Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

21. 07. 2025. 00:00 >> 17:25

Ditari 21.07.2025

Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj

SEANCË DËGJIMORE ME USHTRUESIN E DETYRËS SË DREJTORIT TË POLICISË, LLAZAR SHQEPANOVIQ

Në Këshillin për Siguri dhe Mbrojtje, sot u mbajt seancë dëgjimore me ushtruesin e detyrës së drejtorit të policisë, Llazar Shqepanoviq, lidhur me veprimet e organeve kompetente në rastin e akuzimit të pjesëtarit të sigurimit të kryetarit të parlamentit Andria Mandiq, Danillo Mandiq.


Shepanoviq tha se Drejtoria e policisë “ka ndërmarr me kohë të gjitha veprimet brenda juridiksionit të saj”, duke siguruar prova dhe të dhëna që tregojnë se Mandiq është i dyshuari i asaj ngjarjeje.
Në seancën e sotme ka qenë i ftuar gjithashtu edhe kryeprokirori i shtetit, Millorad Markoviq, i cili informoi kuvendin më 8 korrik se nuk do të mund të marrë pjesë.
Deputeti Socialdemokrat, Nikolla Zirojeviq , tha se vendimi i tij është” skandaloz”, sepse kuvendi e ka zgjedhur atë.

 

MIKIQ: TË CAKTOHET NJË SEANCË E KËSHILLIT TË SIGURISË SA MË SHPEJT TË JETË E MUNDUR

Deputeti i Lëvizjes Qytetare URA, Zoran Mikiq, i ka dërguar kërkesë kryetarit të Këshillit për siguri dhe mbrojtje të Kuvendit të Malit të Zi, Miodrag Llakoviq, që ta thërrasë sa më shpejt mbledhjen e këtij Këshilli për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në vend. Në kërkesë thuhet se dy vrasje në Podgoricë gjatë ditëve të fundit, si dhe sulmi fizik ndaj kryetarit të komunës së Budvës, Nikolla Jovanoviq, me të drejtë kanë shkaktuar frikë te qytetarët.
“Kur të gjitha këto i shtohen deklaratës së kreut të Administratës së Policisë, Llazar Shepanoviq, se situata e sigurisë po bëhet më e ndërlikuar, atëherë është e qartë se qytetarët nuk mund të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur”, tha Mikiq.
Siç raportohet nga URA, Mikiq theksoi se Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, duhet të ftohet në seancën e Këshillit, si dhe drejtuesit e Administratës së Policisë dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.

 

SEANCËS GJYQËSORE NDAJ TË AKUZUARIT BORETA, ËSHTË VAZHDUAR ME PARAQITJEN E FJALËVE PËRFUNDIMTARE

Seancës gjyqësore në çështjen ndaj të akuzuarit Sasha Boreta, është vazhduar me paraqitjen e fjalëve përfundimtare.
Sot fjalët përfundimtare i kanë paraqitur avokati i përbashkët mbrojtës i të gjithë të akuzuarve dhe të akuzuarit Lubo Vujadinoviq dhe Lubo Bigoviq, është bërë e ditur nga Gjykata e Apelit, ndërsa paraqitja e fjalëve përfundimtare nga i akuzuari Millan Shqekiq është caktuar për nesër.
Fjalët përfundimtare i dhanë Vujadinoviq dhe Bigoviq, ndërsa nesër do t’i paraqesë Shqekiq.

 

PEKOVIQ U DËNUA ME 20 VJET BURG PËR KRIME LUFTE

Sllobodan Pekoviq u dënua me 20 vjet burg për krime lufte kundër popullsisë civile .
Pas shqiptimit të masave të dënimit nga gjyqtarja Nada Rabrenoviq, ai u la në paraburgim. Sipas aktakuzës , më 8 qershor 1992, në një sulm ushtarak në fshatin Hum, i cili i përket komunës së Foçës, Sllobodan Pekoviq vrau Mujo dhe Emina Shabanoviq.

 

ARRESTOHET SENAD MUJEVIQ, ISH-DREJTOR I “UJËSJELLËS KANALIZIME” NË ROZHAJË

Policia e Rozhajës ka arrestuar ish-drejtorin e ndërmarrjes Ujësjellësi dhe Kanalizimi, S.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare. Ai dyshohet se, përmes keqpërdorimit të pozitës së tij, ka përfituar në mënyrë të paligjshme në dëm të buxhetit të ndërmarrjes, shumën prej rreth 160 mijë euro.
Siç thuhet në njoftim, ai gjithashtu ka transferuar në mënyrë të paligjshme mjete nga llogaritë e ndërmarrjes në llogaritë e tij personale në disa banka afariste.

 

NDRYSHIMET NË BUXHET NUK NDIKOJNË NË REZULTATIN E BUXHETIT

Ndryshimet e propozuara në Ligjin e Buxhetit për këtë vit janë të natyrës teknike dhe si të tilla nuk çojnë në ndryshime në rezultatin e buxhetit, njoftoi Ministri i Financave, Novica Vukoviq.
Në seancën e Këshillit Parlamentar për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, ku u diskutua ribalancimi i buxhetit, ai tha se ndryshimet u propozuan me qëllim harmonizimin teknik si rezultat i miratimit dhe zbatimit të Rregullores së re për organizimin dhe mënyrën e funksionimit të administratës shtetërore.
"Sipas projektligjit, të ardhurat në vlerë prej 4.03 miliardë eurosh i ndahen buxhetit aktual 1.5 miliardë euro, fondet 1.3 miliardë euro, buxheti kapital 280 milionë euro, rezerva buxhetore 43 milionë euro dhe transaksionet e financimit 890 milionë euro", specifikoi Vukoviq.
Përfaqësuesi i Klubit të Deputetëve të Lëvizjes Qytetare URA, Millosh Konatar, tha se nuk është problem që Këshilli po shqyrton një ribalancim teknik të buxhetit, por se temat kryesore që deputetët duhet të diskutojnë janë sezoni turistik i këtij viti dhe deficiti i Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore, i cili, sipas tij, është në një maksimum historik.
Anëtari i Klubit të Deputetëve të Lëvizjes Evropa Tani, Tonqi Janoviq, nuk pajtohet me pohimin se situata financiare në Mal të Zi është kaq e keqe.

Përfaqësuesi i Klubit të Deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve), Nikolla Milloviq, beson se strategjia fiskale, e cila u miratua vitin e kaluar, ishte një hyrje në rindërtimin e qeverisë, e cila rezultoi në një program ekonomik jorealist dhe një rritje të numrit të ministrive, pra rritjen e orekseve partiake.

Kryetari i Këshillit dhe deputeti i Social Demokratëve, Boris Mugosha, tha se nuk kemi të bëjmë me ekonominë reale për shumë vite.

 

RAKOÇEVIQ: NË SEANCËN E SOTME PËRCAKTOHEN PROJEKTLIGJET PËR FINANCIMIN E SUBJEKTEVE POLITIKE DHE FUSHATAVE ZGJEDHORE

Këshilli për reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore ka mbajtur mbledhjen e radhës.
Bashkëkryetari i këtij organi parlamentar, Nikolla Rakoceviq, tha se në seancën e sotme përcaktohen projektligjet për financimin e subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore.
Po ashtu Këshilli miratoi e dhe ndryshimet në Ligjin për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputeteve , për të cilat më pas do të ketë një debate të shkurtër publik.

 

DEFICITI I FONDIT PIO KA ARRITUR TASHMË NË 232 MILIONË EURO.

Fondi për sigurimit invalidor dhe pensionist ka realizuar të ardhura totale për gjashtë muaj në shumën prej 394,18 milionë euro, ose 10,27 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por në fund të qershorit ka qenë në deficit prej 232,32 milionë euro. Nga ky Fondi njoftojnë se të ardhurat nga kontributet për gjashtëmujorin e këtij viti kanë qenë 161,85 milionë euro dhe janë rreth 66 për qind më të ulëta krahasuar me të ardhurat nga kontributet e realizuara vitin e kaluar, të cilat kanë qenë 245,23 milionë euro.
Kur bëhet fjalë për vitin 2023, në të njëjtën periudhë, pra për gjashtë muaj, deficiti i Fondit PIO arriti në 43.68 milionë euro.
Fondi, drejtor i të cilit është Vlladimir Drobnjak, deklaroi se fondet për pagesa po lëvizin brenda planit të shpenzimeve të planifikuara për këtë vit.

 

MINISTRIA E FINANCAVE: PAGOI KËSTIN E NËNTË PËR AUTOSTRADËN, SHTETI KURSEU EDHE 620 MIJË EURO

Ministria e Financave ka kryer pagesën e nëntë në bazë të kredisë për seksionin e parë të autostradës Tivar– Bolare ndaj bankës kineze Eksim, me ç’gjë falë marrëveshjes, është arritur kursimi shtesë për buxhetin e shtetit në shumën prej 620 mijë euro, është bërë e ditur nga kjo Ministri.
"Nëse marrëveshja nuk do të kishte qenë në fuqi, sipas kursit të mesëm të këmbimit të Bankës Qendrore, shteti do të duhej të paguante 33.8 milionë euro. Megjithatë, për shkak të zbatimit në kohë të mbrojtjes, pagesa aktuale ishte 33.18 milionë euro", thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Siç shpjeguan ata, kjo do të thotë se edhe në këstin e korrikut, shteti arriti të shmangte efektin negativ të luhatjeve të monedhës.
Nga Ministria e financave përkujtojnë se më herët këtë vit, duke ndjekur zhvillimet në tregjet globale, ka vendosur në mënyrë proaktive të rishikojë kushtet e marrëveshjes për periudhën pas vitit 2025.

 

KORDIQ NË VIZITË ZYRTARE DYDITORE NË SPANJË

Delegacioni i Mistrisë së turizmit, i udhëhequr nga ministrja Simonida Kordiq , ndodhet në një visit zyrtare dyditore në Spanjë. Siç njoftohet, gjatë qëndrimit në Spanjë janë planifikuar takime me përfaqësues të Sekretariatit të Organizatës botërore të turizmit, si dhe me ministrin spanjoll të turizmit dhe industrisë, Zhorde Era.

 

GJOBAT PËR SHKELJE NË KOMUNIKACION MUND TË PAGUHEN PËRMES POS-TERMINALIT

Drejtoria e policisë ka kujtuar qytetarët dhe turistët se gjobat për shkelje në komunikacion mund të paguhen përmes POS-terminalit në vendin e ngjarjes.
Nga policia kanë thënë se të gjitha automjetet e policisë janë të pajisura me terminale që mundësojnë pagesën me të gjitha llojet e kartelave të pagesës të lëshuara nga banka vendase dhe të huaja, përfshirë edhe pagesat pa kontakt.
Turistët dhe qytetarët e Malit të Zi që ishin anketuar, në përgjithësi nuk kanë qenë të informuar për këtë mundësi.


S'KA KONSTITUTIM KUVENDI, PECI THOTË SE KURTI I KA DHËNË OFERTË NISMËS

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritur as për të 50-ën herë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pavarësisht zërave se në fundjavë do të mund të arrihej një marrëveshje për zhbllokim të situatës.
Të pranishëm në seancë kanë qenë 104 deputetë.
Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse ec afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit.
Gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, por ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese këtë javë.
Pas seancës, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk pret ndonjë zgjidhje as në ditët e mbetura.


VJOSA OSMANI PRITI NË TAKIM SHEFIN E ZYRËS SË BE-SË NË KOSOVË, AIVO ORAV

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin ka diskutuar për ngërçin politik në vend.
“Në fokus të takimit ishte çështja e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, hapat e mëtejmë, ndikimi i moskonstituimit në proceset e rëndësishme për vendin, si dhe në raportet me Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Orav diskutuan gjithashtu për një sërë çështjesh që ndërlidhen me raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, ku presidentja ritheksoi rëndësinë e heqjes së plotë të masave të padrejta ende në fuqi, si dhe të trajtimit të aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat.

 

BANGLADESH:SË PAKU16 PERSONA, SHUMICA NXËNËS, U VRANË KUR NJË AEROPLAN TRAJNUES

Të paktën 16 persona, shumica nxënës, u vranë kur një aeroplan trajnues i Forcave Ajrore të Bangladeshit u përplas në një shkollë në kryeqytet, Daka, tha Qeveria.
Më shumë se 100 persona po ashtu janë plagosur gjatë aksidentit dhe të paktën 83 janë dërguar për trajtim në spitale, tha zyra e udhëheqësit të përkohshëm, Muhammad Yunus.
Avioni i llojit F-7 BJI, i prodhimit kinez, nisi fluturimin në orën 13:06, sipas kohës lokale, dhe pak pas ngritjes u përplas në kampusin e shkollës fillore dhe të mesme Milestone.
Yunus shprehu “pikëllim të thellë” për ngjarjen përmes një postimi në X.
“Humbja e shkaktuar nga Forcat Ajrore, e nxënësve, prindërve, mësuesve dhe stafit të shkollës, por edhe të tjerëve që janë prekur nga ky aksident, është e parikuperueshme”, tha ai.
Ky është aksidenti më vdekjeprurës ajror në Bangladesh në vitet e fundit.

 

GAZA: TË PAKTËN 73 PALESTINEZË JANË VRARË

Të paktën 73 palestinezë janë vrarë teksa po tentonin të arrinin në qendrat për shpërndarjen e ndihmave në mbarë Gazën, u kumtua nga Ministria e Shëndetësisë në territorin palestinez. Numri më i madh i viktimave është regjistruar në veri të Gazës, ku të paktën 67 palestinezë u vranë teksa po tentonin të arrin në një qendër të ndihmës përmes kalimit Zikim me Izraelin, tha Ministria e Shëndetësisë në Gazë dhe spitalet lokale.
Më shumë se 150 persona janë plagosur dhe disa prej tyre janë në gjendje kritike, sipas spitaleve.
Ende është e paqartë nëse ata janë vrarë nga ushtria izraelite.
Ndërkohë, Ushtria izraelite ka lëshuar një urdhër për evakuimin e palestinezëve nga pjesa qendrore e Rripit të Gazës, duke paralajmëruar se do të ndërmarrë aksion të menjëhershëm ndaj luftëtarëve të Hamasit.

PUTIN ËSHTË I GATSHËM PËR NJË ZGJIDHJE PËR PAQEN

Presidenti rus, Vladimir Putin, është i gatshëm të lëvizë drejt një zgjidhjeje për paqe me Ukrainën, por objektivi kryesor i Moskës është që të arrijë qëllimet e saj.
Kështu tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për televizionin shtetëror.
Peskov tha se bota tani është mësuar me retorikën ndonjëherë “të ashpër” të presidentit amerikan, Donalld Tramp, por shtoi se Tramp gjithashtu ka nënvizuar se do të vazhdojë të kërkojë një marrëveshje paqeje me Rusinë.
Tramp para disa ditësh doli me një një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, duke premtuar një valë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, përfshirë sistemet e mbrojtjes raketore Patriot.
Ai gjithashtu i dha Rusisë një afat prej 50 ditësh për të pranuar një armëpushim, përndryshe tha se Moska do të përballet me sanksione të reja.

 

STAMBOLL: ZYRTARËT IRANIANË PRITET TË TAKOHEN TË PREMTEN ME HOMOLOGË TË TYRE NGA BRITANIA, FRANCA DHE GJERMANIA

Zyrtarët iranianë pritet të takohen të premten në Stamboll me homologë të tyre nga Britania, Franca dhe Gjermania, për të diskutuar programin bërthamor të Iranit, teksa vendet perëndimore e rrisin presionin ndaj Teheranit për të arritur marrëveshje, pasi në të kundërtën rrezikon të përballet me sanksione.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Ismail Baghei, ka thënë se bisedimet do të mbahen në nivel të zëvendësministrave të Jashtëm.
“Si përgjigje ndaj kërkesave të kombeve evropiane, Irani është pajtuar për të mbajtur rundin e ri të negociatave”, ka thënë Baghei për televizionin shtetëror.
Edhe ministri i Jashtëm Iranian, Abas Aragçi ka konfirmuar se po punohet në mbajtje të takimit.

 

NESËR MOT SHUMË I NXEHTË

Për nesër parashihet të mbajë mot i kthjellët dhe shumë i nxehtë. Pasdite në veri zhvillim gradual i vranësirave. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperatura maksimale e ditës do të jetë prej 28 deri në 38 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се