- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
14. 07. 2025.
00:00 >> 18:30
Ditari 14.07.2025
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Mali i Zi feston Ditën e Shtetësisë, në kujtim të 13 korrikut 1878, kur u njoh si shtet i pavarur në Kongresin e Berlinit
Mali i Zi feston Ditën e Shtetësisë, në kujtim të 13 korrikut 1878, kur u njoh si shtet i pavarur në Kongresin e Berlinit, dhe të njëjtës datë në vitin 1941, kur populli malazez filloi kryengritjen e tij kundër fashizmit. Presidenti i vendit, Jakov Millatoviq me këtë rast ka vendosë kurorë në monumentin e luftëtarit partizan në Goricë me rastin e 13 korrikut, Ditës së Shtetësisë. Kryeministri Millojko Spajiq ka urua qytetarët e Malit të Zi për Ditën e Shtetësisë dhe Ditën e Kryengritjes, duke thënë se vlerat universale të 13 korrikut duhet të çmohen dhe respektohën. Derisa Damir Shehoviq kryetari i Social Demokratëve ka theksua se antifashizmi nuk është çështje ceremonie, por identiteti, duke shtuar se nuk mund të qëndrosh pranë përmendores së partizanit dhe të jesh në pushtet me ata që festojnë çetnikët. Përkujtojmë se një pjesë e qytetarëve të mbledhur para monumentit të luftëtarit partizan në Goricë kanë pengua kryetarin e bashkisë së Podgoricës, Sasha Mujoviq, të mbante fjalimin në kuadër të festimit të Ditës së Shtetësisë, që u organizua nga Unioni i Shoqatave të Luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Shehoviq tha se antifashizmi nuk është simbol, por detyrim, dhe nuk është vetëm një kujtim, por një luftë aktive kundër atyre që do të justifikonin krimet dhe poshtërojnë të vërtetën.
Klubi i këshilltarëve të lëvizjes Evropa Tani i dënon për së forti fishkëllimat e padenja dhe të papranueshme drejtuar kryetarit të bashkisë së Podgoricës, Sasha Mujoviq
Klubi i këshilltarëve të lëvizjes Evropa Tani i dënon për së forti fishkëllimat e padenja dhe të papranueshme drejtuar kryetarit të bashkisë së Podgoricës, Sasha Mujoviq, gjatë ceremonisë tek monumenti i Luftëtarit Partizan - vend ky që simbolizon lirinë, rezistencën ndaj fashizmit dhe vlerat themelore qytetëruese të shoqërisë sonë. "Slogane të tilla përfaqësojnë një shtrembërim brutal të fakteve historike, abuzim me trashëgiminë antifashiste dhe një përpjekje për ta poshtëruar atë. Një shpërthim i tillë, pa asnjë respekt për vendin, funksionin dhe njeriun e zgjedhur nga vullneti demokratik i qytetarëve, përfaqëson një përpjekje për të diskredituar politikisht dhe për ta banalizuar hapësirën publike. Kryetari i bashkisë Mujoviq, si të gjithë ne në Lëvizjen Evropa Tani, mban përgjegjësi ndaj të gjithë qytetarëve të Podgoricës, pavarësisht nga përkatësia politike, dhe nuk do të heqë dorë nga ajo rrugë pavarësisht zhurmës dhe fyerjeve të atyre që shkatërrimi është mesazhi i vetëm politik", thuhet në kumtesë. Ata shtojnë se përpjekjet për destabilizim me anë të sinjalizuesve dhe manipulimeve agresive nuk do të ndalojnë reformat, projektet dhe zhvillimin që po ndodhin në kryeqytet. "Fishkëllimat nuk do të jenë në gjendje të anulojnë rezultatet, sepse ata që fishkëllejnë sot në vend që të japin nderimin atyre që ranë për liri - nëser, nëse do të munden do të fishkëllenin edhe vetë lirisë. Heshtja ndaj fenomeneve të tilla është bashkëfajësi në poshtërimin e Kryeqytetit dhe vlerave që duhet të na bashkojnë. Podgorica meriton një dialog politik dinjitoz, jo egërsi. Podgorica pra Meriton Vizion dhe zhvillim dhe jo regresion", thuhet nga Lëvizja Evropa Tani.
M. Dukaj - Mali i Zi ka nevojë për një sistem zgjedhor që afirmon barazinë gjinore dhe prezanton demokracinë
Mali i Zi ka nevojë për një sistem zgjedhor që afirmon barazinë gjinore dhe prezanton demokracinë, tha Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.
Ai tha se në prill, Ministria e Administratës Publike i ka propozua Kuvendit një kuotë ligjore – që të paktën 40 për qind të grave të jenë në listat zgjedhore lokale, me vendimin që kryetari i bashkisë dhe zëvendësi i tij duhet të jenë të gjinive të ndryshme. "Përveç kësaj, reforma gjithëpërfshirëse e legjislacionit zgjedhor në nivel lokal përfshin: zgjedhje në një ditë, zgjedhje të drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë dhe zëvendësit të tij, lista gjysmë të hapura, reformë të komisioneve zgjedhore komunale", shtoi Dukaj. Ai, siç u tha nga Ministria e Drejtësisë, theksoi se është i kënaqur që idetë e Ministrisë po marrin mbështetje më të gjerë, veçanërisht nga partnerët nga Bashkimi Evropian të cilët, siç potencova, i shohin këto zgjidhje si thelbësore për forcimin e demokracisë dhe vazhdimin e rrugës së Malit të Zi drejt Unionit Evropian."Reformat që propozojmë janë thelbësore, jo simbolike dhe deklarative. Mali i Zi ka nevojë për një sistem zgjedhor që afirmon barazinë gjinore dhe prezanton demokracinë, duke forcuar njëkohësisht institucionet demokratike", tha pos tjerash Dukaj.
M. Vukçeviq - Një gjyqësor i fortë nuk i korrespondon asnjë qeverie
Një gjyqësor i fortë nuk i korrespondon asnjë qeverie, tha Milosh Vukçeviq, avokat dhe profesor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Mesdhetar, duke deklaruar se është e paimagjinueshme që Pallati i Drejtësisë të mos jetë ndërtuar ende në Mal të Zi. Në një intervistë me agjencinë MINA, Vukçeviq tha se ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë nuk do të përfaqësonte një shpenzim të madh financiar dhe shtoi se ai beson se ende nuk ka vullnet politik për të."Duket se një gjyqësor i fortë nuk u përshtatet pushtetmbajtësve, sepse nëse do t'u përshtatej atyre, ata do ta kishin ndërtuar Pallatin e Drejtësisë deri tani", deklaroi Vukçeviq. Pavarësia e gjyqësorit, siç theksoi ai, nuk mund të flitet pa kapacitete më të mira njerëzore, kushte materiale dhe kujdes financiar të gjyqtarëve, pagat e të cilëve janë të ulëta dhe të njëjta me dhjetë vjet më parë. I pyetur se cili është perceptimi i publikut për pavarësinë e gjyqësorit, ai vlerësoi se opinjoni nuk është i kënaqur dhe nuk ka një shkallë të lartë besimi në gjyqësor.
Zyrtarët e policisë kanë arrestua nëntë persona për keqpërdorim të narkotikëve
Zyrtarët e policisë kanë arrestua nëntë persona për keqpërdorim të narkotikëve, tre prej të cilëve janë shtetas të huaj, tha Administrata e Policisë. Thuhet se oficerët e departamentit të sigurisë të Budvës, Tivarit dhe Ulqinit, në bashkëpunim me Njësinë Speciale të Policisë, dje kanë kontrollua mbi 460 persona, nga të cilët 15 ishin të interesant në aspektin operativ, ndërsa nëntë u arrestuan. Mbrëmë, policia në Ulqin, në zonën e grykëderdhjes së lumit Buna, kreu një aksion që synon shkatërrimin e përdorimit të drogës, dhe me këtë rast arrestoi pesë persona për abuzim me narkotikë. Thuhet se u kontrollua D.Đ. (41) nga Podgorica, tek i cili u gjetën rreth 14 gramë marihuanë, nëntë mbështjellës PVC kokainë dhe katër tableta ekstazi."Prokurori i shtetit në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë u informua për ngjarjen, me urdhër të të cilit D.Đ. u arrestua nën dyshimin se kishte kryer veprë penale të prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të drogës", thuhet në deklaratë.
Beçiq, Krapoviq dhe Koloneli Mitar Klikovac, vizituanë Komunën e Beranës
Zëvendëskryeministri Aleksa Beçiq, Ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, Kolonel Mitar Klikovac, kanë vizitua Komunën e Beranës, ku u pritën nga Kryetari i Komunës Gjole Lutovac, Zëvendëskryetari Bozho Premoviq dhe Zëvendëskryetarja Milosava Paunoviq. Zëvendëskryeministri dhe Ministrja e Mbrojtjes zgjodhën Beranën dhe monumentin "Liria" në Jasikovac si vendin për homazhin qendror për çlirimtarët malazezë: "Çështja e sigurisë është veçanërisht e rëndësishme për vetëqeverisjen lokale, prandaj ne e vlerësojmë punën aktive të sektorit të sigurisë. Se bashkëpunimi i mirë është çelësi i suksesit konfirmohet edhe nga koordinimi cilësor i Komunës dhe udhëheqjes së Beranës", thuhet në njoftim. Lutovac shtoi se administrata lokale është veçanërisht e interesuar të ofrojë mbështetje për organizatat sindikale në mënyrë që, në bashkëpunim me autoritetet shtetërore, të zgjidhin nevojat shumë të nevojshme për strehim të oficerëve të policisë në Beranë. Me këtë rast Beçiq dhe Krapoviq dhanë mbështetje të fortë dhe shprehën angazhim të plotë për realizimin e projektit të ndërtimit të apartamenteve për oficerët e policisë dhe pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi në Beranë. Projekti është planifikuar të zbatohet nëpërmjet partneritetit të Komunës, sindikatave dhe Qeverisë së Malit të Zi.
Nimanbegu - Në Ulqin këtë sezonë, po shënohet një mbledhje më e mirë e taksës turistike
Në Ulqin këtë sezon, po shënohet një mbledhje më e mirë e taksës turistike, por më pak turistë krahasuar me verën e kaluar, tha njeriu i parë i komunës, Genci Nimambegu, në një paraqitje të ftuar në emisionin Ngjyrat e Mëngjesit në Televizionin Vijesti. "Deri më 11 korrik, kemi një mbledhje më të mirë të taksës turistike prej rreth 10 përqind. Është një shifër prej 280,000 eurosh. Nga ana tjetër, në korrik kemi një rënie të numrit të turistëve prej tetë përqind, ndërsa për vetë muajin korrik, nga e shtuna, veçanërisht dje, kemi turma të mëdha dhe një numër më të madh turistësh, kështu që shifra e së enjtes, e cila flet për pak më pak se 20,000 turistë, sigurisht që është tejkaluar dhe do të thoja se Ulqini tani ka diku 30,000 turistë", tha Nimanbegu. "Deri më tani, kemi lëshuar 38 leje plazhi dhe do të thoja se kemi qenë shumë të shpejtë dhe efikasë në krahasim me komunat e tjera bregdetare, duke pasur parasysh faktin se na është dashur të zgjidhim problemet për të cilat paralajmëruam para fillimit të këtij sezoni turistik, që është vonesa në tenderim. Kemi identifikuar të paktën shtatë zona noti që nuk janë gati. Pra, një nga plazhet më të bukura në Mal të Zi, Valdanos, aktualisht nuk ka qiramarrës", tha Nimanbegu. Ai tha gjithashtu se shpreson që Valdanosi të jetë gati për të mirëpritur turistët nga muaji gusht.
Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 46-të
Kuvendi i Kosovës nuk është konsituuar as dje me 13 korrik dhe kështu deputetët kanë shënuar herën e 46-të që mblidhen, akuzojnë njëri-tjetrin dhe nuk e finalizojnë procesin.Pavarësisht që deputetët e secilës parti insistojë në rëndësinë e formimit të institucioneve të reja, ato prapëseprapë nuk lëkunden nga qëndrimet e kundërta që kanë. Në seancën e 13 korrikut kanë marrë pjesë 82 deputetë. Edhe pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari e ka mbyllur seancën, disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë vazhduar të mbajnë fjalime drejtuar qytetarëve të Kosovës me thirrjet që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – partia që ka fituar më shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit – t’i japë fund kësaj situate. Sipas tyre, LVV-ja po e “saboton qëllimshëm shtetin”. Situata është bllokuar pasi PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese. Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.
Trump premton dërgimin e Patriotëve në Kiev, ndërsa bota pret një njoftim të rëndësishëm prej tij
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të dërgojë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë - me shumë gjasa përmes Bashkimit Evropian - ndërkohë që Kievi, Moska dhe e gjithë bota presin një “deklaratë të rëndësishme” nga ai, në lidhje me luftën. Duke folur për gazetarët në një bazë ushtarake amerikane pranë Uashingtonit, Trump nuk dha detaje për dërgesat e planifikuara të sistemeve Patriot në Kiev. “Ne do t’u dërgojmë atyre sisteme Patriot, të cilat u nevojiten aq shumë, sepse presidenti rus, Vladimir Putin me të vërtetë i habiti shumë njerëz. Ai flet mirë dhe pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje. Nuk më pëlqen”, tha Trump.“Bashkimi Evropian do të paguajë për to. Ne nuk do të paguajmë asgjë, por do t’i dërgojmë”, tha Trump, pa i specifikuar vendet e BE-së që do të përfshihen në transaksionin e tillë. “Ne do t’u dërgojmë pajisje të ndryshme ushtarake, shumë të sofistikuara. Ata do të paguajnë 100 për qind për to. Kështu duam ne”, shtoi ai. Trump e kritikoi hapur Moskën edhe javën e kaluar. “Jam i zhgënjyer nga Rusia, por do të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë dy javëve të ardhshme”, tha ai për NBC News.
Qëndrimi i Kinës ndaj Ukrainës alarmon BE-në
Publikisht, Pekini e paraqet veten si palë neutrale në luftën e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Në njërën anë, thotë se respekton integritetin territorial të Ukrainës, e, në anën tjetër, thekson nevojën për të adresuar shqetësimet e Rusisë për sigurinë. Por, prapa skenave, kjo mund të jetë duke ndryshuar. Sipas disa zyrtarëve të Bashkimit Evropian që folën për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, i tha javën e kaluar shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, se Pekini nuk do të mund ta pranonte humbjen e Rusisë në luftë, pasi një gjë e tillë do t’i linte Uashingtonit hapësirë të përqendrohej te Kina. Ky pranim i pazakontë, që u raportua fillimisht nga South China Morning Post, u bë gjatë një takimi katërorësh mes Wangut dhe Kallasit në Bruksel. Ata diskutuan për një sërë çështjesh, përfshirë subvencionet shtetërore për makinat elektrike, Tajvanin, situatën në Lindjen e Mesme dhe, natyrisht, luftën në Ukrainë. Gjatë këtyre bisedimeve, Brukseli e akuzoi Kinën se mban anën e Moskës dhe theksoi se pushtimi i një shteti sovran, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Pekini thuhet se i kundërshtoi akuzat e BE-së se Rusia përdor produktet dhe komponentët kinezë në përpjekjet e saj luftarake. Më pas, ai shprehu shqetësim edhe për dy gjëra: mundësinë që Perëndimi t’u vendosë sanksione institucioneve financiare kineze dhe fitoren e mundshme të Ukrainës në konflikt.
BE-ja - gati t’i vendosë tarifa SHBA-së, nëse s’ka marrëveshje
Bashkimi Evropian ka përgatitur një listë tarifash - në vlerë prej 21 miliardë eurosh - për mallrat amerikane, nëse dy palët nuk arrijnë marrëveshje tregtare, tha ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani. Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi të shtunën se do të vendosë tarifa prej 30% për importet nga Meksika dhe Bashkimi Evropian, nisur nga 1 gushti, pasi negociatat disajavore me partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së dështuan të sjellin marrëveshje. Duke folur për gazetën Il Messaggero, Tajani tha gjithashtu se, për të ndihmuar ekonominë e Eurozonës, Banka Qendrore Evropiane duhet të shqyrtojë një program të ri për ulje të reja të normave të interesit.Bashkimi Evropian ka njoftua dje se do të shtyjë marrjen e masave hakmarrëse kundër SHBA-së deri në fillim të gushtit, me shpresën se do të arrihet një marrëveshje përmes negociatave.
Dhjetëra njerëz të vrarë në përleshjet sektare në Siri
Së paku 30 njerëz u vranë në përleshjet në jug të Sirisë, ndërsa autoritetet dërguan forca për të qetësuar situatën. Dhjetëra persona u plagosën gjithashtu. Dhuna u zhvillua mes fiseve beduine sunite dhe luftëtarëve nga pakica fetare Druze në qytetin Sueida. Ministria e Brendshme e Sirisë tha se së paku 30 persona janë vrarë, ndërsa Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut - grup që monitoron luftën - raportoi se numri i të vdekurve është 37. Luftërat midis grupeve të ndryshme minoritare në Siri u përshkallëzuan që nga rënia e regjimit të presidentit Bashar al-Assad, në dhjetor. Për vendosjen e rregullit brenda vendit tashmë është duke punuar një qeveri islamike. Ministria e Brendshme siriane tha sot herët se forcat e saj do të ndërhyjnë drejtpërdrejt për të zgjidhur konfliktin dhe për të ndaluar përleshjet në Sueida. Guvernatori i këtij qyteti, Mustapha al-Bakur, u bëri thirrje zgjedhësve të tij që “të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe t’u përgjigjen thirrjeve kombëtare për reforma”.
Për nesër pritet mot me vranësira kalimtare
Për nesër pritet mot me vranësira të pakta deri mesatare. Nga mesi i ditës, në zonat kontinentale dhe veriore janë të mundshme reshje kalimtare të shiut dhe bubullimë. Do të fryjë erë mesatare deri e forte nga drejtimet e veriut. Temperature e mëngjesit do të sillet nga 12 deri në 23 kurse më e larta e ditës nga 22 deri në 37 gc.
Коментари0
Остави коментар