Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

29. 08. 2025. 00:00 >> 21:19

Ditari 29.08.2025

Përgatiti, Musa Gjoka

LIRIA NDOLLI POR JO EDHE NDRYSHIMET

Ndryshimet e 30 gushtit të vitit 2020 sollën satisfakcion për një numër më të madh qytetarësh, por nuk e rritën besimin në demokraci, vlerëson analisti Stefan Gjukiq. Kontrolli politik mbi institucionet, ndarjet identitare, marrëveshjet e fshehta... Ky është Mali i Zi sot, thotë gazetarja Milena Peroviq. Ka ndodhur çlirimi nga frika dhe marrëdhëniet klienteliste që kanë karakterizuar sistemin, pohon Momo Koprivica. Është kryer kundërrevolucion kundër shoqërisë qytetare dhe sekulare, porosit Aleksandra Vukoviq Kuç. Pesë vite pas rrëzimit të pushtetit tridhjetëvjeçar të Partisë Demokratike të Socialistëve, është e qartë se atëherë u hap mundësia për krijimin e një sistemi dhe shoqërie më të mirë, por është bërë pak për të arritur diçka të mirë në atë drejtim. Mali i Zi edhe sot mbetet një shtet me institucione të kapura politikisht, ndarje identitare, biznese të dyshimta... Megjithatë, një nga pasojat e rralla pozitive të 30 gushtit 2020 është fakti se u dëshmua që çdo pushtet mund të rrëzohet përmes zgjedhjeve dhe se pas asaj dite nuk është më në duart e të njëjtit grup njerëzish. Kështu kryeredaktorja e javores “Monitor”, Milena Peroviq, dhe aktivisti qytetar Stefan Gjukiq analizojnë situatën në Mal të Zi pesë vjet pas ndërrimit të parë të pushtetit me "laps".

 

SPAJIQ TË MARRË VENDIMIN SE ÇFARË TË BËHET ME PLLAKËN NË MORINJ

Ministria e Kulturës dhe Medieve ka deklaruar se për atë se çfarë duhet bërë në rastin e vendosjes së paligjshme të pllakës përkujtimore në vendin ku ndodhej dikur kampi në Morinj, duhet të vendosë kryeministri Millojko Spajiq. Për "Vijesti", nga ky dikaster, i drejtuar nga Tamara Vujoviq, dje thanë se vendimi duhet të merret në nivelin më të lartë që veprimi në këtë rast të jetë "edhe ligjor edhe politikisht i përgjegjshëm". Prandaj, siç thonë, propozimi i tyre është që, “duke marrë parasysh kompleksitetin e rastit dhe aspektin e tij ndërkombëtar”, të veprohet sipas udhëzimeve të kryeministrit. “Kjo do të thotë se në këtë rast vendimi do të merret në nivelin më të lartë të pushtetit ekzekutiv, në mënyrë që veprimi të jetë edhe ligjor edhe politikisht i përgjegjshëm, me respekt të plotë për rrethanat ndërkombëtare, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”, kanë deklaruar nga Ministria, duke iu përgjigjur pyetjeve nëse kanë marrë parasysh kërkesën e Sekretariatit për Kulturë, Sport dhe Veprimtari Shoqërore të Kotorrit – për të ndërprerë veprimet e mëtejshme ndaj komunës bregdetare në lidhje me heqjen e pllakës, dhe nëse po – kush është tani kompetent për ta hequr atë dhe kur do të ndodhë kjo.

 

LIGJ I VEÇANTË PËR VETINGUN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE I REKOMANDOHET MINISTRISË SË DREJTËSISË

Për zbatimin e vetingut në gjyqësor dhe prokurori nuk nevojiten ndryshime kushtetuese, por zgjidhja mund të jetë miratimi i një ligji të veçantë, i cili mund të quhet Ligji për vlerësimin e jashtëm të integritetit të bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokurore, është rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë që në prill të këtij viti, theksohet nga Aksioni për Drejtësi Sociale. Sipas njoftimit për media, këshilltari i angazhuar propozoi atëherë që përmbajtja e ligjit të ketë të bëjë me themelimin, organizimin dhe kompetencat e komisionit si organ që do të zhvillojë procesin e verifikimit të jashtëm të integritetit. Verifikimi i integritetit do të përfshinte pasurinë e bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokurore, përkufizimi i personave të lidhur do të vendosej në mënyrë të zgjeruar, do të kontrollohej stili i jetesës – veçanërisht në kontekstin e lidhjeve me persona të krimit të organizuar dhe me shpenzimet personale – ndërsa verifikimi i profesionalizmit do të bëhej vetëm në raste të veçanta, kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme që mund të lidhen me korrupsionin, thuhet në propozimin e këshilltarit. Organizmi i shkallës së parë do të përbëhej nga pesë anëtarë që do të zgjidheshin si vijon: një nga shumica parlamentare, një nga opozita parlamentare, një nga Universiteti/Akademia, një nga sektori joqeveritar dhe një nga BE/Komisioni i Venecias. Kushti themelor për zgjedhjen e tyre është që të jenë ekspertë për të cilët nuk ka dyshime në integritetin e tyre," thuhet në propozim.

 

KËRKESA E JELENA PEROVIQ PËR KOMPENSIMIN FUNKSIONAR ËSHTË REFUZUAR

Këshilli i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, në mbledhjen e sotme, e ka refuzuar si të pabazë kërkesën e përfaqësuesit të autorizuar të Jelena Peroviq për kompensimin e pagës që ajo ka marrë në muajin e fundit para përfundimit të funksionit, me përshtatjen përkatëse.

Siç thuhet në njoftim, ky vendim është marrë pasi e emëruara, në bazë të Vendimit të Këshillit të Agjencisë, e ka realizuar tashmë këtë të drejtë për periudhën nga data 16.08.2024 deri më 15.08.2025. "Këshilli e ka refuzuar kërkesën e Jelena Peroviq për kompensimin e pagës që ajo ka marrë në muajin e fundit para përfundimit të funksionit, me përshtatjen përkatëse, që nga data 07.08.2025, pasi për të njëjtën çështje administrative është marrë tashmë vendim mbi kërkesën e përfaqësuesit të saj të autorizuar. Diskutimi mbi kërkesën e Jelena Peroviq për pagesën e kompensimit për pushimin vjetor të papërdorur për vitet 2023, 2024 dhe 2025 është shtyrë për mbledhjen e ardhshme, për shkak të nevojës për shqyrtim shtesë të dokumentacionit të nevojshëm për vendimmarrje në këtë çështje", thuhet në njoftimin e Agjencisë.

 

ARRESTIM NË PODGORICË, U PARANDALUA KRYERJA E NJË VEPRE TË RËNDË PENALE

Policia malazeze ka arrestuar në Podgoricë një shtetasin serb me inicialet N.S. 33 vjeç, i cili dyshohet se planifikonte të kryente një vepër të rëndë penale, është bërë e ditur nga Drejtoria e Policisë. Sipas njoftimit, N.S. kishte hyrë ilegalisht në Mal të Zi, dhe zyrtarët e policisë së Podgoricës, duke vepruar në kuadër të kompetencave të tyre dhe aktiviteteve intensive operative të drejtuara kundër anëtarëve të grupeve të organizuara kriminale, personave me interes operativ dhe atyre të lidhur me ta, e kanë vërejtur atë në lagjen Pejton. Policia ka deklaruar se e ka ndjekur N.S., i cili gjatë përpjekjes për arratisje ka hedhur armën e zjarrit.  "Gjatë një kontrolli të detajuar dhe kërkimi në terren, zyrtarët policorë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë e markës 'Walther PP' me numër serial të fshirë, me një plumb në tytë dhe tetë plumba në karikator", thuhet në njoftim. Gjithashtu, është gjetur edhe një telefon mobil i enkriptuar, për të cilin dyshohet se është përdorur për aktivitetet kriminale të planifikuara, dhe që i dyshuari ka tentuar ta hedhë gjatë arratisjes. Falë veprimeve operative në terren dhe reagimit të shpejtë dhe vendimtar të zyrtarëve policorë, është parandaluar kryerja e një vepre të rëndë penale dhe është neutralizuar një kërcënim serioz për sigurinë e qytetarëve, gjë që është në fokusin kryesor të Drejtorisë së Policisë", thuhet në fund të njoftimit. 

 

OSMANI :  TË GJENDET NJË ZGJIDHJE NË PËRPUTHJE ME KUSHTETUTËN

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje partive parlamentare ta gjejnë një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën e vendit për t’i themeluar Kuvendin dhe Qeverinë e re sa më parë që jetë e mundur.  Thirrja e Osmanit vjen në një kohë kur Kuvendi ka mbetur peng i zgjidhjes së nënkryetarit të vet nga pakica serbe – hapi i fundit i nevojshëm për konstituimin e Kuvendit përfundimisht. Këtë javë u duk sikur Kosova do të bëhej me Kuvend të ri më në fund pas një ngërçi të gjatë pas zgjedhjeve të shkurtit, sepse zgjodhi kryetarin dhe katër nënkryetarët. Megjithatë, partitë parlamentare kanë hasur sërish në mospajtime për votimin e nënkryetarit nga pakica serbe në Kuvend. “Që Kuvendi të konstituohet urgjentisht, që qeveria të zgjidhet po ashtu urgjentisht, çdo ditë e humbur është ditë e humbur për Kosovën, për popullin e saj, për perspektivën tonë euroatlantike, kështu që shpresoj që të gjendet një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën sa më parë që të jetë e mundur”, tha Osmani.

 

MINISTRI IZRAELIT KËRKON QË GAZA TË ANEKSOHET NËSE HAMASI NUK DORËZOHET

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, i bëri thirrje Qeverisë së tij që të nisë aneksimin e pjesëve të Rripit të Gazës nëse Hmasi  refuzon të dorëzohet.  Ministri i ekstremit të djathtë, i cili ka qenë i zëshëm kundër një marrëveshjeje me Hamasin për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare, e paraqiti planin e tij për “fitore në Gazë deri në fund të vitit” gjatë një konference për media të mbajtur në Jerusalem. Sipas propozimit të Smotrich, Hamasit do t’i jepej një ultimatum për t’u dorëzuar, për t’u çarmatosur dhe për të liruar pengjet që ende mbahen në Gazë që nga sulmi i grupit radikal palestinez në Izrael më 7 tetor 2023, që nxiti luftën. Nëse Hamasi refuzon, Smotrich tha se Izraeli duhet të aneksojë nga një pjesë të territorit për çdo javë dhe ta përmbyllë aneksimin për katër javë, duke e sjellë Rripin e Gazës nën kontrollin e plotë izraelit.

 

NË GAZA U VRANË TË PAKTËN 21 PALESTINEZË

Të paktën 21 palestinezë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur sot në sulme të reja ajrore izraelite në disa zona të Rripit të Gazës, kanë bërë të ditur burime mjekësore.  Në pjesën jugore të Gazës, në Khan Younis, pesë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën kur forcat izraelite goditën çadrat ku strehoheshin familje të zhvendosura në zonën al-Mawasi, raporton Anadolu. Pesë persona të tjerë u vranë dhe disa u plagosën kur një shtëpi banimi në lagjen Tel al-Hawa në jugperëndim të qytetit të Gazës u godit nga një sulm ajror.  Më në veri, në zonën Al-Sudaniah, katër persona u vranë dhe disa u plagosën kur Izraeli goditi një çadër ku ndodheshin familje të zhvendosura. Në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, dy persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror ndaj një shtëpie në kampin e refugjatëve Al-Bureij. Në qytetin Deir al-Balah, një burrë dhe gruaja e tij u vranë dhe disa të tjerë u plagosën kur u godit një shtëpi në rrugën Al-Salam. Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë të paktën 63 mijë palestinezë në Gaza. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me uri masive.

 

ZELENSKY E QUAN SULMIN MASIV RUS NË KIEV “GODITJE” NDAJ PRESIDENTIT TRUMP

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar sulmin e Rusisë me raketa dhe dronë në Kiev - ku u vranë të paktën 21 njerëz - si “goditje nga Rusia” kundër presidentit amerikan, Donald Trump, i cili vetë ishte “i pakënaqur” me sulmin, sipas Shtëpisë së Bardhë. “Rusia tani po e godet këdo në botë që dëshiron paqe”, tha Zelensky në adresimin e tij të mbrëmshëm. “Është një goditje kundër Ukrainës... Dhe është gjithashtu një goditje nga Rusia kundër presidentit Trump”, theksoi Zelensky.  Mungesa e përparimit drejt një armëpushimi në luftën në Ukrainë ka filluar ta zemërojë Trumpin, i cili e ka kërcënuar Moskën me sanksione dhe tarifa të reja.  “Ne kemi dëgjuar në Uashington se presidenti rus Vladimir Putin gjoja është gati ta përfundojë luftën... Por, në vend të kësaj, ai zgjedh raketat balistike para çdo hapi të mirëfilltë drejt paqes”, shtoi Zelensky.

 

MINISTRAT E BE-SË DO TË BISEDOJNË PËR GAZËN DHE UKRAINËN

Ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtme të Bashkimit Evropian do të bisedojnë për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, si dhe për gjendjen e rënduar në Rripin e Gazës gjatë dy ditëve të bisedimeve në Kopenhagë, të cilat nisin sot.  Takimi zhvillohet një ditë pasi Rusia e bombardoi kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, duke i vrarë të paktën 21 njerëz, përfshirë fëmijë, dhe duke plagosur të paktën 48 të tjerë.  Ministrat e Mbrojtjes të BE-së do t’i hapin bisedimet të premten mbi mënyrat për ta rritur mbështetjen ushtarake për Kievin dhe për ta rritur bashkëpunimin e bllokut me industrinë e mbrojtjes së Ukrainës, duke pasur parasysh kufizimet e Shteteve të Bashkuara në mbështetjen me armë.  Bisedimet e ministrave të Jashtëm të shtunën do të përqendrohen në planet për sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, me synim që të ushtrohet trysni mbi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për ta pranuar një armëpushim dhe për t’u angazhuar në bisedime për paqe.

 

SHI, RREBESH E PËRCJELL ME BUBULLIMË, DERI NË 26 GRADË

Sot në vendin tone ishte mot me diell, frynë erë e lehtë nga drejtimet e jugut. Temperaturat në ora 14 u shënuan: Podgoricë, Plevle, B. Pole Beran e Ulqin 33, Budvë 32, Tivar, H. Novi, Andrievicë, Rozhajë e Petnicë 31, Cetinë e Pluzhinë 30, Nikshiq, Kollashin, Shavnik e Guci 29, Zhablak 26 gradë.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot kryesisht të vranët, vende vende me shi të përcjell me rrebesh dhe bubullimë. Lokalisht priten reshje të dendura, ndërsa në disa zona të izoluara mund të paraqiten edhe dukuri afatshkurtra të motit të lig, të shoqëruara me breshër dhe erëra të fuqishme." Do të fryjë erë e lehtë deri e mesme, në veri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit prej 11 deri 21 kurse më e larta e ditës prej 16 deri në 26 gradë.  

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се