- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
04. 09. 2025.
00:00 >> 16:46
Ditari 04.09.2025
Përgatiti, Senad Gilaj
Millatoviq kërkon seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për zgjedhjen e Mirjana Vuçiniq
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka dërguar kërkesë për të mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit më 15 shtator, në përputhje me nenin 90 të Kushtetutës së Malit të Zi dhe nenin 128 të Rregullores së Kuvendit, me qëllim që të shqyrtohet propozimi për zgjedhjen e avokates Mirjana Vuçiniq për gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.
Ky propozim iu është dërguar Parlamentit në muajin maj, por nuk është shqyrtuar gjatë mbledhjes së rregullt pranverore. Nga kabineti i presidentit është bërë e ditur se Kuvendi ka treguar qëndrim pasiv ndaj këtij çështjeje. Në këtë kuadër, Presidenti Millatoviq po përpiqet që, duke përdorur kompetencat e tij kushtetuese, të kontribuojë në plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe në arritjen e funksionalitetit të saj të plotë. Gjithashtu, siç është bërë e ditur, në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese, presidenti ka shpallur një Thirrje publike për zgjedhjen e një gjyqtari tjetër të Gjykatës Kushtetuese dhe procedura është në vazhdim.
Ministri Krapoviq në vizitë pune në SHBA
Ministri i Mbrojtjes, Dragan Krapoviq, do të qëndrojë për vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej sot deri më 12 shtator 2025, është bërë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes. Siç thonë nga ky resor i qeverisë, qëllimi i vizitës është mbajtja e konsultimeve bilaterale të mbrojtjes me përfaqësues të Pentagonit, të cilat zhvillohen për herë të parë që nga viti 2019, dhe të cilave do t’u kryesojë Dejvid Bejker, zëvendëndihmësi i sekretarit të mbrojtjes për politikën evropiane dhe NATO-s në Zyrën e Nënsekretarit për Politikën e Mbrojtjes në Pentagon. “Gjatë kësaj vizite, do të organizohet takim i ministrit Krapoviq me nënsekretarin për politikën e mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes të SHBA-së, Ellbrixh Kollbi, si dhe takime me përfaqësues të Kongresit amerikan”, thuhet në kumtesë.
Markoviq dhe Novoviq për krimet e luftës: Bashkëpunimi i Prokurorive është thelbësor për procesium efikas
Kryeprokurori i përgjithshëm i Malit të Zi, Millorad Markoviq, dhe Prokurori special kryesor, Vlladimir Novoviq, morën pjesë në Konferencën rajonale të Prokurorëve për bashkëpunim në procesuimin e krimeve të luftës, të mbajtur në Brione, në Kroaci, që bashkoi prokurorë dhe përfaqësues të institucioneve gjyqësore nga rajoni, si dhe organizata ndërkombëtare, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe procesuimin më efikas të këtyre rasteve. Kryeprokurori i përgjithshëm i Malit të Zi, Millorad Markoviq, theksoi se Prokuroria shtetërore e vendit ka arritur përparim të rëndësishëm në fushën e ndjekjes së krimeve të luftës, veçanërisht përmes përmirësimit të bashkëpunimit me Mekanizmin e përhershëm ndërkombëtar për Gjykatat penale, si dhe bashkëpunimin bilateral me prokuroritë e rajonit. Ai theksoi se, megjithë sfidat si kalimi i kohës dhe burimet e kufizuara të Prokurorisë speciale të shtetit, nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet prokurorive rajonale janë arritur rezultate konkrete në procesuimin e krimeve të luftës.
Seanca e rrallës ndaj Medenicës në mes të shtatorit, ndoshta edhe lirohet?
Nëse vendimi nuk shpallet deri më 17 tetor, Millosh Medenica, në përputhje me ligjin, do të dalë nga burgu hetimor në Spuzh, ku ndodhet që nga 25 maji i vitit 2022. Seanca e radhës në procesin kundër Vesna dhe Millosh Medenicës, si dhe të pandehurve të tjerë, është caktuar për 17 shtator. Për shkak të pengimit të procesit, që siç thuhet në vendimin e Këshillit të Gjykatës së Lartë të Podgoricës, ka të bëjë me skadimin e afatit të paraburgimit të Millosh Medenicës, dje, ish kryetares së Gjykatës së lartë, Vesna Medenica, iu caktua masa e arrestit shtëpiak.
Dialog strategjik ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në fushën e energjisë
Marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe kanë potencial të fuqishëm për t’u zhvilluar në një partneritet që do të sjellë rezultate konkrete, veçanërisht në fushën e energjetikës dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ministri malazez i energjetikës, Admir Shahmanoviq, gjatë vizitës së tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, u takua me ministrin e Industrisë dhe teknologjive të avancuara të këtij vendi, drejtorin e përgjithshëm të ADNOK-ut, e kryetar i kompanisë Masdar, sulltan Ahmed All Xhaber. All Xhaber theksoi se Mali i Zi është njohur në Emirate si partner i besueshëm dhe si vend me potenciale të jashtëzakonshme natyrore. Ai, sipas kumtesës së ministrisë malazeze të energjetikës, theksoi se ka ardhur koha që ky potencial të shndërrohet në projekte të përbashkëta që do të kontribuojnë në bashkëpunimin ekonomik dhe investues.
Vukoviq: Qytetarët do të investojnë për herë të parë drejtpërdrejt në obligacione shtetërore
Ministri i Financave, Novica Vukoviq, në një intervistë për revistën “Bankar”, njoftoi se do të nisë programin e quajtur „retail obligacione“, pjesë e parë e obligacioneve shtetërore dedikuar qytetarëve, si formë e re dhe e sigurt investimi, e cila do të ofrojë kushte më të favorshme sesa kursimet bankare tradicionale. Ky instrument, i përshtatur për nevojat e popullsisë me shuma nominale më të ulëta, do të jetë i disponueshëm përmes bankave komerciale pa kosto shtesë për qytetarët. Ai shpjegoi se qeveria, përmes obligacioneve „retail“, po hap një treg të ri të investimit për qytetarët dhe po forcon sistemin financiar vendas. Njëkohësisht, ai tha se, në përputhje me ligjin vjetor të buxhetit, është lënë mundësia për borxh shtesë deri në 500 milionë euro nëse jetë e nevojshme, por vetëm për të forcuar mbrojtjen fiskale dhe për të shlyer borxhin ekzistues. Vukoviq vuri në dukje se deficiti dhe borxhi publik janë nën kontroll, se ka vazhdimisht suficit në shpenzimet e tanishme dhe se rritja e mbledhjes së TVSH-së dhe akcizës tregon qartë për rritje të aktivitetit ekonomik.
Kordiq: Rritje e numrit të turistëve pavarësisht sfidave të shumta
Statistikat e MONSTAT-it për shtatë muajt e parë të këtij viti treguan një rritje të numrit të turistëve në të gjitha format e akomodimit prej 4.28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me vitin 2019, numri i vizitorëve është më i lartë për 14%, kurse numri i buajtjeve është rritur mbi 16%, gjë që tregon qartë se ky sezon ka qenë shumë i suksesshëm. Siç është bërë e ditur nga Ministria e Turizmit, Kordiq theksoi se “bëhet fjalë për trende dhe tregues të rëndësishëm të politikave të zbatuara në mënyrë të përshtatshme, duke pasur parasysh që ky sezon nuk ka qenë i lehtë, për shkak të sfidave të shumta me të cilat jemi përballur”. Kordiq tha se edhe për muajin shtator ka paralajmërime të shkëlqyera. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e investimeve të përgjegjshme në veri të Malit të Zi, duke përmendur se gjatë kësaj vere, në disa zona është regjistruar vizitueshmëri deri në 95%.
Gjetja e zgjidhjes të drejtë për pagesat e punëtorëve të Kripores
Ministria e punës, punësimit dhe dialogut social është e gatshme të hyjë në dialog më intensiv me institucionet kompetente dhe me përfaqësuesit e punëtorëve të Kripores së Ulqinit, që të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë për pagesën e të gjitha detyrimeve financiare. Ministrja Naida Nishiq, është takuar me përfaqësuesit e punëtorëve të Kripores, me synim të trajtohet çështja e pagesave të prapambetura. Nishiq përkujtoi se ministria ka zgjidhur me sukses disa probleme shumëvjeçare të punëtorëve të ndërmarrjeve malazeze në procesin e tranzicionit që kanë kaluar në fazën e falimentim dhe ndërprerje të punës. Ministrja është e bindur se me përkushtim dhe dialog gjithëpërfshirës do të arrihet zgjidhje e qëndrueshme edhe në këtë rast.
Konferencë ndërkombëtare për transformimin digjital në shëndetësi
Oda Amerikane e Tregtisë në Mal të Zi – AmCham, do të organizojë konferencën e dytë ndërkombëtare për transformimin digjital në shëndetësi me temën „Mbrojtja e shëndetit si investim afatgjatë për rritje sociale e ekonomike“. Siç u bë e njoftuar nga “Reprezenti”, konferenca do të mbahet të martën që vjen në Podgoricë. Në këtë konferencë do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, komunitetit të biznesit, punonjës shëndetësorë dhe ekspertë ndërkombëtarë, me qëllim që bashkë të shqyrtojnë lidhjen mes shëndetit, inovacionit dhe zhvillimit shoqëror. Siç parlajmërohet, ata do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë rolit të transformimit digjital dhe të dhënave shëndetësore në formësimin e politikave efikase dhe të qëndrueshme.
Nga mesi u muajit të ardhshëm përsëri ilaçet me recetë edhe në privat
Qytetarët në gjysmën e dytë të tetorit, përsëri do të mund të marrin ilaçe me recetë në farmacitë private. Deri atëherë, barnat mund t’i marrin vetëm në barnatoret e shtetit, deklaroi për Televizionin e Malit të Zi Zdravko Vuksanoviq, ndihmës drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Siç deklaroi ai, thirrja publike për farmacitë private do të zgjasë deri më 19 shtator, e më pas do të vazhdojë procedura e mëtejshme që do të përfundojë në gjysmën e dytë të tetorit. Vuksanoviq gjithashtu deklaron se nga Montefarmi kanë theksuar se nuk ka frikë se do të ketë mungesë barnash.
Nedoviq: Vlera e përbashkët e kolektorit në Botun, tejkalon politikën e përditshme
Jellena Nedoviq, deputete nga partia Evropa Tani e kryetare e Këshillit kuvendor administrativ deklaroi se ndërtimi i kolektorit në Botun, në afërsi të Podgoricës, por në komunën e Zetës, nuk është vetëm detyrim teknik, por investim në të ardhmen e pastër dhe të shëndetshme, si dhe zgjidhje për problemin e ujërave të zeza që ka rënduar Podgoricën në vite. „Pres që Agjencia për mbrojtjen e mjedisit në periudhën e ardhshme të dorëzojë mendimin profesional, dhe jam e bindur se projekti do të përputhet me të gjitha standardet dhe rregulloret mjedisore. Kjo do të përbëjë hap kyç përpara drejt modernizimit të infrastrukturës komunale, mbrojtjes së lumit Moraça dhe ruajtjes së shëndetit të qytetarëve tanë“, deklaroi Nedoviq.
Gazdiq: Komisioni ende nuk ka dhënë mendim pozitiv për ndërtimin e kolektorit
Drejtori i Agjencisë për mbrojtjen e mjedisit, Millan Gazdiq, deklaroi se komisioni i kësaj agjencie ende nuk ka dhënë mendim pozitiv për ndërtimin e kolektorit në Botun, siç kishte thënë më parë kryetari i Partisë Popullore Demokratike, Millan Knezheviq. Knezheviq pretendon se mendimi eventual pozitiv i kësaj Agjencie konfirmon veprim kriminal të koordinuar kundër shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit, duke ftuar Prokurorinë speciale të nisë procedim kundër anëtarëve të komisionit. Nëse nuk ndodh, ai ka paralajmëruar se do të dorëzojë vetë padi penale. Nga ana tjetër, Gazdiq tha për Televizionin Vijesti se mendimi ende nuk është dhënë, por se do të bëhet i njohur deri nesër. Më herët, Knezheviq kishte thënë se është detyra e tij të njoftojë opinionin se komisioni i formuar nga Agjencia për mjedis tashmë ka përgatitur mendim pozitiv dhe pajtim për ndërtimin e kolektorit në Botun.
Knezheviq: Mendim pozitiv për kolektorin në Botun është kundër interesave të qytetarëve
Kryetari i Partisë Popullore Demokratike, Millan Knezheviq, ka deklaruar se Komisioni i formuar nga Agjencia e Mjedisit jetësorë ka përgatitur mendim pozitiv dhe është pajtuar për ndërtimin e kolektorit në vendin Botun. Ai e sheh këtë si dëshmi të veprimit të koordinuar kriminal kundër shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit, duke theksuar se pas kësaj, të cilën e quan akt kriminal, që nesër edhe do të formalizohet zyrtarisht, bëhet e qartë se në këtë rast bëhet fjalë për korrupsion të lartë. „Duket se disa kanë vendosur t’i përfundojnë karrierat e tyre politike dhe akademike me faqe të zezë, dhe pas kësaj as Spuzha nuk do të jetë larg për ta”, deklaroi Knezheviq.
Të tërhiqen aplikimet online, duhet të jenë më transparente
Shoqata e qiramarrësve i bëri thirrje Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, që të tërheqë aplikimet aktuale online për projektin Velje Brdo dhe të prezantojë një metodë transparente dhe të arritshme aplikimi, duke përfshirë mundësinë e aplikimit që nuk është vetëm online. Shoqata deklaron se një sistem i tillë aplikimi përbën diskriminim sepse u mohon mundësinë qytetarëve që nuk kanë mundësinë e aplikimit online. Nëse kërkesat e tyre nuk respektohen, ata thonë se do t'i drejtohen gjyqësorit dhe institucioneve të tjerave.
Eurobarometri: 56% e qytetarëve evropianë pro pranimit të anëtarëve të rinj në BE
Evropa po përgatitet të diskutojë një zgjerim të ri, dhe opinioni publik duket se po lëviz në dy pista paralele: hapje e Unionit dhe dyshimi mbi funksionalitetin e saj, shkruan adnkronos.it. Sipas Eurobarometrit të fundit, 56% e qytetarëve të BE-së janë ”Pro” pranimit të anëtarëve të rinj, por vetëm nëse ata respektojnë plotësisht rregullat e përbashkëta komunitare. Ata që japin më shumë konsensus janë të rinjtë: dy në tre midis moshës 15 dhe 39 vjeç e konsiderojnë zgjerimin një hap të duhur, të bindur se më shumë shtete në BE do të thotë mundësi më të mëdha punësimi, lëvizshmërie dhe ndikim global. Por kur bëhet fjalë për frikën, të dhënat bëhen më të theksuara: 47% përmendin imigracionin e pakontrolluar si shqetësimin e tyre kryesor, 41% kanë frikë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, dhe 38% kanë frikë nga kostot për taksapaguesit. Shqetësime të tjera përfshijnë cenueshmërinë ndaj sfidave të reja të sigurisë (29%) dhe erozionin e vlerave evropiane (24%).
Kosova pjesëmarrëse në Konferencën Rajonale për Krimet e Luftës në Kroaci
Me ftesë të Kryeprokurorit të Shtetit të Kroacisë, një delegacion i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i përbërë nga Kryeprokurori Blerim Isufaj, dhe prokurorët e Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës Ilir Morina dhe Florije Shamolli, po merr pjesë në Konferencën Rajonale për Krimet e Luftës. Tema kryesore e konferencës ishte bashkëpunimi ndërkombëtar dhe koordinimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës. Në fjalën e tij, Kryeprokurori Isufaj informoi të pranishmit mbi punën e Prokurorisë Speciale të Kosovës në trajtimin e këtyre rasteve, angazhimin dhe përkushtimin e institucionit në hetimin e krimeve të luftës dhe ngritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ndërkohë, edhe pjesëmarrësit tjerë në këtë konferencë u pajtuan për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë dhe në marrjen e masave që mundësojnë mbrojtje adekuate të viktimave të këtyre shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.
Kosova ngre aktakuzë për spiunazh ndaj ish-punonjëses serbe të OSBE-së
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të enjten aktakuzë kundër të pandehurës J.GJ. - nga komuniteti serb - nën dyshimet për kryerje të veprës penale të “spiunazhit”. E pandehura, e cila ka punuar në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në degën në Mitrovicë, është arrestuar më 28 shkurt të këtij viti në Jarinjë, pikë e kalimit mes Kosovës dhe Serbisë. Prokuroria ka thënë se për një afat të pacaktuar e deri në ditën e arrestimit, e pandehura "me vetëdije ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë”. Autoritetet e Kosovës e kanë dënuar Vllajiqin në qershor të këtij viti me pesë vjet burgim, pasi ai e kishte pranuar fajësinë, duke thënë se është përfshirë në spiunazh si anëtar i BIA-s serbe. Ai është dënuar edhe për posedim të paligjshëm të armëve.
KQZ hedh short për renditjen e subjekteve politike për zgjedhjet lokale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka finalizuar të enjten procesin e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi, ka bërë të ditur në nisje të procesit se në këto zgjedhje garojnë 5.626 kandidatë dhe prej tyre 206 janë kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvende komunale. Në zgjedhjet lokale për 38 komuna janë certifikuar 93 subjekte, 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë në nisje të tërheqjes së shortit se ky hap tregon se procesi përgatitor ka hyrë në fazën përfundimtare. “Zgjedhjet janë themeli i një demokracie, pasi përmes tyre qytetarët shprehin vullnetin politik duke zgjedhur përfaqësuesit në nivelin qendror dhe lokal”, ka thënë ai.
Zyra e PE-së për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, Spiropali: Impuls për integrimin
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot në Kryesinë e Kuvendit, ambasadorin e BE, Silvio Gonzato dhe drejtuesen e Zyrës së Përfaqësimit të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, Tatiana Mrazikova. Spiropali e cilësoi zyrën si “antena e Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor” dhe u shpreh se ajo është “një impuls i fuqishëm për integrimin dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit, si dhe për lidershipin e Shqipërisë në këto procese.” Zyra e Përfaqësimit do të përshpejtojë dhe mbështesë proceset e integrimit, si dhe do të nxisë e fuqizojë ndërveprimin dhe mbështetjen e Parlamentit Europian me Kuvendin e Shqipërisë dhe parlamentet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Të paktën 17 të vdekur në Lisbonë pasi tramvaji del nga binarët
Të paktën 17 njerëz humbën jetën dhe rreth 18 u lënduan të mërkurën, kur tramvaji elektrik në Lisbonë, i njohur për turistët, doli nga binarët dhe u përplas, tha për gazetarët një zëdhënës i shërbimit të emergjencës. Autoritetet nuk i identifikuan viktimat dhe nuk zbuluan kombësitë e tyre, por thanë se mes të vdekurve ka edhe shtetas të huaj. “Është një ditë tragjike për qytetin tonë... Lisbona është në zi, është një ngjarje tragjike, tragjike”, u shpreh kryebashkiaku i kryeqytetit portugez, Carlos Moedas. Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, shprehu keqardhje për aksidentin tragjik në një deklaratë, duke shpresuar që autoritetet së shpejti do ta zbulojnë shkakun e përplasjes.
Zelensky takohet me udhëheqësit evropianë në Paris
Udhëheqësit evropianë dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, takohen më 4 shtator në Paris, në një përpjekje të re për të rritur presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, pasi ai u zotua se vendi i tij do të luftojë në Ukrainë nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje. Në Perëndim është rritur zemërimi për atë që udhëheqësin thonë se është mosvullnet i presidentit rus për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që Moska nisi kundër Ukrainës tre vjet e gjysmë më parë. Samiti, që do të udhëhiqet nga liderët e Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, synon që të forcojë planet për garancitë e sigurisë për Ukrainën nëse ose kur të arrihet një armëpushim, por edhe që udhëheqësit të kenë një pamje më të qartë për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara. Udhëheqësit evropianë kanë qenë të rezervuar lidhur me natyrën e garancive, të cilat pritet të përfshijnë vendosjen e trupave evropiane në Ukrainë, trajnime dhe mbështetje nga SHBA.
Trump thotë do të zhvillojë bisedime për Ukrainën në ditët në vijim
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha të mërkurën se synon të zhvillojë bisedime për luftën në Ukrainë në ditët e ardhshme, pasi në samitin i tij në gusht me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nuk solli ndonjë përparim. Trump është i zhgënjyer nga pamundësia për ta ndalur luftën pushtuese të Rusisë në Ukrainë, e cila nisi në shkurt të vitit 2022, pasi fillimisht kishte parashikuar se do të ishte në gjendje ta përfundonte shumë shpejt kur e mori detyrën në janar.
Trump tha se do bisedimet do të mbahen në ditët e ardhshme. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump sot pritet të flasë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Kina mohon se ka komplotuar me Korenë e Veriut dhe Rusinë kundër SHBA
Kina e ka mbrojtur vendimin e saj për t’i ftuar liderët e Rusisë dhe Koresë së Veriut në ceremoninë përkujtimore për përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, pasi presidenti amerikan, Donald Trump e ka akuzuar se e ka shfrytëzuar këtë ngjarje për komplot kundër Shteteve të Bashkuara. Trump i ka bërë disa komente në platformën e tij Truth Social, duke përmendur liderin kinez, Xi Jinping, liderin verikorean, Kim Jong Un dhe presidentin rus, Vladimir Putin, të cilët kanë marrë pjesë në një paradë të madhe ushtarake, në të cilën Kina i ka shpërfaqur kapacitetet ushtarake. “Ia përcillni përshëndetjet më të ngrohta Vladimir Putinit dhe Kim Jong Unit, teksa bëni komplot kundër Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar Trump duke iu drejtuar liderit kinez.
Protestuesit izraelitë bllokojnë autostradën Tel Aviv-Jeruzalem
Protestuesit izraelitë bllokuan autostradën kryesore që lidh Tel Avivin dhe Jeruzalemin në mbrëmje për të kërkuar lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës. Dhjetëra protestues, përfshirë familje të pengjeve izraelite, mbyllën “autostradën 1” në të dy drejtimet pranë kryqëzimit Anava, sipas të përditshmes “Yedioth Ahronoth”. “Pengjet po vdesin” dhe “Qeveria izraelite po vret pengjet” brohoritën protestuesit gjatë tubimit të tyre. Policia më vonë tha se i shpërndau protestuesit dhe e rihapi rrugën për trafik.
Media izraelite raportoi se qindra protestues u ngjitën në shinat e trenit të lehtë në rrugën “Jaffa” në Jeruzalem pasi thyen barrierat dhe u përballën me policinë pas një proteste jashtë rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Tel Avivi pretendon se 48 pengje izraelite mbeten në Gaza, përfshirë 20 të gjallë.
Hamasi gati për marrëveshje me Izraelin, reagon Netanyahu: Përrallë!
Hamasi deklaroi edhe një herë se është gati të vazhdojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse armëpushimi në Gaza , duke vënë në dukje se është i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet, por në këmbim të lirimit të palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite. Nga ana e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshkroi njoftimin e ri të organizatës së armatosur si “një tjetër përrallë të Hamasit që nuk përmban asgjë të re”. Ai kërcënoi se lufta do të përfundojë vetëm pasi të lirohen të gjithë pengjet, Hamasi të çarmatoset, Gaza të çmilitarizohet, Izraeli të fitojë kontroll të plotë të sigurisë mbi Rripin e Gazës dhe një qeveri politike “alternative” që nuk është as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez të marrë përsipër qeverisjen.
Nesër moti kryesisht me diell, në veri me vranësira të pakta
Në Mal të Zi, në jug dhe pjesët qendrore po mban mot kryesisht i kthjellët, kurse ne veri me vranësira të ndryshueshme. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Herceg Novi 32 gradë, Podgoricë 31, Budvë 30, Ulqin e Tivar 29, Cetinë e NIkshiq 28, Bijello Pole 26, Rozhajë e Beranë 25, në Plevle, Kollashin e Guci 23 dhe në Zhablak 19 gradë. Për nesër pritet mot kryesisht me diell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, e drejtimeve të ndryshueshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 7 deri në 21, kurse më e larta e ditës prej 23 deri në 33 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар