Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

17. 04. 2025. 00:00 >> 17:22

Ditari 17.04.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Kuvendi aprovoi me shumicë votash propozimin e Qeverisë për përfshirjen në rend dite të marrëveshjeve për bashkëpunim ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe

Kuvendi aprovoi me shumicë votash propozimin e Qeverisë për përfshirjen në rend dite të marrëveshjeve për bashkëpunim ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky propozim u mbështet nga 47 deputetë, kurse pesë ishin kundër. Në seancë merr pjesë edhe kryeministri Millojko Spajiq. Deputeti i UDSH-së, Mehmet Zenka, në fillim të seancës ka propozuar që të tërhiqet propozimi i Qeverisë, sepse bëhet fjalë për paligjshmëri. Kryeministri dhe Qeveria e kanë refuzuar një propozim të tillë. Deputeti i Aleancës Shqiptare Ilir Çapuni tha se nuk ka kushte për të diskutuar mbi këto marrëveshje. Ai bëri me dije se mbi Plazhin e Madh ka fluturime me helikopterë dhe qytetarët po shikojnë me mosbesim. Spajiq tha se sot “po votojmë një marrëveshje që nuk ka të bëjë me asnjë qytet në Mal të Zi. Pra, bëhet fjalë për një marrëveshje për bashkëpunimin ekonomik mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe vendit tonë. Ne i respektojmë të gjitha komunat, i duam të gjithë qytetarët tanë dhe u urojmë më të mirën. Nuk e di për çfarë helikopterësh e keni fjalën, me shumë mundësi janë helikopterë të NATO-s, por ne do të kontrollojmë gjithçka, do të keni informacion, tha kryeministri. Në prag të seancës, Spajiq u tha gazetarëve se nuk ka vend për ndryshim të vetë marrëveshjes, por është e mundur që të bëhet ndonjë korrigjim i ligjit.

Përfaqësues të koalicionit “Plazhi i Madh ose gënjeshtra e madhe”, si dhe ambientalistë, ekspertë ligjorë e aktivistë, të mbledhur në protestën para Kuvendit të Malit të Zi

Më herët gjatë ditës së sotme përfaqësues të koalicionit “Plazhi i Madh ose gënjeshtra e madhe”, si dhe ambientalistë, ekspertë ligjorë e aktivistë, të mbledhur në protestën para Kuvendit të Malit të Zi, u kanë rekomanduar deputetëve që të mos e votojnë marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe për Plazhin e Madh, derisa të marrin mendimin e Komisionit Evropian dhe institucioneve kompetente. Jovana Janjusheviq nga Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve tha se sot nuk vendoset për Plazhin e Madh, por për sovranitetin e Malit të Zi. Ky nuk është vetëm një dokument ligjërisht i mangët, por është edhe një marrëveshje e paligjshme, tha ajo. Janjusheviq ka shpjeguar se marrëveshja për bashkëpunim ekonomik nuk është kontestuese. Por është problematike marrëveshja e cila çdo investitor që vjen nga Emiratet e Bashkuara Arabe e vendosë në një pozicion të privilegjuar.

Genci Nimanbegu, ka kërkuar nga deputetët që të mos mbështesin marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara Arabe

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka kërkuar nga deputetët që të mos mbështesin marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai tha këtë në seancën e Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo që po përgatitet nuk është e mirë për Malin e Zi multi-etnik, multikonfesional, tha Nimanbegu. Ai tha se për shkak të këtyre marrëveshjeve lind një pyetje legjitime se ku qëndron interesi publik. Unë kam pasur shtatë takime me kryeministrin që nga 12 marsi dhe i di detajet që do t'ju shkaktonin dhimbje koke. Çfarë do të bëhet me pronat e 20 mijë banorëve, me pronat e njerëzve që janë në diasporë? Plazhi i Madh tashmë është valorizuar, i gjithë Mali i Zi bën plazh atje, tha Nimanbegu. Drejtoresha e MANS-it Vanja Qalloviq tha se historia e kësaj marrëveshje është një shembull ekstrem i asaj që ndodh kur nuk keni një diskutim publik. Sipas informacioneve të mia, kjo marrëveshje është miratuar në një seancë telefonike që ka zgjatur 33 minuta. Kaq kohë kanë pasur anëtarët e Qeverisë për t'u njohur me marrëveshjen, e cila është baza e projektit më të madh, siç thotë kryeministri, në histori. Cili ekspert apo jurist ka mundur të njihet me këtë marrëveshje për 33 minuta, tha Qalloviq. Ajo tha se askush nuk është kundër investitorëve, por askush nuk është për ndërtimin e Budvës së re.

Lëvizja qytetare URA sot do të paraqesë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Shtetit kundër kryetarit të Qeverisë së Malit të Zi Milojko Spajiq

Lëvizja qytetare URA sot do të paraqesë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Shtetit kundër kryetarit të Qeverisë së Malit të Zi Milojko Spajiq dhe OJQ-ve tjera për nënshkrimin e një dokumenti që siç kanë bërë të ditur nuk është gjë tjetër veçse Marrëveshja për shitjen e Malit të Zi.Siç tha kryetari i URA-s Dritan Abazoviq, në kallëzim penal specifikisht thuhet se çfarë pezullon kjo marrëveshje, dhe gjëja e parë që pezullohet është Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. "Kjo do të thotë e drejta e shtetit për të konfiskuar pronën nëse ekziston interesi publik dhe këtu nuk është përcaktuar qartë se çfarë është interesi publik. Si mund të jenë interes publik apartamentet në shitje,pastaj,ndërtimi i rrugëve, autostradave, spitaleve, shkollave. Kjo mund të bëhet vetëm në një qeveri kriminale. Kjo mund të thuhet për të gjithë ata që kanë çua dorën në Qeveri për arritjen e kësaj marrveshje dhe për ata që do ta bëjnë të njëjtën gjë sot edhe për ata në këshillin ligjdhënës.Këshilli nuk ka cekur se marrveshja suspendon disa ligje të Malit të Zi e është dashtë ta bëjnë të ditur këtë, tha Abazoviq.

Alabar - Interesi im për Malin e Zi filloi kur isha turist, vizitor

Investitori arab Mohamed Alabar nuk ka ndërmend të investojë 35 miliardë dollarë në projektin e Plazhit të Madh, rezulton nga përgjigja e Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Malit të Zi. Alabar deklaroi se kjo shumë nuk korrespondon me investimin që ata po shqyrtojnë, por ajo mund të reflektojë ndikimin më të gjerë ekonomik të projektit. Interesi im për Malin e Zi filloi kur isha turist, vizitor. Më tërhoqi bregdeti i tij i bukur, kultura e pasur dhe arkitektura e jashtëzakonshme. Besoj se Mali i Zi ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe çdo projekt këtu duhet para së gjithash t'i shërbejë komunitetit - për njerëzit, nga njerëzit. Aktualisht jemi në pritje të udhëzimeve të autoriteteve lokale, komunitetit dhe qeverisë, në mënyrë që të kuptojmë më mirë se cila është dëshira e tyre, i ka thënë Alabar Qendrës për Gazetari Hulumtuese.

Zyrtarët policorë gjatë kontrolleve në disa qytete të veriut kanë konfiskuar armë zjarri dhe municione luftarake

Zyrtarët policorë gjatë kontrolleve në disa qytete të veriut kanë konfiskuar armë zjarri dhe municione luftarake në posedim pa leje, një automjet të blinduar, një motoçikletë dhe drogë dhe kanë arrestuar dy persona, njofton Drejtoria e Policisë. Bëhet me dije se gjatë ditës së djeshme janë kryer kontrolle në 11 lokacione me po aq persona, gjashtë prej të cilëve janë operativisht interesantë dhe të afërt me anëtarë të grupeve të organizuara kriminale. “Gjatë kontrolleve janë konfiskuar armë zjarri dhe municione luftarake në posedim pa leje, një automjet i blinduar, një motoçikletë, një jelek balistik dh marihuanë, thuhet në njoftim.

OJQ dhe Komiteti i Avokatëve të Malit të Zi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut i kërkuan Ministrisë së Kulturës që të lejojë ngritjen e memorialit për viktimat në Kalugjerski Llaz

Organizata joqeveritare (OJQ) Aksioni për të Drejtat e Njeriut (HRA) dhe Komiteti i Avokatëve të Malit të Zi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (CKP) i kërkuan Ministrisë së Kulturës që të lejojë ngritjen e memorialit për viktimat në Kalugjerski Llaz sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të mundësojë përkujtim dinjitoz të civilëve të cilët janë nderuar atje. Këto OJQ kujtuan se nesër bëhen 26 vjet që kur pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) vranë 21 civilë dhe plagosën shtatë të tjerë në zonën e Kalugjerski Laz, afër Rozhajës. Siç thanë ata, viktimat ishin shqiptarë etnikë, të cilët, duke ikur nga konflikti në Kosovë, kërkuan strehim në Mal të Zi gjatë ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. "Askush deri më sot nuk është mbajtur përgjegjës për këtë krim. Organet kompetente nuk kanë konstatuar se është krim lufte, viktimat dhe familjet e tyre nuk janë kompensuar, dhe nuk ka memorial në vendin e vuajtjes", thuhet në komunikatën për media të Aksionit për të Drejtat e Njeriut.

Ministria e Drejtësisë pranoi tre nga katër propozimet për ndryshime në Kodin Penal të propozuar nga Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Ministria e Drejtësisë pranoi tre nga katër propozimet për ndryshime në Kodin Penal të propozuar nga Sindikata e Mediave të Malit të Zi (SMCG), me qëllim të mbrojtjes më të mirë të punonjësve të medias dhe personave të tjerë që punojnë në interes publik, njoftoi organizata sindikale. Propozimet për ndryshime në Kodin Penal u propozuan nga Sindikata e Mediave të Malit të Zi në shkurt, gjatë një seance publike, me ndihmën e avokatit Mirko Boshkoviq. Sindikata e Mediave të Malit të Zi kujtoi se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat u jepnin mbrojtje shtesë punonjësve në media, ka hynë në fuqi në janar të vitit 2022. Më pas, me iniciativën e Sindikatit të Mediave të Malit të Zi, janë futur format e kualifikuara të veprave penale të rrezikimit të sigurisë, vrasjes së rëndë, lëndimit të rëndë trupor dhe detyrimit, kur janë sulmuar personat e angazhuar në punën e informimit publik.

Qeveria ka miratua propozimet për ndryshimin e ligjit për rritje prej 30 për qind të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shtetit

Qeveria ka miratua propozimet për ndryshimin e ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe Gjyqtarët dhe për Prokurorinë e Shtetit, të cilat parashikojnë rritje prej 30 për qind të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shtetit. Qeveria njoftoi se propozimet për këto ligje janë miratuar në seancën telefonike të mbajtur të martën. Në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe Gjyqtarët thuhet se gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave kanë të drejtë në kompensim në shumën prej 30 për qind të pagës bazë. Thuhet se kjo shtesë nuk e përjashton të drejtën për shtesa të tjera në pagën bazë në përputhje me ligjin që rregullon pagat e punonjësve në sektorin publik. Në projektligjin e miratuar për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë e Shtetit thuhet se drejtuesit e prokurorive të shtetit dhe prokurorët e shtetit kanë të drejtë në kompensim në shumën prej 30 për qind të pagës bazë.

Kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit për sulmin në Banjskë

Në seancën e parë për rastin e sulmit në Banjskë - që po mbahet sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës - avokati i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku që mbeti i vrarë nga sulmi, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit. Në fillim të seancës, të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale. Tolliq dhe Spasojeviq kishin refuzuar të deklarohen për fajësinë në seancën përgatitore të 9 tetorit të vitit të kaluar. Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues. Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur ndodhen të lirë në Serbi.

Qytetarët dhe studentët kanë vazhdua të bllokojnë ndërtesën e Radios dhe Televizionit të Serbisë

Qytetarët dhe studentët kanë vazhdua të bllokojnë ndërtesën e Radios dhe Televizionit të Serbisë (RST) në Beograd dhe shërbimi publik medial ndryshoi orarin e programit për shkak të kushteve të vështira të punës. Siç raporton N1, programi i mëngjesit nuk është transmetuar në RTS dhe pas lajmeve që janë transmetuar në orën tetë është shfaqur një film. RTS njoftoi në llogarinë e rrjetit X se po rregullon orarin e programit. Mbrëmë nuk ka pasur polici, ndërsa studentët dhe qytetarët kanë bërë zhurmë me fishkëllima dhe kanë brohoritur parullën e zakonshme të studentëve “Pompë”. Mëngjesin e sotëm disa nga punonjësit e RTS-së kanë tentuar të hyjnë në godinë, por, sipas të mbledhurve në rrjetet sociale, ata “u dorëzuan pas bindjeve dhe duartrokitjeve”. Studentët prej katër ditësh kanë bllokuar Shërbimin Publik në rrugën Takovska dhe në Koshutnjak, duke kërkuar që të shpallet konkursi i ri për anëtarë të Këshillit të Organit Rregullativ për Media Elektronike (REM).Ndërkohë që bllokada e RTS-së vazhdon, studentët çiklistë në Strasburg po përpiqen të tërheqin vëmendjen e institucioneve të Bashkimit Evropian për situatën në Serbi.

Vuçiq thotë se nuk e ka ndryshuar vendimin për ta vizituar Moskën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë dje se nuk e ka ndryshuar vendimin për të udhëtuar në Rusi, për të marrë pjesë në festën ruse të “Ditës së Fitores” në Luftën e Dytë Botërore, më 9 maj në Moskë. Në një fjalim drejtuar publikut, Vuçiq tha se do të jetë në kryeqytetin rus me një njësi të Ushtrisë së Serbisë, e cila do të marrë pjesë në ceremoni. Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit të mos marrin pjesë në paradën e “Ditës së Fitores” të Vladimir Putinit në Moskë muajin e ardhshëm. “E kemi bërë shumë të qartë që nuk duam që asnjë vend kandidat i BE-së të marrë pjesë në këto ngjarje më 9 maj në Moskë”, tha Kallas, duke iu referuar kryesisht gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që shpresojnë t’i bashkohen bllokut. Vuçiq theksoi se “deri në këtë moment” nuk e ka ndryshuar vendimin për udhëtimin e tij, duke shtuar “do të shohim si do të rrjedhin gjërat”. “Nuk e di çfarë lloj sanksionesh mund të vendosen, a do të mund ta përballojë ushtria këtë presion apo jo”, u shpreh ai, duke folur për masat e mundshme ndëshkuese nga Perëndimi për shkak të pjesëmarrjes në paradën në Moskë. Pavarësisht thirrjeve nga Brukseli, Serbia vazhdon të mos pranojë të vendosë sanksione ndaj Rusisë, më shumë se tri vjet pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës.

25 persona u vranë në sulmet ajrore izraelite mbi tendat në të cilat personat e zhvendosur janë vendosur në disa lokacione në Rripin e Gazës

25 persona u vranë në sulmet ajrore izraelite mbi tendat në të cilat personat e zhvendosur janë vendosur në disa lokacione në Rripin e Gazës, njoftoi sot Mbrojtja Civile Palestineze. “Të paktën 16 persona u vranë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe 23 të tjerë u plagosën pas një goditjeje të drejtëpërdrejtë nga dy raketa izraelite në disa tenda ku familjet e zhvendosura po qëndronin në zonën Al-Mawasi të Khan Younis në jug të territorit palestinez”, tha për AFP zëdhënësi i Mbrojtjes Civile Mahmoud Basal. Ai tha se në sulmin e dytë në një tendë për personat e zhvendosur, në Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës, shtatë persona, kryesisht gra dhe fëmijë, u vranë dhe 13 u plagosën, transmeton N1. "Një fëmijë dhe babai i tij u vranë gjithashtu dhe 13 persona u plagosën në një sulm të tretë në një vendbanim tendash, gjithashtu afër zonës Al-Mawasi," tha Basal.

Mianmari liron afër 4.900 persona, përfshirë të burgosur politikë

Kreu i Qeverisë ushtarake të Mianmarit ka amnistuar afër 4.900 të burgosur. Amnistia u lëshua në ditën kur ky shtet shënon Vitin e Ri tradicional, raportoi media shtetërore. Një organizatë e pavarur tha se në mesin e të liruarve janë të pakën 22 të burgosur politikë. Të paktën 19 autobusë me të burgosur u larguan nga burgu Insein në Jangon dhe familjarët dolën te porta e burgut për të pritur të afërmit e tyre mëngjesin e sotëm. Rrjeti i Mianmarit për të Burgosur Politikë, një grup i pavarur vëzhgues që regjistron shkeljet e të drejtave të njeriut në burgjet e Mianmarit, tha përmes një deklarate se sipas informatave fillestare, të paktën 22 të burgosur politikë janë liruar. Gjenerali Min Aung Hlaing, kreu i Këshillit Ushtarak që udhëheq me shtetin, fali 4.893 të burgosur, raportoi MRTV. Trembëdhjetë të huaj po ashtu u liruan dhe u dëbuan nga Mianmari, raportoi media shtetërore.

Nesër mot i kthjellët

Sot në Mal të Zi ka mbajte mot kryesisht i vranët dhe me reshje të dobëta të shiut. Frynë erë e mesme deri e fortë nga drejtimi i jugut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: B.Pole 25 gradë, Ulqin, Budvë, Beranë e Andrievicë 24, Podgoricë, Tivar, Plevle e Shavnik 23, H.Novi, Kollashin e Rozhajë 22,Petnicë 21, Cetinë e Nikshiq 20, Plluzhinë e Guci 19 dhe në Zhablak 16 gc.
Për nesër pritet ndalim të të reshurave dhe kthjellim gradual të motit. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë e cila do të dobësohet gjatë ditës. Temperatura e mëngjesit do të sillet prej 5 deri në 15 kurse më e larta e ditës prej 10 deri në 21 gc.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се