Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

02. 09. 2025. 00:00 >> 19:10

Ditari 02.09.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Millatoviq - Evropa duhet të rifitojë besimin në vlerat që përfaqësojnë të ardhmen e saj

Evropa duhet të rifitojë besimin në vlerat që përfaqësojnë të ardhmen e saj të begatshme, tha Presidenti malazez Jakov Millatoviq, duke deklaruar se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE) do të ishte një mesazh për pjesën tjetër të rajonit se zgjerimi është i mundur. Në Forumin Strategjik të Bledit, i cili po mbahet për 20-vjetorin nën sloganin: "Bota që po del jashtë kontrollit", ai tha se, si përfaqësues i gjeneratës së re të politikanëve në Ballkan, është më optimist për ngjarjet në Evropë sesa për shtetet anëtare individuale. Millatoviq, siç u njoftua nga kabineti i tij, tha se beson që Evropa duhet të rifitojë vetëbesimin në vlerat që përfaqëson dhe në të ardhmen e saj të begatshme. "Sot, Evropës i mungon vetëbesimi. Dua të shoh udhëheqësit evropianë që përfaqësojnë me më shumë bindje dhe krenari atë që Evropa është tashmë: institucionet, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, cilësinë e jetës, drejtësinë sociale. Vlerat që thjesht nuk ekzistojnë në shumë vende të tjera të botës", tha Millatoviq.

Millatoviq - Sllovenia mbështet fuqimisht integrimin evropian të Malit të Zi

Sllovenia mbështet fuqimisht integrimin evropian dhe është një mike e sinqertë e Malit të Zi në këtë rrugë, tha Presidenti malazez Jakov Millatoviq. Në Slloveni, ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, ai bisedoi me presidenten e këtij vendi, Natasha Pirc Musar. "Sllovenia mbështet fuqimisht integrimin evropian të Malit të Zi dhe është një mike e sinqertë e vendit tonë në këtë rrugë", tha Millatoviq në rrjetin X. Siç theksoi ai, vlerat e përbashkëta evropiane dhe aleanca në NATO janë baza të bashkëpunimit që këto dy shtete  do të vazhdojmë ti përmirësojnë në periudhën e ardhshme. "Së bashku - për një Evropë më të fortë dhe Malin e Zi, anëtarin e 28-të të Bashkimit Evropian", përfundoi Millatoviq.

Ibrahimović - Orientimi evropian dhe euroatlantik i rajonit duhet të ruhet

Orientimi evropian dhe euroatlantik i rajonit duhet të ruhet, tha Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ervin Ibrahimoviq. Ibrahimoviq, siç u njoftua nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), mori pjesë në Forumin e 20-të Strategjik të Bledit në Slloveni, një nga konferencat më të rëndësishme ndërkombëtare kushtuar politikës evropiane dhe globale. MPJ deklaroi se gjatë ditës së parë të Forumit, Ibrahimoviq dhe Kryeministri Millojko Spajiq u takuan me Kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Grliq Radman dhe me këtë rast, ne konfirmuam gjithashtu angazhimin tonë për të vazhduar dialogun dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me Kroacinë", shtoi deklarata. MPJ tha se Ibrahimoviq mori pjesë në ceremoninë e hapjes dhe zhvilloi disa takime dypalëshe. "Në takimin me Ministrin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Florian Hahn, u konfirmuan marrëdhëniet aleate dhe miqësore të të dy vendeve, si dhe aleanca e fortë në NATO, veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës", thuhet në deklaratë.

Gorçeviq - hartimi i një Traktatit për Pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE) do të ishte një erë pozitive për rrugën evropiane të vendit

Fillimi i hartimit të Traktatit për Pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE) do të ishte një erë pozitive për rrugën evropiane të vendit, tha Ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq, duke shtuar se presim konfirmim meritor të progresit të Malit të Zi. Siç u njoftua nga Ministria e Çështjeve Evropiane, Gorçeviq mori pjesë në takimin e parë joformal të Ministrave të Çështjeve Evropiane në Kopenhagë, gjatë Presidencës Daneze të Këshillit të BE-së. Gorçeviq tha se qëllimi i Malit të Zi është të mbyllë një seri kapitujsh deri në fund të vitit, gjatë presidencës daneze. "Ne presim një konfirmim meritor të progresit, dhe fillimin e hartimit të Traktatit për Pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe kjo do të ishte një erë pozitive në rrugën tonë evropiane dhe një sinjal i besueshmërisë së politikës së zgjerimit", theksoi Gorçeviq. Ajo, gjithashtu theksoi rëndësinë e presidencave të mëparshme daneze të Këshillit të BE-së, duke kujtuar se kriteret e Kopenhagës formësuan idenë e BE-së si një aleancë vlerash. "Në të cilën liritë individuale, të drejtat e njeriut dhe menaxhimi i përgjegjshëm i ekonomisë vendosen mbi interesat afatshkurtra", deklaroi pos tjerash Gorçeviq.

Zirojeviq - nuk mund të ndiqem penalisht ose për kundërvajtje bazuar në raportin e paraqitur nga Zdenka Popoviq

Deputeti socialdemokrat Nikolla Zirojeviq tha se nuk mund të ndiqet penalisht ose për kundërvajtje bazuar në raportin e paraqitur kundër tij nga nënkryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Zdenka Popoviq. Popoviq ka paraqitë një raport kundër Zirojeviqit për shkak të, siç pretendon ajo, fyerjeve që ai bëri në njoftim. Sot, pasi dha një deklaratë në polici, Zirojeviq u tha gazetarëve se "nuk ka vend për përgjegjësi penale ose kundërvajtje". "Nuk ka vend për përgjegjësi penale ose kundërvajtje, sepse deklarata që dërgova në media është bazuar në fakte në atë që publiku malazez ishte në dijeni shumë më herët", tha Zirojeviq.

Dhjetëra mijëra njerëz nëpër rrugët e Beogradit kërkojnë zgjedhje dhe ndryshim të qeverisë

Dhjetëra mijëra qytetarë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, morën pjesë më 1 shtator në një marshim përkujtimor gjatë një proteste kundër qeverisë, të thirrur nga nxënësit e shkollave të mesme, në kuadër të një bllokade në ditën e parë të vitit shkollor. Tubimi përfundoi në Sheshin e Republikës, në qendër të Beogradit, me vendosjen e kurorave dhe trëndafilave të bardhë për 16 viktimat e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad. U mbajt gjithashtu një heshtje 16-minutëshe në nderim të viktimave. Arsyeja e kësaj proteste, e cila u mbajt në disa qytete të Serbisë, ishte fakti se kanë kaluar dhjetë muaj nga shembja e strehës, një incident që çoi në protesta masive në Serbi dhe bllokada të institucioneve të arsimit të lartë. U bë thirrje për zgjedhje të parakoshme, për hetime transparente ndaj përgjegjësve për incidentin, si dhe për institucione e media të lira. Protestuesit e mbledhur në Beograd u ndalën shkurtimisht në disa vende gjatë këtij marshimi. Para godinës së gazetës ditore Politika dhe të Radio Beogradit, u mbajt një fjalim i regjistruar ku thuhej se “media e lirë po vdes”.

Sot në Banjallukë nisi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës Sërpska

Sot në Banjallukë nisi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës Sërpska, me rend dite zgjedhjen e presidentit dhe qeverisë së re të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës. Qeveria aktuale funksionon me “mandat teknik” që nga 22 gushti, pasi Kuvendi pranoi dorëheqjen e kryeministrit të entitetit, Radovan Vishkoviq. Si mandatar të ri, Millorad Dodik ka propozuar Savo Miniqin, edhe pse nuk ka të drejtë kushtetuese për një veprim të tillë, pasi mandati i presidentit i është hequr nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  i Bosnje e Hercegovinës. Sipas Kushtetutës së RS-së, mandatarin duhet ta propozojë presidenti i entitetit. Miniq, deri tani ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, vjen nga radhët e Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur të Dodikut. KQZ-ja ia hoqi mandatin Dodikut pasi Gjykata e Bosnje e Hercegovinës, në fillim të gushtit, e dënoi me një vit burgim - dënim të cilin e zëvendësoi me pagesë monetare - dhe me gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike. Pas kësaj, KQZ-ja shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme për president të RS-së më 23 nëntor. Në përfundimet e një seance, kur u pranua dorëheqja e Vishkoviqit, Kuvendi i RS-së e ftoi Dodikun të vazhdojë ushtrimin e funksionit të presidentit, hodhi poshtë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe u kërkoi institucioneve të entitetit të mos bashkëpunojnë me KQZ-në. Opozita paralajmëroi se me këtë veprim po hyhet në zonën e veprave penale dhe të shkeljes së rendit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës. Kuvendi po ashtu shpalli referendum për 25 tetor, në të cilin qytetarët pritet të vendosin nëse do të pranojnë vendimet e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt, të Gjykatës dhe të KQZ-së, me të cilat u penalizua Dodik.

Ambasadori amerikan në NATO: SHBA-ja do stabilitet në Ballkanin Perëndimor

Në një nga panelet e Forumit Strategjik të Bledit, ambasadori amerikan në NATO, Matthew G. Whitaker, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër situatën në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, me synimin që të mos lejohet asnjë zhvillim që mund të çojë në konflikt rajonal. “Po ndjekim me shumë kujdes gjithçka që po ndodh si në Republikën Sërpska, ashtu edhe në Serbi. Aktualisht, jemi të përqendruar që situata të mos shndërrohet në një konflikt të mundshëm rajonal”, tha Whitaker. Ai theksoi se SHBA-ja “do stabilitet në Ballkanin Perëndimor” dhe kjo, siç tha, është e rëndësishme edhe për partnerët evropianë brenda NATO-s, të cilët “e kanë detyrim të veprojnë së bashku në situata krize”. Serbia ka qenë prej muajsh e përfshirë nga protestat antiqeveritare, të cilat shpesh janë shndërruar në episode dhune, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq, pa asnjë provë, akuzon agjitatorë të huaj për përpjekje për të nxitur revolucion. Në Republikën Sërpska, Millorad Dodik sfidon vendimin e Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës për t'ia hequr mandatin presidencial pas një dënimi dhe vazhdimisht kërcënon me ndarjen e këtij entiteti nga pjesa tjetër e Bosnjës.I pyetur nëse NATO-ja do të ndërhynte, nëse kriza politike do të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në Serbi, Whitaker tha se NATO-ja vepron me unanimitet, por shtoi se “jemi shumë larg diçkaje të tillë”.

Tërmeti në Afganistan: Numri i të vdekurve kalon 1.400

Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të gërmojnë në lindjen malore të Afganistanit për të gjetur të mbijetuar, teksa numri i të vdekurve nga një tërmet i fuqishëm ka kaluar 1.400, ka bërë të ditur qeveria e udhëhequr nga talibanët. Edhe më shumë se 3.000 persona janë lënduar si pasojë e tërmetit, ka njoftuar më herët Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Katastrofave në Afganistan .“Të lënduarit po evakuohen, prandaj këto shifra mund të ndryshojnë dukshëm”, ka njoftuar zëdhënësi i institucionit, Yousaf Hammad. “Tërmeti shkaktoi rrëshqitje dheu në disa zona, duke bllokuar rrugë, por ato janë rihapur, dhe rrugët e mbetura do të rihapen për të mundësuar qasjen në zonat që ishin vështirë të arritshme”, ka bërë të ditur ai. Tërmeti prej 6.0 ballësh goditi në natën e së dielës në disa provinca, duke rrafshuar fshatra dhe duke i lënë njerëzit të ngujuar nën rrënojat e shtëpive të ndërtuara kryesisht me tulla prej balte dhe me drurë, dhe të tronditur nga fatkeqësia. Shumica e viktimave janë regjistruar në provincën Kunar, ku shumë njerëz jetojnë në lugina të pjerrëta lumenjsh, të ndara nga male të larta. Helikopterët po përdoren për evakuimin e të lënduarve drejt spitaleve, dhe agjencitë e ndihmave kanë thënë se ekipet e tyre po rrugëtojnë këmbas për të arritur në zonat më të izoluara, për shkak të terrenit të ashpër dhe rrugëve të dëmtuara. Qeveria e udhëhequr nga talibanët ka bërë thirrje për ndihma ndërkombëtare. Britania e Madhe është zotuar për ndihmë prej 1 milion funtesh, që do të ndahet mes agjencive humanitare dhe nuk do t’i jepet qeverisë talibane, të cilën Londra nuk e njeh.

Ukraina i bën thirrje Kinës të ushtrojë presion mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës

Ukraina ka nxitur Kinën që të ushtrojë presion mbi Vladimir Putinin për të ecur drejt paqes, ndërsa presidenti rus mbërriti në Pekin pas pjesëmarrjes së tij në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), ku ai mbrojti luftën që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz. “Duke marrë parasysh rolin e rëndësishëm gjeopolitik të Republikës Popullore të Kinës, ne do të mirëprisnim një rol më aktiv [të Pekinit] në sjelljen e paqes në Ukrainë mbi bazën e respektimit të Kartës së OKB-së”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës në një deklaratë, teksa Putin mbërriti në kryeqytetin kinez më 2 shtator. Deklarata e ministrisë vuri në dukje se deklarata përfundimtare e SCO-së shmangu çdo përmendje të konfliktit, i cili është shndërruar në një luftë të shkallës së plotë që prej pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. “Ne e konsiderojmë domethënëse që dokumenti kryesor përfundimtar i samitit, Deklarata e Tianxhinit prej 20 faqesh, nuk përmban asnjë përmendje të luftës ruse kundër Ukrainës”, tha deklarata. “Është befasuese që lufta më e madhe e agresionit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore nuk u pasqyrua në një dokument kaq të rëndësishëm e themelor, ndërkohë që aty përmenden një sërë luftërash të tjera, sulmesh terroriste dhe ngjarjesh në botë”. Në deklaratë thuhej se mospërmendja e luftës së Rusisë në Ukrainë në deklaratë “tregon dështimin e përpjekjeve diplomatike të Moskës”. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje vazhdimisht që Kina, një aleate e ngushtë e Rusisë, të ushtrojë presion mbi Putinin për t’i dhënë fund luftës.

Autoriteti Palestinez mirëpret planet belge për njohjen e shtetësisë

Ministria e Jashtme palestineze, që drejtohet nga Autoriteti Palestinez, i ka mirëpritur planet e qeverisë belge për ta njohur një shtet palestinez. Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, tha sot se vendi i tij do ta bënte këtë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), më vonë gjatë shtatorit, raporton DPA. Megjithatë, Prevot tha se vendimi do të hynte në fuqi vetëm pasi të jetë liruar pengu i fundit nga Gaza, dhe pasi të jetë çmilitarizuar Hamasi, grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian. “Ky qëndrim parimor është plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e OKB-së dhe mbrojtjen e zgjidhjes me dy shtete, dhe përfaqëson mbështetje jetike për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme", shkroi Ministria e Jashtme palestineze në platformën X. “Ministria u bën thirrje të gjitha shteteve që ende nuk e kanë njohur Shtetin e Palestinës, ta bëjnë këtë urgjentisht”, shkroi më tej ajo. Njohja e shtetësisë do të “forconte përpjekjet praktike për të ndalur krimet e gjenocidit, dëbimin me forcë, urinë dhe aneksimin nga Izraeli, duke hapur një horizont të vërtetë politik për të zgjidhur konfliktin dhe për t’i dhënë fund okupimit izraelit të Shtetit të Palestinës", u tha në deklaratën e Ministrisë së Jashtme palestineze.

OBSH: Një në çdo 100 vdekje në botë shkaktohet nga vetëvrasja

Më shumë se një në çdo 100 vdekje globalisht është pasojë e vetëvrasjes,njoftoj sot  Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke bërë thirrje për veprime urgjente për të frenuar një krizë në rritje të shëndetit mendor, veçanërisht mes të rinjve. OBSH tha se, megjithëse normat globale të vetëvrasjeve kanë rënë disi vitet e fundit, përparimi në luftën kundër këtij problemi ka qenë shumë i ngadalshëm, raporton AFP. Në vitin 2021 – viti i fundit për të cilin ishin të disponueshme të dhëna – u regjistruan rreth 727.000 vetëvrasje në mbarë botën, tha agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara. “Globalisht, vetëvrasja përbën më shumë se një në çdo 100 vdekje, dhe për çdo vdekje ka 20 tentativa vetëvrasjeje”, tha Devora Kestel, shefe e përkohshme e departamentit për sëmundjet jo të transmetueshme dhe shëndetin mendor në OBSH. Raporti "Shëndeti Mendor Botëror Sot" i OBSH-së theksoi se vetëvrasja mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjeve tek të rinjtë nëpër gjeografi dhe kontekste socio-ekonomike.

Nesër mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell. Fryn erë e dobët deri e mesme nga drejtimi i jugut dhe jugperendimit. Temperaturat në orën 14:Danillograd 33 gradë, Podgoricë 31, Rozhajë 30, H.Novi, Ulqin, B.Pole, Beranë, Plevle, Andrievicë e Guci 29, Kotorr, Tivar, Cetinë e Shavnik 28, Tivat, Nikshiq, Kollashin e Plluzhinë 27 dhe në Zhablak 25 gradë.

                                       Për nesër metereologët parashohin të mbajë mot me vranësira kalimtare, periulla të gjata me diell dhe mundësi të reshjeve të dobëta të shiut. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimi i jugut. Temparatura e mëngjesit do të sillet prej 12 deri në 21 kurse më e larta e ditës prej 20 deri në 30 gc.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се