Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

27. 08. 2025. 00:00 >> 16:59

Ditari 27.08.2025

Përgatiti, Musa Gjoka

TRAFIKU HEKURUDHOR U NORMALIZUA

Pas pesë ditësh, u arrit një marrëveshje në lidhje me zhbllokimin e trafikut hekurudhor në Mal të Zi. Përfaqësuesi i punonjësve Andrej Kallugjeroviq tha se punëtorët morën garanci për rritjen e pagave dhe se këtë mëngjes të gjithë trenat filluan të qarkullojnë në territorin e Malit të Zi. Ndërprerja pesëditore e punës së punonjësve në Infrastrukturën Hekurudhore të Malit të Zi shkaktoi një shkëmbim të ashpër akuzash midis përfaqësuesve të punëtorëve dhe menaxhmentit, ndërsa dëmi në sistemin kombëtar hekurudhor dhe ekonominë po rritet me shpejtësi. Përfaqësuesi i punonjësve Andrej Kallugjeroviq hodhi poshtë akuzat se kishte refuzuar negociatat ose marrëveshjen kolektive të ofruar, duke theksuar se vendimet merren ekskluzivisht së bashku me kolegët. Ai i tha TVCG se këtë mëngjes të gjithë trenat u nisën në territorin e Malit të Zi. "Ne morëm garanci për pagat tona. Rritja e pagave do të jetë rreth 300 euro, siç e njoftuam, kështu që pagat do të jenë rreth 1,000 deri në 1,200 euro", tha Kallugjeroviq.

MISIONI I RREGULLT I NATO-S, EUROFIGHTER-ËT MBI MALIN E ZI

Misioni i rregullt i NATO-s “Air Policing” sot ka kryer një fluturim mbi Malin e Zi, në përputhje me aktivitetet e tij të planifikuara. Dy Eurofighter-ë italianë kanë realizuar sot një fluturim sipas procedurës së koordinuar dhe të rregullt. Në kuadër të bashkëpunimit ushtarako-teknik që Mali i Zi realizon me aleancën NATO, përfshihet edhe mbrojtja e hapësirës ajrore të Malit të Zi. Zhvillimi i një sistemi të mbrojtjes ajrore është një proces shumë kërkues dhe i kushtueshëm që kërkon kohë për ngritje dhe testim. Mbrojtja e qiellit të Malit të Zi arrihet përmes sistemit të mbrojtjes “NATO Air Policing”, i cili nënkupton ndihmë ndërkombëtare në monitorimin dhe mbrojtjen 24-orëshe të hapësirës ajrore të vendeve anëtare. Që nga viti 2017, “Air Policing” mbi qiellin e Malit të Zi realizohet nga Greqia dhe Italia me avionët e tyre luftarakë, duke siguruar kështu një mbrojtje të plotë të hapësirës ajrore të Malit të Zi.

DY PAGA MESATARE PËR NJË JETË TË DENJËT

Për një jetë të denjë të një familjeje me katër anëtarë sot nevojiten dy paga mesatare. Ndërkohë që aksioni për çmime të limituara nuk është më në fuqi, qytetarët frikësohen se rritja e çmimeve do të vazhdojë dhe se barra e inflacionit do të rëndojë më tej mbi buxhetet e tyre. Këtë e tregojnë të dhënat e Qendrës për Edukim, Informim dhe Kërkime Sindikale, sipas të cilave shporta shpenzuese arrin vlerën prej 2.010 eurosh. Nga Unioni i Sindikatave të pavarura të Malit të Zi paralajmërojnë se madje 70 % e amvisërive kanë të ardhura më të ulëta se kjo shumë. Sipas të dhënave të Qendrës, vlera totale e shportës shpenzuese është 2.010 euro dhe përfshin dhjetë kategori bazë të shpenzimeve. Pjesa më e madhe e shpenzimeve ende i përket ushqimit – për një familje me katër anëtarë, shpenzimet arrijnë në 630 euro, që është një rritje prej 15 eurosh ose 2,44 për qind krahasuar me tremujorin e parë. Nga Bashkimi i Sindikatave thonë se për të përmbushur nevojat bazë të jetesës duhen dy paga mesatare. Inflacioni në Mal të Zi në nivel vjetor është 4,2 %, që është më e larta në rajon. Sipas vlerësimit të analistit ekonomik Predrag Zeçeviq, arsyeja kryesore nuk është inflacioni i importuar, por sjellja e akterëve vendorë.

U MIRATUA INFORMATA PËR REHABILITIMIN E ZJARRFIKËSVE NË INSTITUTIN NË IGALO

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar informatën për dërgimin e pjesëtarëve të shërbimeve të mbrojtjes dhe shpëtimit, të cilët kanë qenë të angazhuar në shuarjen e zjarreve, për rehabilitim në Institutin "Simo Milosheviq" në Igalo. Nga Qeveria është bërë e ditur se informata është miratuar dje pa mbajtjen e mbledhjes, në bazë të pajtueshmërisë së shumicës së anëtarëve të Qeverisë. Në informatë rikujtohet se në këtë muaj Malin e Zi u përfshi nga zjarret me përmasa të gjera, të cilat shpërthyen njëkohësisht në disa rajone. “Intensiteti i zjarreve dhe sipërfaqet e përfshira kërkuan ndërhyrje të pandërprera ditë e natë nga të gjitha shërbimet në dispozicion për mbrojtje dhe shpëtim, si në nivelin qendror përmes veprimit të pjesëtarëve të Drejtorisë për Situata Emergjente në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ashtu edhe të shërbimeve të organizuara në kuadër të njësive të vetëqeverisjes lokale”, thuhet në informatë. Theksohet se përmasat e papara të zjarreve dhe zgjatja e tyre kërkuan përpjekje të jashtëzakonshme nga të gjithë pjesëtarët e shërbimeve të mbrojtjes dhe shpëtimit, të cilët gjatë kohës së zjarreve ishin të ekspozuar ndaj rrezikut për jetën dhe shëndetin e tyre.

PËR PËRMIRËSIMIN E EFIKASITETIT ENERGJETIK TË SHKOLLAVE NË VERI, 4.8 MILIONË EUR

Ministri i Energjisë dhe Minierave, Admir Shahmanoviq, nënshkroi sot një kontratë me vlerë prej 4.8 milionë euro për përmirësimin e efikasitetit energjetik të shkollave fillore në Beranë dhe Bijello Pole, është bërë e ditur nga ministria përkatëse. Thuhet se në nënshkrimin e kontratës mori pjesë edhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacioneve, Angjella Jashiq Stojanoviq. Nga Ministria e Energjisë dhe Minierave është bërë e ditur se në kuadër të klasterit IV përfshihen shkolla fillore "Vuk Karaxhiq" në Beranë dhe shkollat në Bijello Pole "Vlladislav Ribnikar" dhe "Risto Ratkoviq". “Punimet e kontraktuara përfshijnë ndërrimin e mbulesave të çative, ndërrimin e dyerve dhe dritareve të jashtme, izolimin termik të mureve të jashtme të objekteve, si dhe zëvendësimin e të gjitha instalimeve ekzistuese të ndriçimit me ndriçim LED për kursim energjie,” thuhet në njoftim. Nga ministria shtojnë se do të bëhet edhe rikonstruktimi i banjave me zëvendësimin e të gjitha instalimeve të ujit dhe kanalizimit, ndërsa sistemet ekzistuese të ngrohjes me vaj djegës do të zëvendësohen me sisteme ngrohjeje ekologjikisht të pranueshme me pelet.

PARABURGIM PËR TË ARRESTUARIT NË AKSIONIN PËR ZBULIMIN E PLANTACIONIT MË TË MADH TË MARIHUANËS NË MAL TË ZI

Gjykata e Lartë në Podgoricë ka caktuar paraburgim deri në 30 ditë për Zllatko Marashin (40) nga Zeta dhe Dragan Peroviqin (65) nga Tivari, të cilët u arrestuan gjatë aksionit për zbulimin e plantacionit më të madh të marihuanës në Mal të Zi. “Prokuroria e Lartë Shtetërore në Podgoricë ka lëshuar urdhër për zhvillimin e hetimeve ndaj Z.M. dhe D.P. për shkak të veprës penale të prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve narkotike, për shkak të dyshimit të bazuar se në vendin Trnovo – komuna e Tivarit, në një plantacion, kanë prodhuar lëndë narkotike. Gjyqtarit hetues në Gjykatën e Lartë në Podgoricë i ka dorëzuar propozimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, i cili propozim është pranuar nga gjykata dhe të njëjtëve u është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej maksimumi një muaji nga dita e ndalimit të tyre”, ka bërë të ditur kjo prokurori. Policia në plantacionin në Crmnica ka gjetur më shumë se 13.000 fidanë, ndërsa plantacionet ndodheshin në tetë parcela që janë në pronësi të 15 personave të ndryshëm.

MINISTRI LIBURN ALIU NJOFTON DORËHEQJEN PAS ZGJEDHJES SË BASHËS KRYEPARLAMENTAR

Liburn Aliu ka njoftuar sot se ka dhënë dorëheqje si ministër në detyrë në Qeverinë e Kosovës, për shkak të, siç tha, zgjedhjes së Dimal Bashës në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës një ditë më parë. “Dua t’ju njoftoj që sapo e dorëzova te kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, shkroi Aliu në Facebook. Ai shpjegoi se dorëheqja e tij vjen pasi dje bashkë partiaku i tij, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Aliu tregoi se e kishte njoftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për vendimin e tij menjëherë pas zgjedhjes së Bashës të martën. “Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu.

PËRSHKALLËZIM I LUFTËS NË GAZA, TË PAKTËN 21 TË VRARË

Të paktën 21 palestinezë kanë humbur jetën në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga orët e para të mëngjesit të sotëm, raportuan burime mjekësore të cituara nga Al Jazeera. Sipas të njëjtave burime, mes viktimave ndodhen edhe katër civilë, të cilët u vranë ndërsa prisnin ndihma humanitare. Situata në Gaza mbetet e tensionuar, me numrin e viktimave që vazhdon të rritet mes përshkallëzimit të operacioneve ushtarake dhe krizës së thelluar humanitare.

PROTESTUESIT IZRAELITË I KËRKOJNË QEVERISË MARRËVESHJE PËR LIRIM PENGJESH

Protestuesit izraelitë i kanë bllokuar rrugët në zonën komerciale të Tel Avivit dhe kanë mbajtur në duar flamuj me fotografitë e pengjeve të mbajtura nga Hamasi. Ata më pas janë mbledhur në atë që njihet tani si “Sheshi i pengjeve” për shkak se është kthyer në pikën e takimit për protesta që disa muaj. Njerëzit janë dëgjuar duke bërtitur, “Qeveria po na kthen shpinën, nuk do të heqim dorë derisa secili prej pengjeve të kthehet në shtëpi”. Kabineti i sigurisë i Izraelit e ka miratuar një plan në fillim të gushtit që ushtria të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, çka ka nxitur shqetësime për sigurinë e pengjeve. Mijëra persona kanë dalë nëpër rrugë prej atëherë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar javën e kaluar nisjen e menjëhershme të bisedimeve për të garantuar lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura në Gazë, ndonëse i ka ashpërsuar planet për ofensivë të re për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës që gjendet në Rripin e Gazës.

TRUMP SULMON LAVROV-IN: SHBA, GATI TË OFROJË MBROJTJE AJRORE PËR UKRAINËN!

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ofruar burime inteligjence dhe mbikëqyrjeje të fushëbetejës në kuadrin e një plani sigurie të Perëndimit për Ukrainën e pasluftës dhe për qenë pjesëmarrëse në një mburojë mbrojtëse ajrore të udhëhequr nga Europa, duke përfshirë këtu dhe një zonë ndalim-fluturimi. Lajmin e përcjell Financial Times, që hyn edhe më shumë në detaje duke treguar se plani i kancelarive perëndimore do të përfshinte një rajon të çmilitarizuar, të patrulluar mbase nga paqeruajtës neutralë prej një vendi të tretë, me të cilët të bien si Kievi, ashtu edhe Moska. Përtej kësaj do të ishte një kufi shumë më i fuqishëm, i mbrojtur nga trupat ukrainase të armatosura dhe të trajnuara nga NATO. Më në brendësi, si një linjë e tretë mbrojtjeje, do të ishte një forcë parandaluese e udhëhequr nga Europa. Zyrtarë të lartë amerikanë, vazhdon shkrimi, u kanë pohuar homologëve të tyre në Europë se Uashingtoni do të ishte gati të kontribuonte me “elementë strategjikë”, duke përfshirë këtu të dhënat e inteligjencës, mbikëqyrjen dhe zbulimin, komandën dhe kontrollin, si dhe asete të mbrojtjes ajrore, për të mbështetur çdo forcë të drejtuar nga BE-ja në terren.

SPAJIQ I DORËZOI PASAPORTËN MELISA BALIQIT: MALI I ZI PRET ME KRAHË HAPUR GJITHË FËMIJËT E VET

Skena e arteve marciale në Mal të Zi sot është më e fortë me një luftëtare të jashtëzakonshme të MMA-së. Melisa Baliq ka marrë shtetësinë malazeze, kështu që në vazhdim të karrierës së saj do të garojë nën flamurin e Malit të Zi. Vajza e lindur në Nju Jork, prindërit e së cilës janë nga Mali i Zi, ka pasur rezultate shumë të spikatura në oktagon dhe beson se së shpejti do të arrijë në UFC. Gjatë takimit, Spajiq tha se Melisa tashmë do të ketë shumë tifozë edhe nga Mali i Zi. Jam krenar që luftëtarja e MMA-së, Melisa Baliq, ndeshjen e saj të ardhshme do ta ketë nën flamurin e Malit të Zi. Jemi pak që të kemi luksin të lëshojmë talentët lehtësisht; duhet të jemi të bashkuar dhe të vendosur për t’i kthyer të gjithë margaritarët tanë në shtëpi, që të mos jemi vetëm terren për talente që i gëzohen të tjerët", tha Kryeministri i Malit të Zi në rrjetin X. Melisa gjatë bisedës theksoi se që nga mosha 12-vjeçare është e përkushtuar ndaj arteve marciale dhe se do të vazhdojë në këtë rrugë deri në fund të jetës. Për këtë arsye është bashkëpronare e një shkolle për MMA në Nju Jork, ku ndan njohuritë me të rinjtë, ndër të cilët ka edhe nxënës me prejardhje nga Mali i Zi.

NESËR SHUMË NXEHTË, DERI NË 35 GRADË

Kryesisht me diell ishte moti sot, vende vende me vranësira mestarë. Frynë erë kryesisht e lehtë deri e mesme nga drejtimet e jugut. Temperaturat në ora 14 ishin: Podgorica 32, Beranë, H.Novi dhe B. Pole 30, Nikshiq, Plevle, Ulqin, Cetinë dhe Rozhajë 29, Tivar, Kolashin, Budvë, Shavnik dhe Andrijevicë 28, Pluzhinë, Petnicë dhe Guci 27 dhe në Zablak 23 gradë.
Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot me diell dhe të ngrohtë. Do të fryjë erë e lehtë deri e mesme nga drejtime të jugut. Temperatura e mëngjesit prej 7 deri në 20 kurse më e larta e ditës prej 26 deri në 35 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се