale. Juan Manuel Mendez, kreu i qendrës së operacioneve emergjente të Republikës Domenikane, tha se ekipet e shpëtimit po luftonin me kohën për të nxjerrë njerëzit që besohet se ishin të bllokuar nën rrënoja. Ai nuk pranoi të jepte një numër të njerëzve që ndodheshin në klubin e natës. Nelsy Cruz, guvernatori i provincës veriore të Monte Cristi, ishte gjithashtu brenda klubit kur çatia u shemb dhe është mes të vdekurve, sipas Reuters. Një video vërtet tronditëse ka dalë në dritë të momentit kur çatia e klubit të njohur të natës u shemb ndërsa këngëtarja Ruby Perez po performonte, në orët e para të ditës së djeshme.
HYJNË NË FUQI TARIFAT E REJA TË TRUMPIT
Tarifat e reja ndaj mallrave të importuara nga Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në fuqi sot me 9 prill. Masat tregtare janë në kuadër të politikës së re tregtare të presidentit amerikan, Donald Trump, e cila, sipas tij, synon të ringjallë industrinë prodhuese amerikane. Normat më të larta të taksave të importit për dhjetëra shtete dhe territore përfshijnë një tarifë masive prej 104 për qind ndaj mallrave kineze dhe 20 për qind për produktet nga Bashkimi Evropian. Ky rund i ri tarifash hyri në fuqi sot, pasi më 5 prill nisën së zbatuari tarifat bazë prej 10 për qind për importet e shumë shteteve të botës. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trumpi nuk e ka shqyrtuar mundësinë e hyrjes me vonesë në fuqi të këtyre tarifave. “Ai pret që këto tarifa të hyjnë në fuqi”, tha ajo mbrëmë, disa orë para mesnatës, kur ishte afati për hyrjen në fuqi të tarifave.
SHBA-JA KONFIRMON TAKIMIN ME RUSINË PËR MISIONET DIPLOMATIKE
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të rinisin bisedimet nesër në Stamboll lidhur me rihapjen e misioneve diplomatike përkatëse. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce, u tha gazetarëve se delegacionet nga Moska dhe Uashingtoni do të mbajnë rundin e dytë të konsultimeve, të përqendruara në operacionet e ambasadave. Bruce tha se asnjë temë politike apo e sigurisë nuk është në agjendën e bisedimeve, duke shtuar se lufta në Ukrainë “absolutisht nuk do të jetë” çështje e diskutimit. Këto bisedime janë krejtësisht të përqendruara vetëm në operacionet e ambasadave tona, jo normalizimi i raporteve dypalëshe, që mund të ndodhë, siç kemi thënë, kur të ketë paqe mes Rusisë dhe Ukrainës”, tha ajo.
RUSIA SULMON ME DRONË QYTETET UKRAINASE
Sulmet ruse me dronë në qytetet ukrainase të Dnipros, Harkivit dhe Kramatorskut në orët e vona të 8 prillit kanë lënë të plagosur dhjetëra persona dhe kanë shkaktuar dëme në disa ndërtesa të banuara, thanë zyrtarët lokalë. Serhiy Lysak, guvernator i rajonit të Dnipropetrovskut, tha se “Dnipro ka pësuar më së keqi” nga sulmet ruse, të kryera gjatë natës. Sipas tij, të paktën 15 persona janë plagosur dhe shumica nga ta janë në gjendje të rëndë. Lysak shtoi se sulmi në Dnipro ka dëmtuar 15 shtëpi private dhe dhjetëra automjete. Sipas tij, nga sulmet ruse janë dëmtuar dhjetëra ndërtesa biznesore, administrative dhe infrastrukturë tjetër e qytetit. Në Harkiv dhe në Kramatorks po ashtu ka pasur sulme. Në Kramatorsk, në rajonin e Donjeckut, të paktën pesë persona janë plagosur. Autoritetet lokale thanë se më shumë se 20 shpërthime janë dëgjuar në Harkiv, ku është raportuar për të paktën dy të plagosur. Ndërkaq, Forcat Ajrore ukrainase thanë se kanë rrëzuar 32 nga 55 dronët e lëshuar nga Rusia gjatë natës, ndërkaq tetë “nuk arritën caqet e tyre”.
NESËR MOT I NDRYSHUESHËM, PASDITE ME SHI, DERI NË 16 GRADË
Në jug dhe pjesët qendrore të Malit të Zi mban mot kryesisht i kthjellët, kurse në veri i vranët. Frynë erë e lehtë deri e mesme nga drejtime të ndryshme. Temperaturat në ora 14 u shënuan; H. Novi 17, Podgoricë e Budvë 16, Tivar e Ulqin 15, Nikshiq e B Pole 13, Cetinë e Shavnik 12, Plevle, Beran e Plluzhinë 11, Kollashin, Andrievicë e Petnicë 9, Rozhajë e Guci 7 dhe në Zhablak 5 gradë.
Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot, paradite kryesisht i kthjellët dhe i thatë, kurse nga mesi i ditës me të reshura të dobëta shiu, të reshura më intensive në zonat e veriut. Do të fryjë erë e lehtë deri e mesme nga drejtime të ndryshme. Gjatë natës e mesme deri e fortë nga drejtët e veriut. Temperatura e mëngjesit prej -2 deri në 8, kurse më e larta e ditë prej 4 deri në 16 gradë.
Коментари0
Остави коментар