Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

26. 08. 2025. 00:00 >> 17:12

Ditari 26.08.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Margus Cahkna  - Mali i Zi mund të llogarisë në mbështetjen politike dhe të ekspertëve të Estonisë

Në të gjitha fazat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), Mali i Zi mund të llogarisë në mbështetjen politike dhe të ekspertëve të Estonisë, tha Ministri i Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Cahkna. Cahkna e tha këtë në një takim me Zëvendëspresidentin e Qeverisë së Malit të Zi për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq, i cili u mbajt në Talin. Qeveria malazeze njoftoi se takimi ishte një mundësi për të konfirmuar marrëdhëniet aleate dhe miqësore të dy vendeve, si dhe për të shqyrtuar mënyrat e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit. Cahkna tha se marrëdhëniet politike midis Malit të Zi dhe Estonisë janë në një nivel jashtëzakonisht të lartë, duke shtuar se lidhja direkte ajrore midis dy vendeve kontribuon në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe sociale. Ai theksoi se bashkëpunimi dypalësh po zhvillohet me sukses, veçanërisht në fushën e dixhitalizimit, ku Akademia Estoneze e Menaxhimit Elektronik është tashmë e përfshirë në mënyrë aktive në projekte në Mal të Zi. Cahkna, siç u njoftua, vlerësoi rezultatet e arritura të Malit të Zi në procesin e integrimit evropian dhe vlerësoi se Mali i Zi përfaqëson shembullin më të mirë në rajon kur bëhet fjalë për zbatimin e reformave dhe progresin e arritur. Ai tha se është i bindur se Mali i Zi do të jetë vendi i radhës që do të anëtarësohet në BE.

 

Mariq është më e sigurt se do të bëhemi pjesë e familjes evropiane në vitin 2029

Analisti Boris Mariq ka deklarua se është më e sigurt se do të bëhemi pjesë e familjes evropiane në vitin 2029. Politolog,ja Andreja Popoviq beson se, derisa zgjedhim simbole të së kaluarës që na ndajnë, dhe jo politika që na bashkojnë, po formojmë hapësirë ​​për të dyshuar në pjekurinë dhe gatishmërinë tonë për të qenë një partner i besueshëm. Kjo u vlerësua së fundmi edhe nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Marijan Sharec, me mesazhin se nuk kemi nevojë për retorikë nacionaliste në këtë kohë dhe se ka ende shumë punë përpara nesh. Duke marrë parasysh dinamikën e procesit të negociatave, Mariq gjithashtu deklaron se do të na duhet më shumë kohë për të mbyllur të gjithë kapitujt, gjë që varet nga shumë faktorë. "Sigurisht, më shumë varet nga Mali i Zi dhe aftësia e tij institucionale dhe politike për të zbatuar vërtet reformat aty ku kemi probleme të vazhdueshme. Do të duhet të shohim se si mund të zgjidhet. A do të vazhdojë kështu deri në zgjedhje, kështu që ndoshta pas zgjedhjeve do të formohet një koalicion shumë më i gjerë me qëllim të hyrjes së Malit të Zi në Bashkimin Evropian, duke përshpejtuar krejtë procesin. Kjo gjithashtu varet edhe nga skena e përgjithshme rajonale, evropiane dhe globale dhe me të gjitha  sfidat me të cilat po përballet vetë Bashkimi Evropian", theksoi Mariq.

 

Millatoviq, ka përcaktuar listën e kandidatëve të regjistruar për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka përcaktuar listën e kandidatëve të regjistruar për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, sipas ftesës publike të publikuar nga 1 korriku 2025. Në listë janë: Maja Shqepanoviq, Mira Kontiq, Nikolla Golluboviq, Predrag Krstonijeviq, Sinisha Bjekoviq, Natasha Radonjiq  dhe  Elvis Durakoviq. Siç thuhet në njoftimin për shtyp nga Kabineti i Presidentit, Millatoviq do të formojë një komision të posaçëm, detyra e të cilit do të jetë të përcaktojë nëse aplikimet e kandidatëve janë paraqitur në përputhje me Kushtetutën e Malit të Zi, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Ftesën Publike të publikuar. "Presidenti i Malit të Zi do të zhvillojë një intervistë me të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për ftesën publike, të cilët plotësojnë kushtet për zgjedhjen e gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese dhe, bazuar në provat e përmbushjes së kushteve për zgjedhje dhe rezultatet e intervistës me kandidatët, do të bëjë një propozim të arsyetuar për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese", thuhet në njoftim.

 

Një shtetas serb u dëbua nga Mali i Zi

Administrata policore njoftoi se një shtetas i Republikës së Serbisë, i afërt me një grup të organizuar kriminal nga Mali i Zi, ka hyrë dhe ka qëndruar ilegalisht në vendin tonë pavarësisht ndalimit të hyrjes. Ata thonë se ai është gjetur në Herceg Novi dhe është dëbuar. Ata shtojnë se gjatë kontrollit të disa personave, oficerët e policisë kanë gjetur personin L.M. në një plazh në Herceg Novi. (39), shtetas i Republikës së Serbisë, i cili është sjellë në ambientet zyrtare dhe prej tij është mbledhur një njoftim për të dhënat mbi rrethanat e hyrjes dhe qëndrimit të tij në Mal të Zi, pasi oficerët e policisë kanë përcaktuar përmes kontrolleve se ky person i nënshtrohej një ndalimi aktiv për hyrjen e një të huaji në Mal të Zi dhe se ai ka hyrë ilegalisht në vendin tonë në zonën e komunës së Rozhajes, kështu u muar vendimi që i njëjti të dëbohet nga Mali i Zi.

 

Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë Malazeze nesër do të shpallë konkurs për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve universitare

Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë Malazeze nesër do të shpallë konkurs për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve universitare, për vitin akademik 2025/2026. Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë Malazeze njoftoi se konkursi do të publikohet në gazetat ditore që botohen në Mal të Zi, si dhe në faqen zyrtare të Fakultetit. Siç u deklarua, aplikimet për konkurs dorëzohen të enjten, të premten dhe të hënën personalisht nga ora 10:00 deri në orën 13:00 në ambientet e Fakultetit, ose në formën elektronike, thuhet në njoftim.

 

Raoniq - RTMZ ka përparua dukshëm në çdo aspekt

Në një kohë kur shumica e mediave vrapojnë për klikime, sensacione dhe vëmendje afatshkurtër, roli i Shërbimit Publik të Medias është të ruajë një standard më të lartë. Kjo do të thotë se duhet të jetë zëri i të gjithë qytetarëve dhe se nuk bën dallim midis nevojave të shumicës dhe pakicës. Këtë e deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Publik Boris Raoniq.

Ky është edhe kuptimi i shërbimit publik: që programet e tij të pasqyrojnë diversitetin e shoqërisë, t'u japin hapësirë ​​dhe dukshmëri atyre që përndryshe e kanë të vështirë të arrijnë në ekrane dhe valë, dhe të ofrojnë përmbajtje vlera e së cilës nuk matet nga numri i shikimeve, por nga rëndësia e saj shoqërore. RTMZ, thotë Raoniq, është pikërisht në këtë rrugë, për të treguar se shërbimi publik mund dhe duhet të jetë një shtëpi ku të gjithë njihen. "Kjo është arsyeja pse kemi bërë hapa të mëdhenj në vitet e fundit që na dallojnë në skenën mediatike malazeze dhe rajonale. Gjuha dhe komuniteti shqip - vëllimi i përmbajtjes është rritur ndjeshëm. Përveç ditarit të përditshëm, kemi kanalin radiofonik online në gjuhën shqipe, i cili na lidhi me diasporën dhe brezat e rinj në platformat dixhitale. Shpresojmë për  hapje e shpejtë edhe të studios në Ulqin. Gjuha rome  në RTMZ është një nga mediat e rralla në Mal të Zi që transmeton rregullisht përmbajtje në gjuhën rome. Planet tona janë të forcojmë më tej këtë redaksië. Temat lokale - studiot janë të hapura në Bijelo Polje dhe Nikshiq, dhe së shpejti në Tivat dhe Ulqin. Rrjeti i korrespondentëve është forcuar në të gjithë Malin e Zi dhe janë futur transmetime me tema lokale, sepse edhe historitë lokale meritojnë vëmendje të plotë nacionale dhe mund të them se RTMZ ka përparua dukshëm në çdo aspekt potencoi Raoniq.

 

Dimal Basha është zgjedhur sot kryetar i Kuvendit të Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha, është zgjedhur sot kryetar i Kuvendit të Kosovës. Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Basha i mori 73 vota për, 30 kundër, ndërsa tre deputetë abstenuan. Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe një pjese të pakicave. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lista Serbe votuan kundër. PDK-ja ishte kritikuar që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t'i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II. Basha, tashmë nga posti i kryeparlamentarit, shpalli një pauzë njëorëshe, pas së cilës pritet të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit. Me zgjedhjen e tyre, Kuvendi konsiderohet i konstituuar dhe i hapet rruga formimit të qeverisë. Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit e votuan kryetarin e Kuvendit në përpjekjen e 58-të të tyre. Në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh në krye të organit ligjvënës, Basha foli për përgjegjësinë që ndien, rëndësinë e Kuvendit dhe u bëri thirrje deputetëve për bashkëpunim. “Derisa ndiej nderin dhe mirënjohjen për votën tuaj, ndiej edhe përgjegjësinë e madhe që më është besuar. Kuvendi është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve”, tha Basha. Ai poashtu theksoi se Kosova “është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm.

 

Sveçla njofton për hapjen e urës së re për automjete mbi lumin Ibër

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njofua sot se është hapur njëra prej dy urave që Qeveria në detyrë nisi t’i ndërtojë muaj më parë mbi lumin Ibër, i cili e ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun e banuar me serbë. “Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”, shkroi Sveçla në Facebook, ku e postoi edhe një fotografi të veturave duke kaluar mbi urën e re. Autoritetet kosovare e filluan ndërtimin e dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, me gjithë kundërshtimet nga serbët lokalë dhe reagimet e bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i këtyre urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete – ka për qëllim t'i lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta. Ajo i ndau rreth tre milionë euro për ndërtimin e tyre dhe tha se të dyja do të përfundonin në vjeshtë. Ndërtimi i tyre u kundërshtua edhe nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, e cili ngriti dhe një peticionin kundër saj, i cili i mori mbi 3.500 nënshkrime. Bashkimi Evropian ka thënë se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike dhe politike”, dhe se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira. “Është e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”, është thënë në përgjigje.

 

Vuçiq në takim me Sorensenin: Dialogu me Kosovën të përqendrohet te Asociacioni dhe te të drejtat e serbëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas një takimi në Beograd me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE), Peter Sorensen, se është thelbësore që dialogu me Kosovën të “kthehet tek obligimi” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe te mbrojtja e të drejtave të serbëve. “Politika jonë është politika e paqes, e përkushtuar fuqishëm në kërkimin e zgjidhjeve kompromisi përmes dialogut, por edhe e vendosur dhe e përgjegjshme në mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare”, shkroi Vuçiq në Instagram, pas takimit me Sorensenin. Ai shtoi se “përpjekja për ndalim” të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë tregon se “respektimi i të drejtave themelore dhe lirive të veprimit politik të serbëve është i rrezikuar”. Vuçiq theksoi, gjithashtu, se me Sorensenin zhvilloi një bisedë të hapur, të fokusuar në mundësitë për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe mbi sfidat që lidhen me pozitën e serbëve në Kosovë. Sorensen, pas takimit me Vuçiqin, do të takohet edhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. I dërguari i BE-së për dialogun kishte vizituar Prishtinën më 6 gusht, ku me zyrtarët kosovarë kishte diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. I pyetur nga gazetarët mbi gjendjen aktuale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Sorensen tha shkurt se procesi është “aktiv”. Marrëveshja për të cilën bëhet fjalë u arrit mes dy palëve në vitin 2023. Edhe pse nuk është nënshkruar, BE-ja insiston se marrëveshja është detyruese.

 

Vuçiq përsërit thirrjen ndaj protestuesve për dialog

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka përsëritur thirrjen e tij për dialog me protestuesit, pas nëntë muajve të protestave dhe bllokadave në gjithë vendin. Në një intervistë dhënë Euronews Serbia, Vuçiq ka thënë se Qeveria në Beograd vazhdon të jetë e përkushtuar për dialog, pavarësisht, siç ka thënë ai, refuzimit të protestuesve për t’i pranuar ofertat e tij për debat publik. “Kjo nuk është thirrja ime e parë. U kam ofruar atyre debat të hapur televiziv. Kam qenë i gatshëm të diskutoj publikisht, sepse besoj që biseda dhe dialogu nuk kanë alternativë”, ka thënë mes tjerash Vuçiq. Ai ka shtuar se oferta e tij është valide “derisa ta pranojnë, sepse një ditë do t’iu duhet të flasin me dikënd”. Disa prej studentëve në bllokadë, që i udhëheqin protestat, e kanë refuzuar paraprakisht ftesën e Vuçiqit, duke thënë se do të bisedojnë me presidentin e Serbisë, kur ai t’i shpallë zgjedhjet dhe t’iu plotësohen të gjitha kërkesat.

 

Australia e fajëson Iranin për dy sulme antisemitike, ia dëbon ambasadorin

Australia ka akuzuar sot Iranin për kryerjen e dy sulmeve antisemitike me zjarrvënie në dy qytete të vendit, Sidnei dhe Melburn, si edhe e urdhëroi ambasadorin iranian të largohet nga vendi brenda shtatë ditësh. Ky është dëbimi i parë i këtij lloji që nga Lufta e Dytë Botërore. Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, shtëpitë, shkollat, sinagogat dhe automjetet në Australi janë vënë në shënjestër të vandalizmave dhe zjarrvënieve antisemitike. Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha se Agjencia Australiane për Inteligjencë dhe Siguri ka mbledhur të dhëna të besueshme se Irani kishte drejtuar të paktën dy nga këto sulme. “Këto ishin akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme agresioni, të orkestruara nga një shtet i huaj në tokën australiane”, tha Albanese në një konferencë për shtyp. “Ishin përpjekje për ta minuar kohezionin social dhe për të mbjellë përçarje në komunitetin tonë”, nënvizoi ai. Sipas tij, Irani ishte përpjekur ta “fshihte përfshirjen e vet” në sulmet e vitit të kaluar ndaj një restoranti në Sidnei dhe ndaj Sinagogës Adass Israel në Melburn. Albanese shtoi se agjencia e sigurisë së Australisë vlerëson se është e mundur që Irani të ketë drejtuar edhe sulme të tjera. Australia i ka pezulluar operacionet në Ambasadën e vet në Teheran dhe të gjithë diplomatët e saj janë të sigurt në një vend të tretë, tha kryeministri, duke shtuar se Qeveria e tij do ta shpallë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si organizatë terroriste. Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se ambasadori Ahmad Sadeghi dhe tre zyrtarë iranianë kanë shtatë ditë kohë për t’u larguar.

 

Rubio bisedon për luftën në Ukrainë me homologët evropianë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka zhvillua një bisedë me homologët e tij evropianë në lidhje me përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit. Rubio bisedoi me sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andri Sibiha, ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, dhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit në një deklaratë. Ministri ukrainas Sybiha tha se Ukraina është mirënjohëse ndaj Rubios për përpjekjet e tij dhe ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, për "udhëheqjen e tij drejt arritjes së paqes". Ai shtoi se garancitë e sigurisë për Ukrainën janë thelbësore. "Unë përsërita qëndrimin e Ukrainës se garancitë e sigurisë duhet të jenë konkrete, juridikisht detyruese dhe efektive. Ato duhet të jenë shumëdimensionale, duke përfshirë nivele ushtarake, diplomatike, juridike dhe të tjera", shkroi Sibiha në X. "Të gjithë ndajmë bindjen se ushtria ukrainase është niveli themelor i çdo garancie të tillë, prandaj forcimi maksimal i saj është prioriteti ynë kryesor", shtoi ai. Trump, pas takimeve të ndara me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe më vonë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe me liderët evropianë, i ka kërkuar Rubios të udhëheqë bisedimet për ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën.

 

Pesë gazetarë në mesin e 20 të vrarëve nga sulmet izraelite në Gazë

Agjencia e Gazës për Mbrojtje Civile ka thënë se pesë gazetarë janë në mesin e të paktën 20 personave të vrarë, si pasojë e sulmeve izraelite në një spital në jug të enklavës. Agjencitë Reuters, Associated Press dhe televizioni Al Jazeera kanë konfirmuar se në mesin e të vrarëve janë gazetarë që kanë kontribuuar për këto mediume. Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Bassal, ka thënë se “numri ka shkuar në 20 të vrarë, përfshirë pesë gazetarë dhe një pjesëtar të Mbrojtjes Civile”, pas sulmeve në spitalin Nasser në Han Junis- një kompleks i madh mjekësor në jug qe është shënjestruar disa herë nga Izraeli prej nisjes së luftës. Sipas vëzhguesve të mediave, rreth 200 gazetarë janë vrarë përgjatë dy vjetëve të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera. Ushtria izraelite ka konfirmuar se trupat e saj ushtarake kanë kryer sulme në zonën e spitalit në Han Junis. “Shefi i shtabit të përgjithshëm urdhëroi që të kryhet hetim fillestar sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ushtria përmes një deklarate, duke shtuar se “ndjen keqardhje për dëmet ndaj individëve të papërfshirë" dhe që "nuk i shënjestron gazetarët”. Spitali Nasser është ndër qendrat e vetme shëndetësore në Rripin e Gazës që është të paktën pjesërisht funksional.

 

Trump urdhëron masa ndëshkuese ndaj djegies së flamurit amerikan

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nënshkruar dje një urdhër ekzekutiv duke urdhëruar sistemin gjyqësor që t’i ndëshkojë ata që djegin apo përdhosin flamurin amerikan. “Nëse digjni një flamur, ju do të burgoseni për një vit, pa mundësi për të dalë më herët”, ka thënë Trump teksa e ka nënshkruar urdhrin në Zyrën Ovale. Urdhri udhëzon gjyqtarët që t’i ndëshkojnë njerëzit që shkelin ligjet për përdhosjen e flamurit dhe të ngrejnë padi për të sqaruar fushëveprimin e Amendamentit të Parë lidhur me këtë çështje. Ai, gjithashtu, ka kërkuar që shkelësve t’iu pezullohen vizat, lejet e qëndrimit dhe procedurat e naturalizimit. “Flamuri amerikan është simbol i jetës tonë kombëtare, i cili duhet t’i bashkojë dhe përfaqësojë të gjithë amerikanët”, është thënë në urdhër. “Përdhosja është vepër shumë ofenduese dhe provokative. Është deklaratë përbuzjeje, armiqësie dhe dhune kundër kombit tonë”, është thënë mes tjerash në dokument. Administrata Trump ka thënë se në vendimin e Gjykatës Supreme për Amendamentin e Parë nuk mbrohen veprimet sikurse përdhosja e flamurit amerikan. Mirëpo, Gjykata Supreme ka thënë më 1989 se djegia, apo shkatërrimi i flamurit kombëtar, mbrohet si e drejtë e shprehjes së lirë.

 

Siria thotë se Izraeli e ka marrë kontrollin e një toke afër malit Hermon

Siria ka thënë dje se Izraeli i ka dërguar 60 ushtarë për të marrë kontrollin e një zone brenda kufirit sirian, afër malit Hermon, në një operacion që ia ka shkelur sovranitetin dhe përbën kërcënim të mëtejmë për sigurinë rajonale. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë se trupat kanë kryer aktivitet rutinor në një zonë në jug të Sirisë, mirëpo nuk kanë operuar në Beit Jin, zonë e afërt me kufirin me Libanin dhe afër malit Hermon. Ky incident vjen teksa dy shtetet janë të angazhuara në bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për ulje tensionesh në jug të Sirisë. Damasku shpreson në arritjen e një marrëveshjeje për siguri, e cila më pas mund të hapte rrugën për bisedime më të gjera politike. Ministria siriane ka thënë se incidenti i së hënës ka ndodhur në majën strategjike në drejtim të Beit Jinit. Sipas banorëve të zonës, Izraeli i ka arrestuar edhe gjashtë sirianë atje. Ushtria izraelite ka thënë se nuk ka kryer arrestime në jug të Sirisë, mirëpo e ka ndaluar një person për ta marrë në pyetje, pasi janë identifikuar disa persona në atë zonë që ushtria i ka parë si rrezik. Kjo zonë është e njohur për kontrabandim armësh nga grupi i Libanit, Hezbollah dhe fraksione tjera xhihadiste.

 

Për nesër parashohin të mbajë mot kryesisht me diell

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell. Frynë erë e dobët nga drejtimi i jugut dhe jugperëndimit. Temperaturat në orën 14: Podgoricë e H. Novi 31 gradë, Tivar, Ulqin e Budvë 29, Nikshiq, Beranë e B.Pole 27, Plevle, Plluzhinë, Shavnik, Andrievicë e Rozhajë 26, Kollashin, Petnicë e Guci 25 dhe në Zhablak 19 gradë. Për nesër metereologët parashohin të mbajë mot kryesisht me diell dhe kohë pas kohe me vranësira kalimtare. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të sillet prej 5 deri në 20 kurse më e larta e ditës prej 24 deri në 33 gc.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се