- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
28. 05. 2025.
00:00 >> 19:48
Ditari 28.05.2025
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Një vajzë e re e humbi jetën sot në Budvë gjatë lundrimit me parashutë
Një vajzë e re e humbi jetën sot në Budvë gjatë lundrimit me parashutë, konfirmoi policia për Portalin e Radiotelevizionit të Malit të Zi. Policia bëri me dije se, për momentin, nuk kanë më shumë detaje rreth këtij aksidenti. Një hetim është duke u zhvilluar. Lundrimi me parashutë është një aktivitet rekreativ në të cilin një person vesh një parashutë dhe tërhiqet nga një varkë, zakonisht mbi det ose liqen. Kur varka përshpejton, personi ngrihet në ajër dhe fluturon mbi ujë, i lidhur me një kabllo që është e lidhur në varkë.
Spajiq -Vizat midis Malit të Zi dhe Japonisë do të hiqen nga vjeshta
Vizat midis Malit të Zi dhe Japonisë do të hiqen nga vjeshta, u ra dakord në takimin midis Kryeministrit Millojko Spajiq dhe Kryeministrit të Japonisë Shigeru Ishiba në Tokio. Spajiq ndodhet në një vizitë pune në Japoni, ku sot u prit në Tokio me nderimet më të larta shtetërore dhe u takua me homologun e tij japonez, me të cilin diskutua bashkëpunimi midis dy vendeve. Në takim u diskutua forcimi i bashkëpunimit ekonomik, me ç’rast Spajiq e informoi Ishiban me potencialin në fushat e energjetikës, energjisë së gjelbër, infrastrukturës, turizmit, ekologjisë dhe teknologjive të larta. Në këtë kontekst, siç vlerësohet, ekziston një potencial i madh për bashkëpunim me Japoninë, gjë që e "konfirmon interesimi i madh për Malin e Zi" gjatë Ekspozitës Botërore EXPO 2025, në Osaka. Një nga temat e takimit ishte hapja e ambasadës malazeze në Tokio.
Andria Mandiq është takuar sot me Ambasadorin e Izraelit Avivita Bar-Ilan
Kryetari i Kuvendit Andria Mandiq është takuar sot me Ambasadorin e Izraelit Avivita Bar-Ilan. Në këtë takim u theksua se ka shumë hapësirë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, me shpresën se në të ardhmen do të hapen misione diplomatike dhe konsullore në të dy vendet. U diskutua edhe rëndësia e kultivimit të një kulture të kujtesës. Në këtë kontekst, ata kujtuan se Parlamenti i Malit të Zi shënoi 22 prillin për herë të parë këtë vit - Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në kampet Jasenovac, Maut’hausen dhe Dahau.
Vanja Qalloviq Markoviq - Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe është një biznes i rrezikshëm
Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian e shohin se çfarë po ngjan në Mal të Zi dhe e dinë se Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe është një biznes i rrezikshëm për vendin, tha në Komisionin Kundër Korrupsionit drejtoresha e MANS-it, Vanja Qalloviq Markoviq. Ajo shprehu pakënaqësinë që përfaqësuesit e shumicës parlamentare nuk erdhën për të diskutuar mbi këtë, siç theksoi, çështje aktuale më të rëndësishme. Në rendin e ditës të këtij organi parlamentar është shqyrtimi i aspekteve kundër korrupsionit të Ligjit për Konfirmimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim në Fushën e Turizmit dhe Zhvillimit të Pasurive të Paluajtshme midis Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe. Deputetët po votojnë, siç tha Qalloviq, "macen në thes". Askush nuk ka thënë se po votojnë sepse është një punë e mirë për shtetin, por se bëhet fjalë për kalkulime politike. Kur erdhën në pushtet, thanë se po luftojnë kundër korrupsionit, por tani janë të pangopshëm dhe për këtë arsye nuk janë prezent, gjë që tregon se postet i kanë më të rëndësishme. Një dokument dhe marrëveshje kaq e rëndësishme është në agjendë dhe nuk ka gatishmëri për ta rregulluar, theksoi Qalloviq- Markoviq.
E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor është e padiskutueshme
E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor është e padiskutueshme, u vlerësua në bisedën mes Zëvendëskryeministrit për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq dhe ministree pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Tatjana Matsura. Ivanoviq, siç u njoftua nga kabineti i tij, zhvilloi takime dypalëshe me përfaqësues të lartë të Armenisë, Palestinës dhe Serbisë, në kuadër të konferencës ndërkombëtare Dialogu i Jerevanit 2025. "Gjatë takimit me Matsurën, u konfirmua gatishmëria për të forcuar bashkëpunimin dypalësh, me vlerësimin e përbashkët se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor është e padiskutueshme", thuhet në deklaratë. Thuhet se bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë e të dy qeverive për të punuar së bashku për të forcuar lidhjet midis Malit të Zi dhe Serbisë, për të mirën e të gjithë qytetarëve të të dy vendeve. "Gjatë bisedës me Ministrin e Punëve të Jashtme të Armenisë, Ararat Mirzoyan, u konfirmua angazhimi për të forcuar më tej dialogun politik dhe bashkëpunimin midis dy vendeve, përmes projekteve konkrete në arsim, kulturë, ekonomi dhe turizëm", thuhet në deklaratë.
Nik Gjeloshaj nuk është e vërtetë që ai është dënuar dhe se nuk ka vendim përfundimtar
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj tha se nuk është e vërtetë që ai është dënuar dhe se nuk ka vendim përfundimtar për asnjë proces kundër tij. Në vendimin e Gjykatës Themelore në Podgoricë, u arrit përfundimi se Gjeloshaj disa herë ka akuzuar gazetarin Danillo Ajkoviq se punonte sipas urdhrave dhe se merrte para për kontribute të rreme. Në përgjigje, Gjeloshaj deklaroi se me vendoshmëri don të mohojë informacionet e pavërtetë të publikuara në media se ai është dënuar."U bëj thirrje të gjitha mediave, të cilat kanë publikuar informacione të rreme, të veprojnë profesionalisht dhe në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën dhe të korrigjojnë gënjeshtrat e publikuara", tha Gjeloshaj. Ai tha se dihet saktësisht se çfarë do të thotë kur dikush dënohet, në këtë rast "pa presione që kësaj here ushtrohet mbi gjykatën."Nuk ekziston asnjë vendim përfundimtar për ndonjë proces kundër meje. Nëse ata heshtin dhe nuk veprojnë në mënyrë profesionale dhe sipas ligjit, unë do të ngre padi kundër të gjithëve", thuhet në përgjigjen e Gjeloshaj.
J.Erakoviq -Lëvizja Evropa Tani nuk do të marrë pjesë në performancën manipuluese politike të PDS
Lëvizja Evropa Tani nuk do të marrë pjesë në performancën manipuluese politike të Partisë Demokratike të Socialistëve në Komisionin Kundër Korrupsionit, i cili kryesohet nga Jevto Erakoviq, u njoftua nga klubi i deputetëve të kësaj lëvizjeje. Në deklaratën e këtij subjektit politik thuhet se nuk do t'i japin legjitimitet diskreditimit të projekteve kyçe të investimeve vetëm sepse Partia Demokratike e Socialistëve nuk është në gjendje t'i menaxhojë ato sipas matricës së vjetër, siç pretendojnë ata, në dëm të shtetit dhe në dobi të të fuqishmëve.
Rritja e pagës së gjyqtarëve nuk është një privilegj, por një domosdoshmëri
Rritja e pagës së gjyqtarëve nuk është një privilegj, por një domosdoshmëri që garanton pavarësinë dhe rezistencën e gjyqtarëve ndaj të gjitha llojeve të presionit, tha kryetarja e Gjykatës Supreme, Valentina Pavliçiq, duke deklaruar se efikasiteti i gjyqësorit duhet të shoqërohet me sigurinë financiare të gjyqtarëve. Pas një numri rekord seancash gjyqësore të planifikuara në Gjykatën e Lartë në Podgoricë brenda një dite dhe për shkak të numrit të madh të seancave të planifikuara të paneleve në Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme, ajo tha se rezultate të tilla konfirmojnë angazhimin e fortë të gjyqësorit për një punë më efikase. Pavliçiq paralajmëroi se pa një vlerësim adekuat të punës së gjyqtarëve, nuk mund të ketë sundim të qëndrueshëm të ligjit. Njoftimi i Gjykatës Supreme thotë se sot në Gjykatën e Lartë në Podgoricë janë planifikuar 38 seanca në çështjet penale, duke përfshirë ato në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që përfaqëson një numër rekord seancash gjyqësore brenda një dite.“Duke pasur parasysh se një orar jashtëzakonisht intensiv gjyqesh është planifikuar në ditët në vijim, si në këtë gjykatë ashtu edhe në gjykata të tjera, është e qartë se gjyqtarët po bëjnë përpjekje maksimale për të siguruar të drejtën e qytetarëve për një gjykim brenda një kohe të arsyeshme”, thuhet në deklaratë.
Oda Ekonomike e Malit të Zi bëri thirrje për kujdes në lidhje me qëllimin për të shkurtuar orarin e punës
Oda Ekonomike e Malit të Zi bëri thirrje për kujdes në lidhje me qëllimin për të shkurtuar orarin e punës nga tetë në shtatë orë, duke theksuar se nuk është e sigurt nëse ekonomia jonë është e gatshme dhe e trajnuar për t'u përballur me sfidat në rritje globale dhe të brendshme. Ata besojnë se shkurtimi i orarit të punës do të përfaqësonte një barrë shtesë për ekonominë tashmë të rënduar dhe se kjo masë e mundshme duhet të trajtohet me kujdes të madh, me analiza gjithëpërfshirëse që do t'i paraprijnë asaj.
"Cirku i demokracisë": Kuvendi nuk bëhet as pas përpjekjes së 22-të
Si në njëzet e një përpjeket e mëhershme, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar edhe dje, për të njëzet e dytën herë, ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.Ligjbërësit refuzuan për të katërmbëdhjetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Përfaqësuesit diplomatikë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovë kërkuan formim të shpejtë të institucioneve të reja
Përfaqësuesit diplomatikë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovë kërkuan formim të shpejtë të institucioneve të reja në vend, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav tha se iu duhet një partner në pushtetin ekzekutiv që të flasin për hapat e radhës sesi të afrohet Kosova më pranë Bashkimit Evropian. Ai theksoi se për të ecur përpara iu duhet një bashkëpunim i mirë dhe ngushtë me autoritetet e Kosovës, derisa ritheksoi se masat ndaj Kosovës kanë filluar gradualisht të hiqen. Duke porositur nevojën e themelimit të Asociacionit, Orav pati një porosi për Kosovën që të mos shikojë gjithmonë se çfarë bën Serbia, mirëpo të bëjë detyrat e veta. Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili tha se qytetarët në Kosovë janë të frustruar dhe irrituar politikisht me ngërçin politik të krijuar. Ndërkaq, ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, tha se Kosova nuk është e izoluar, përveç nëse e izolon vetveten duke mos i dëgjuar miqtë dhe gjetur arsye dhe shkase për mosrespektim të zotimeve të ndërmarra në procesin e dialogut. Thirrje për formim të institucioneve të reja në Kosovë bëri edhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karim Boven.
Rohde -rreziqet nga Asociacioni i Komunave me shumicë serbe që të jetë një Republikë Serbe janë minimale
Në konferencën e organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, foli edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, sipas të cilit, rreziqet nga Asociacioni i Komunave me shumicë serbe që të jetë një Republikë Serbe, janë minimale. Ai tha se sikurse Asociacioni, ashtu edhe çështja e pronës së Manastirit të Deçanit janë nënkuptuar si kompromise që Kosova duhet t’i bëjë në raport me Serbinë. Megjithatë, Rohde deklaroi se kjo nuk qëndron. Sipas tij, këto janë detyra shtëpie për Kosovën që është dashur të bëhen e nuk janë kryer, duke shtuar se Kosova duhet ta përmirësojë besimin dhe pastaj të ecë përpara.
Trump thotë se Putini “po luan me zjarrin” pas sulmeve vdekjeprurëse në Ukrainë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar ashpër sërish udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin, pasi Rusia e përmbylli një fushatë bombardimesh triditore më 26 maj me sulmin më të madh ajror të luftës mbi trivjeçare.Trump tha se deri tani e ka “mbrojtur” Rusinë nga masa të dhimbshme të pazbuluara, por la të kuptohej se po humb durimin pasi Putini po vazhdon t’i shpërfillë thirrjet e tij për armëpushim.“Ajo që Vladimir Putini nuk e kupton është se, po të mos isha unë, shumë gjëra të këqija do t’i kishin ndodhur tashmë Rusisë – dhe e kam fjalën për GJËRA VËRTET TË KËQIJA. Ai po luan me zjarrin!” – tha Trump më 27 maj në Truth Social.Zyrtari rus i sigurisë, Dmitry Medvedev, iu përgjigj kritikave të Trump duke aluduar në Luftën e Tretë Botërore.“Sa i përket fjalëve të Trumpit se Putini ‘po luan me zjarrin’ dhe për ‘gjëra vërtet të këqija’ që mund t’i ndodhin Rusisë – unë e njoh vetëm një GJË VËRTET TË KEQE: Lufta e Tretë Botërore. Shpresoj që Trump ta kuptojë këtë!” shkroi Medvedev në X
Rusia e akuzon Ukrainën për pengim të bisedimeve për paqe
Rusia ka deklarua se sulmet ajrore të kryera ditëve të fundit ndaj Ukrainës ishin “përgjigje” ndaj përshkallëzimit të sulmeve ukrainase me dronë ndaj civilëve rusë, duke e akuzuar Kievin se po tenton të “pengojë” përpjekjet për paqe. Moska ka kryer qindra sulme me dronë në Ukrainë nga mbrëmja e së premtes deri mëngjesin e së hënës, duke vrarë dhjetëra persona. Presidenti amerikan, Donald Trump, që po tenton të ndërmjetësojë përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës, të nisur tre vjet më parë, ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, “është çmendur” dhe e ka kërcënuar Rusinë me sanksione për shkak të sulmeve.
Zelensky thotë se Rusia i ka mbledhur mbi 50.000 trupa për një ofensivë në verilindje të Ukrainës
Rusia i ka grumbulluar më shumë se 50.000 trupa - përfshirë disa nga forcat e saj të stërvitura më së miri - pranë rajonit verilindor të Sumit në Ukrainë, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Megjithatë, Zelensky theksoi se Kievi ka ndërmarrë masa për ta parandaluar ushtrinë ruse të kryejë një ofensivë të madhe me këta trupa. Grumbullimi i trupave ndodh në një kohë kur Rusia duket se po përgatitet për një ofensivë verore në Ukrainë, pavarësisht se Kievi pret nga ajo ta paraqesë një memorandum me kushtet e saj për t’i vazhduar bisedimet për armëpushim. Sumi shtrihet përgjatë rajonit rus të Kurskut, ku Ukraina më parë kishte pushtuar dhe mbajtur një pjesë të territorit rus për disa muaj, para se të tërhiqej pothuajse tërësisht muajin e kaluar, edhe pse Kievi thotë se ende mban disa zona të vogla atje. "Forcat e tyre më të mëdha, më të forta ndodhen tani në frontin e Kurskut", tha Zelensky për gazetar.
Lavrov,kërkesat e Kremlinit për një status jo-bërthamor dhe neutral për Ukrainën duhet të përmbushen në çdo formë të zgjidhjes së konfliktit
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se kërkesat e Kremlinit për një status jo-bërthamor dhe neutral për Ukrainën duhet të përmbushen në çdo formë të zgjidhjes së konfliktit. “Ishte shpallja e një statusi neutral, të paangazhuar dhe jo-bërthamor përgjithmonë që ia bëri të mundur Rusisë dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare të njihnin Ukrainën si shtet të pavarur”, tha ai. Rusia ka thënë më parë se Ukraina duhet të jetë “neutrale” në mënyrë që një marrëveshje të ecë përpara. Por disa ekspertë kanë paralajmëruar se neutraliteti i imponuar do ta linte Ukrainën të ekspozuar ndaj një kërcënimi të vazhdueshëm nga Rusia. Që nga fillimi i luftës, Volodimir Zelenski ka kërkuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Shefja e KE-së dënon sulmet “e neveritshme” izraelite në Gazë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar valën “e neveritshme” të sulmeve vdekjeprurëse të Izraelit ndaj objekteve civile në Gazë, përfshirë edhe një shkollë. Këto deklarata ajo i ka bërë gjatë një bisede telefonike të zhvilluar me Mbretin Abdullah të Jordanisë. Ekipet e shpëtimit kanë thënë se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 52 persona në Rripin e Gazës, 33 në një shkollë të shndërruar në strehimore. Sulmet izraelite janë pjesë e rinisjes së ofensivës së tyre, që synon shkatërrimin e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ofensivë që ka nxitur dënim ndërkombëtar. “Zgjerimi i operacioneve ushtarake të Izraelit në Gazë, duke shënjestruar infrastrukturën civile, në mesin e tyre edhe një shkollë që shërbente për strehimin e familjeve të zhvendosura palestineze, vrasja e civilëve, përfshirë fëmijëve, është e neveritshme”, tha von der Leyen, sipas njoftimit të lëshuar nga Bashkimi Evropian lidhur me bisedën e zhvilluar me udhëheqësin jordanez. “Komisioni Evropian gjithmonë ka mbështetur – dhe do të vazhdojë ta mbështesë – të drejtën e Izraelit për siguri dhe vetëmbrojtje”, tha ajo.
Papa Leoni XIV bëri thirrje sot për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës
Papa Leoni XIV bëri thirrje sot për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, si dhe për lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe respektimin e plotë të ligjit humanitar. Nga Rripi i Gazës dëgjojmë gjithnjë e më shumë britmat e nënave dhe baballarëve që mbajnë trupat e pajetë të fëmijëve të tyre dhe që detyrohen vazhdimisht të lëvizin në kërkim të pak ushqimi dhe ujit dhe një strehimi më të sigurt nga bombardimet, tha Papa. Gjatë pritjes së besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, ai bëri thirrje edhe për paqe në Ukrainë, duke thënë se shpesh mendon për “popullin ukrainas, të prekur nga sulme të reja serioze ndaj civilëve dhe infrastrukturës”.
Për nesër pritet mot me vranësira mesatare deri në plotësisht i vranët
Sot mban mot me vranësira të pakta deri mesatare, ndërsa në veri vende-vende deri kryesisht i vranët. Fryn erë kryesisht e dobët deri mesatare nga veriu. Temperaturat në orën 14: Podgoricë e Herceg Novi 27, Budvë 26, Tivar, Ulqin, Cetinë, Nikshiq e Beran 23, Bjello Pole 21, Plevle e Shavnik 20, Kollash, Plluzhinë, Andrievicë e Rozhajë 19, Guci 17 dhe në Zhablak 14 gradë.
Për nesër pritet mot me vranësira mesatare deri në plotësisht i vranët, vende-vende edhe me reshje të përkohshme të shiut. Më shumë reshje priten në veri. Në fund të ditës në rajonet jugore, kryesisht i thatë me kthjellim të pjesshëm. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga veriu dhe verilindja. Temperatura e mëngjesit nga 5 deri në 17, kurse më e lartë ditore nga 10 deri në 23 gradë.
Коментари0
Остави коментар