- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
14. 10. 2025.
00:00 >> 18:13
Ditari 14.10.2025
Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj
MILLATOVIQ: ZGJEDHJA E GJYQTARËVE TË GJYKATËS KUSHTETUESE NUK DUHET TË JETË SUBJEKT I PAZAREVE POLITIKE
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tërhoqi vërejtjen se zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të jetë subjekt i pazareve politike, duke theksuar se shteti funksionon prej muajsh në krizë dhe se pavarësia e institucioneve është thelbësore për rrugën evropiane të Malit të Zi. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një seance të parlamentit, ku pritet të votohet për kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana e qeverisë është bërë me dije se ata janë të detyruar të mbrojnë interesat e të gjithë qytetarëve, ndërsa opozita akuzoi për pazare partiake në këtë proces. Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve dhe Socialdemokratëve u larguan nga salla në shenjë pakënaqësie. Të rikujtojmë se, Millatoviq më herët ka propozuar avokaten Mirjana Vuçiniq për gjyqtare të kësaj gjykate. Ndërkohë, Komisioni Kushtetues ka propozuar për zgjedhje Mirjana Radoviqin, zëvendëse e Avokatit të Popullit, dhe Jovan Jovanoviqin, gjyqtar i Gjykatës së Lartë në Podgoricë.
URSULA VON DER LEJEN: ËSHTË E RËNDËSISHME QË REKOMANDIMET E KOMISIONIT TË VENECIAS TË ZBATOHEN PA VONESË
Më herët sot në Tivat, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, zhvilloi bisedime me autoritetet malazeze mbi nevojën për të kompletuar përbërjen e Gjykatës Kushtetuese përmes zgjedhjes së katër gjyqtarëve të rinj. Ajo theksoi se është e rëndësishme që rekomandimet e Komisionit të Venecias të zbatohen pa vonesë. Me këtë qëndrim u pajtua edhe kryeministri Millojko Spajiq, i cili u bëri thirrje deputetëve që të votojnë sa më shpejt gjyqtarët e rinj. Në hapjen e konferencës së parë investuese ndërmjet Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian u theksua gjithashtu se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkim Evropian është një qëllim i arritshëm dhe se ekziston mundësia për mbylljen e pesë kapitujve të negociatave deri në fund të vitit. Von der Lejen theksoi se duhet të përshpejtohen reformat në fushën e sundimit të ligjit, të ketë transparencë në prokurimet publike dhe në këtë mënyrë të dërgohet një sinjal se Mali i Zi është një vend i besueshëm për zhvillimin e biznesit. Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, tha se deri në fund të vitit 2026 do t’i mbyllim të gjitha kapitujt e negociatave, në mënyrë që të bëhemi anëtar i bllokut deri në fund të vitit 2028.
PRINCI NIKOLLA PETROVIQ :EMRI PETROVIQ NJEGOSH DUHET T’I BASHKOJË MALAZEZËT, E JO T’I NDAJË
Në lidhje me debatet e shkaktuara nga propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin e pasardhësve të Dinastisë Petroviq Njegosh, princi Nikolla Petroviq ka shprehur zhgënjimin e thellë dhe ka deklaruar se emri Petroviq Njegosh duhet t’i bashkojë malazezët, e jo t’i ndajë. Në një deklaratë të dërguar medieve nga Fondacioni Petroviq Njegosh, princi tha se i ishte dukur e sinqertë nisma e kryeministrit për të qetësuar situatën dhe për të gjetur kompromise të reja, por se vetë termi aneksim nënkupton fjalën i dhunshëm. Princi theksoi gjithashtu se për të, fjala aneksim mbetet një fakt historik që e fshiu Malin e Zi nga hartat dhe e hodhi familjen e tij në vuajtje, por ia lë historianëve të diskutojnë mbi ngjarjet e vitit 1918. Sipas ndryshimit të propozuar, parashikohet që nga neni 1 i ligjit aktual të hiqet fjala “i dhunshëm” nga formulimi, që i referohet aneksimit të Malit të Zi në vitin 1918. Propozimi është paraqitur në parlament nga deputetët e Lëvizjes Evropa Tani, Gordan Stojoviq dhe Milosh Pizhurica.
IVANOVIQ: MALI I ZI PO BËN PËRPARIM VENDIMTAR NË PROCESIN E INTEGRIMIT EVROPIAN
Zëvendëskryeministri për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq, tha se Mali i Zi po bën përparim vendimtar në procesin e integrimit evropian, me qëllim që të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028. "Mali i Zi po mbyll kapitujt e negociatave dhe po zbaton reforma për të përmbushur qëllimin për t'u bërë anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028. Përveç kësaj, Mali i Zi po udhëheq në përmbushjen e Axhendës së Reformave, së fundmi është bashkuar me SEPA-n, dhe që nga fillimi i vitit të ardhshëm, qytetarët nuk do të paguajnë tarifa roaming në vendet e BE-së. Këto janë vetëm disa nga përfitimet e prekshme që qytetarët dhe ekonomia do të ndiejnë", tha Ivanoviq. Ai theksoi se, me një vrull të fortë investimi, projekte të reja dhe mbështetjen e shprehur të institucioneve të Bashkimit Evropian, siç dëshmohet nga mesazhet e qarta të Presidentit të Komisionit Evropian, realizimi i vizionit të Malit të Zi si një shtet i begatë për të gjithë qytetarët e tij dhe anëtari i parë i ardhshëm i BE-së po bëhet gjithnjë e më i sigurt.
KUVENDI: VALA E INVESTIMEVE DO TË VAZDOJË
Në Kuvend, deputetët përfunduan diskutimin për marrëveshjet e bashkëpunimit midis Malit të Zi dhe Hungarisë në fushat e infrastrukturës dhe telekomunikacionit, si dhe për miratimin e marrëveshjes midis qeverive të Malit të Zi dhe Francës. Deputetët e shumicës parlamentare thonë se vala investimeve do të vazhdojë, ndërsa opozita ngre shqetësime se, sipas tyre, kompanive hungareze do t’u mundësohet të konkurrojnë për projekte pa ndjekur procedurat standarde të prokurimeve publike. Marrëveshja e bashkëpunimit me Hungarinë në fushën e zhvillimit të infrastrukturës, siç tha ministrja e Punëve Publike Majda Axhoviq, hap mundësinë për realizimin e projekteve kyçe infrastrukturore si ndërtimi i autostradës dhe modernizimi i linjës hekurudhore. Ndërkaq, Marrëveshja me Qeverinë e Republikës së Francës për realizimin e projekteve parësore në Malin e Zi, siç sqaroi ajo, mundëson bashkëpunim në projektimin dhe ndërtimin e spitalit universitar, burimeve të ripërtërishme të energjisë, e-qeverisjes, si dhe në projektimin dhe ndërtimin e qendrës administrative brenda Montenegro Business Distriktit. Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Mihaillo Angjushiq, tha se këto marrëveshje po bëhen në një moment kritik të përfundimit të negociatave me BE-në dhe se ato nuk do të ishin të mundshme pas anëtarësimit, pasi shmangin sistemin e prokurimeve publike, dhe se marrëveshjet e këtilla mund të jetë burim i mundshëm korrupsioni.
VUKIQEVIQ NËNSHKRUAN MEMORANDUM ME WIZZ AIR: BAZË ME DY AVIONË DHE MË SHUMË SE 20 ITINERARE NGA PODGORICA
Ministrja e Transportit Maja Vukiqeviq nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi me Drejtorin Ekzekutiv të Wizz Air, Jozhef Varadi, i cili parashikon futjen e më shumë se njëzet linjave të reja ajrore nga Mali i Zi dhe hapjen e një baze të përhershme të kompanisë me kosto të ulët në Podgoricë. Memorandumi i Bashkëpunimit midis Ministrisë së Transportit dhe Wizz Air u nënshkrua në Konferencën e Investimeve BE-Mali i Zi, me titull "Rritje e Mençur, E Ardhme e Gjelbër: Përshpejtimi i Investimeve në Mal të Zi", e cila po mbahet në vendbanimin Lushtica Bay.
Në nënshkrim morën pjesë Ministrja e Transportit Maja Vukiqeviq, Drejtori Ekzekutiv i Wizz Air Jozhef Varadi dhe Drejtori i Aeroporteve të Malit të Zi Roko Toliq. Dokumenti përcakton aktivitete të përbashkëta që synojnë forcimin e aksesueshmërisë së aeroporteve malazeze dhe zgjerimin e rrjetit të rrugëve me kosto të ulët në destinacionet më të rëndësishme evropiane. "Bashkëpunimi me Wizz Air hap një kapitull të ri për trafikun ajror dhe turizmin malazez. Presim rezultate konkrete në muajt e ardhshëm", tha Ministrja Vukiqeviq për TMZ .Memorandumi me Wizz Air është pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës së transportit, e cila përfshin gjithashtu vazhdimin e ndërtimit të autostradës Tivar -Bolare, si dhe procesin e koncesionimit të Aeroportit të Malit të Zi, për të cilin pritet të merret një vendim deri në fund të vitit.
BE-JA PRET CERTIFIKIM TË SHPEJTË TË REZULTATEVE DHE TRANZICION TË RREGULLT TË PUSHTETIT
Bashkimi Evropian ka mirëpritur procesin zgjedhor paqësor në Kosovë dhe është shprehur e kënaqur që në rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor pati pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve. “Për ato komuna ku kryetarët janë zgjedhur në rundin e parë, ne bëjmë thirrje për një certifikim të shpejtë dhe zbatim të rezultateve të zgjedhjeve përmes një tranzicioni të rregullt të pushtetit lokal”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper.“Për komunat e tjera, ku do të zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune, bëjmë thirrje për një proces po aq paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës më 9 nëntor”, shtoi ajo. Nga BE-ja theksojnë se aktualisht në Kosovë ndodhet misioni i tyre i ekspertëve, me ftesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit. Ky ekip po vëzhgon procesin zgjedhor dhe, në fund, do të japë vlerësimin të të gjithë procesit. “Raporti i Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) në Kosovë, i majit 2025, theksoi disa raste të ndërhyrjeve gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në shkurt të vitit 2025. Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga veprime të tilla gjatë periudhës zgjedhore”, theksoi Hipper. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë akuzuar Serbinë për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë, duke “blerë” komunitetin serb që të votojë për Listën Serbe, dhe kanë kërkuar reagim nga Bashkimi Evropian.
KURTI THOTË SE ENDE S’KA NISUR DISKUTIME ME PARTITË PËR FORMIMIN E EKZEKUTIVIT
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ende nuk i ka nisur diskutimet me partitë tjera lidhur me formimin e Qeverisë së re të Kosovës.Më 10 tetor, Kurti, udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, është mandatuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për formimin e ekzekutivit të ri. I kemi më shumë se dhjetë ditë , tha Kurti kur u pyet nëse ka nisur diskutimet me subjektet politike për qeverisjen qendrore. Një ditë më pare Kurti paralajmëroi se diskutimet për Qeverinë e re të Kosovës do t’i nisë këtë javë. Ndërkohe, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhvahire Izmaku , bëri me dije se partia e saj ka një përgjegjshmëri politike dhe s’ka asnjë arsye mos me qenë në tavolinë të diskutimit me Lëvizjen Vetëvendosje. Ajo theksoi se nëse formimi i qeverisë së re varet vetëm nga tri votat e Nismës, atëherë në raport me krijimin e institucioneve të reja nuk do të ketë kushte.
TË PERSONA PËR KRIME LUFTE NË SHTËRPCI DËNOHEN ME GJITHSEJ 25 VJET BURG
Tre pjesëtarë të njësisë "Hakmarrësit" u dënuan sot nga Gjykata e Lartë në Beograd me gjithsej 25 vjet burg për krime lufte në Shtrpci, në Bosnje dhe Hercegovinë, në vitin 1993. Pjesëtarët e njësisë, e cila vepronte në përbërje të Ushtrisë së Republikës Serbe, Gojko Lukiq dhe Dushko Vasileviq u dënuan me nga 10 vjet secili, ndërsa Dragana Gjekiq me pesë vjet burg.
Kjo është një aktgjykim i shkallës së parë në një proces të përsëritur, dhe Prokuroria si dhe të dënuarit kanë të drejtën e ankesës. Gjyqi për rrëmbimin e 20 pasagjerëve jo-serbë nga një tren në qytetin e Shtërpcës dhe abuzimin, torturën dhe vrasjen e tyre ka vazhduar në Serbi për gati një dekadë. Dy nga pesë të pandehurit kanë vdekur që atëherë. Të gjithë të pandehurit u mbrojtën nga liria gjatë gjyqit. Përfaqësuesit e familjeve të viktimave thonë se nuk janë të kënaqur me vendimin e shkallës së parë.
PRESIDENTI AMERIKAN DHE UDHËHEQËSIT E EGJIPTIT , KATARIT DHE TURQISË KANË NËNSHKRUAR NJË DEKLARATË PËR SJELLJEN E PAQES NË GAZA
Shtëpia e Bardhë ka publikuar marrëveshjen e nënshkruar në samitin e Paqes për Gazën, e cila formalizonë planin për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme. Marrëveshja është quajtur ”Marrëveshja e Paqes e Trampit” . Në dokument, ndër të tjera , thuhet se nënshkruesit përshëndesin angazhimin historik të të gjitha palëve , i cili i jep fund më shumë se dy viteve të vuajtjeve të thella dhe humbjeve , dhe hap një kapitull të ri për rajonin , i cili tani përcaktohet nga shpresa. Presidenti amerikan dhe udhëheqësit e Egjiptit , Katarit dhe Turqisë kanë nënshkruar një deklaratë për sjelljen e paqes në Gaza në një samit në vendpushimin egjiptian të Sharm el- Sheik. Një ditë e re dhe e bukur po lind dhe tani fillon rindërtimi , ka thënë Tramp , duke lavdëruar udhëheqësit rajonal që ndihmuan në arritjen e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.
ZELENSKI U KA BËRË THIRRJE UDHËHEQËSVE BOTËROR QË TË MOS E HUMBASIN VRULLIN PËR AVANCIMIN E PAQES
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, u ka bërë thirrje udhëheqësve botëror që të mos e humbasin vrullin për avancimin e paqes , duke e lidhur këtë me përparimin e fundit në Lindjen e Mesme, pas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza . Lufta në Evropë gjithashtu mund të marrë fund, deklaroi Zelenski , duke theksuar se roli dhe lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve ndërkombëtar janë vendimtare për t’i dhënë fund agresionit rus ndaj Ukrainës . Tani, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme po mbaron , është e rëndësishme të mos humbasim vrullin për të çuar përpara paqen. Lufta në Evropë gjithashtu mund të marrë fund , dhe për këtë , lidershipi si i Shteteve të Bashkuara ashtu edhe i partnerëve të tjerë është me rëndësi të madhe , shkroi Zelenski.
PASI UDHËHEQËSJA E POZITËS MARIA KORINA MACADO U VLERËSUA ME ÇMIMIN NOBEL PËR PAQEN , QEVERIA E VENEZUELËS MBYLLI AMBASADËN E SAJ NË OSLO
Tri ditë pasi udhëheqësja e pozitës Maria Korina Macado u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen , qeveria e Venezuelës ka mbyllur ambasadën e saj në Oslo. Në një deklaratë ambasada venezuelane njoftoi se po kryente një rikonstruim gjithëpërfshirës të shërbimeve të saj të punëve të Jashtme.
Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme e cila njoftoi mbylljen e ambasadës së Venezuelës , deklaroi se nuk kishte marrë asnjë shpjegim. Ne jemi informuar nga ambasada e Venezuelës se po mbyll dyert e saj, pa dhënë një arsye. Kjo është për të ardhur keq. Pavarësisht dallimeve tona për disa çështje , Norvegjia dëshiron të mbaj dialog të hapur me Venezuelën dhe do të vazhdojë të punojë drejt këtij qëllimi, theksoi zëdhënësja e ministrisë, Cecilia Roang. Sipas gazetës norvegjeze” Verdens Gang” , e cila dha lajmin numrat e telefonit të ambasadës ishin jashtë shërbimit.
NESËR MOT VRANËSIRA TË NDRYSHUESHME DHE KRYESISHT I THATË
Në pjesët jugore dhe qendrore mban mot kryesisht me diell, vende- vende me vranësira të pakta deri mesatare, kurse në veri kryesisht me vranësira mesatare deri plotësisht vranët. Frynë ere kryesisht e dobët e drejtimeve të ndryshme. Temperaturat e shënuara në orën 14: Ulqin 23, Tivar e Budvë 22, Podgoricë e Herceg Novi 21, Nikshiq e Cetinë 18, Beran e Shavnik 17, Bijello Pole 16, Kollashin e Guci 15, Plevle e Rozhajë 13 dhe në Zhablak 9 gradë.
Nesër në viset jugore pritet mot kryesisht me diell, me vranësira të pakta deri mesatare, kurse në veri, në mëngjes nëpër lugina me mjegull dhe vranësira të ulëta, kurse gjatë ditës me vranësira të ndryshueshme dhe kryesisht i thatë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit nga 1 deri në 14, kurse më e larta e ditës nga 9 deri në 24 gradë.
Коментари0
Остави коментар