Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

22. 10. 2025. 00:00 >> 17:09

Ditari 22.10.2025

Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj

SHARANOVIQ: KA PASUR NJË RËNIE NË SHKELJET E RENDIT DHE QETËSISË PUBLIKE

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi sot diskutuan për disa ligje. Në rend të ditës është Debati i Unifikuar mbi Raportin mbi Zbatimin e Ligjit për Tubimet Publike dhe Ngjarjet Publike në vitin 2023 dhe Raporti mbi Gjendjen e Sigurisë në Trafikun Rrugor për vitet 2023 dhe 2024.Deputetët gjithashtu diskutojnë sot për Raportin mbi Statusin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Qasjes në Informacion për vitin 2024. Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, tha se ka pasur një rënie në shkeljet e rendit dhe qetësisë publike. "Zbatimi i Ligjit për Tubimet Publike dhe Ngjarjet Publike, i cili është ndër më tolerantët në Evropë, me një qasje të përmbajtur dhe profesionale nga policia, pa kufizuar të drejtat e qytetarëve për t'u mbledhur, ka konfirmuar më tej lirinë e tubimit si themel i shoqërive moderne dhe demokratike", theksoi Sharanoviq. Ai tha se pret që Projektligji për Sigurinë në Trafikun Rrugor të miratohet në njërën nga seancat e ardhshme të Qeverisë dhe se do t'i paraqitet Parlamentit për procedurë dhe se beson se do të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur. Deputeti i Lëvizjes Evropa Tani, Miodrag Llakoviq, tha se rrugët tona janë tashmë të vjetruara për sa i përket planifikimit dhe ndërtimit kur bëhet fjalë për konceptin modern të trafikut, dhe se shumica e tyre nuk i plotësojnë kriteret themelore të sigurisë. Deputeti i PDS-së, Oskar Huter thotë se sipas mendimit të tij, Raporti nuk i paraqet mjaftueshëm aspektet cilësore të zbatimit të ligjit ose shkallën e realizimit të së drejtës së lirisë së tubimit të garantuar nga Neni 52 i Kushtetutës së Malit të Zi. Ai thotë se jemi të privuar nga një shpjegim nëse vendimet për ndalimin e tubimeve bazoheshin në baza ligjore apo kishin një sfond politik.

SPAJIQ: KOMPANITË KRYESORE JAPONEZE TË INTERESUARA PËR TË INVESTUAR NË MALIN E ZI

Kryeministri Millojko Spajiq njoftoi se disa nga kompanitë kryesore japoneze kanë shprehur interes për të investuar dhe zgjeruar biznesin e tyre në Mal të Zi. Sipas tij, këto janë Kawasaki, Toshiba, Mitsubishi dhe Hitachi."Këto janë disa nga kompanitë kryesore japoneze që sot në Londër, në një takim kushtuar investimeve në Mal të Zi, shprehën interes për të investuar dhe zgjeruar biznesin e tyre në vendin tonë", shkroi Spajiq në platformën X. Ai thekson se ky është konfirmimi më i mirë se reformat e zbatuara nga Qeveria, të cilat, siç thotë ai, çojnë në anëtarësim të sigurt në Bashkimin Evropian (BE), janë në shërbim të zhvillimit ekonomik. Kujtojmë se Spajiq po merr pjesë në Samit me ftesë të Kryeministrit Britanik Keir Starmer. Qeveria tha se Samiti përfaqëson një mundësi për të riafirmuar angazhimin e përbashkët për siguri, stabilitet dhe prosperitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë Evropën, të udhëhequr nga parimet e vendosura të Procesit të Berlinit. Siç thuhet në platformën për pjesëmarrje, pjesëmarrja në këtë ngjarje do të jetë një mundësi për të përmbledhur arritjet e Malit të Zi në rrugën e tij evropiane, për të analizuar aktivitetet në vazhdim dhe për të rënë dakord për angazhime dhe modele të mëtejshme bashkëpunimi në rajon. Samiti në Londër është samiti i 12-të i Procesit të Berlinit. Udhëheqësit e Ballkanit janë takuar deri më tani katër herë në Berlin dhe nga një herë në Londër, Vjenë, Paris, Trieste, Poznan, Sofje dhe Tiranë.

FONDACIONI KONRAD ADENAUER BESON SE PROCESI I BERLINIT ËSHTË I RËNDËSISHËM PËR MALIN E ZI

Jakov Devçiq nga Fondacioni Konrad Adenauer beson se Procesi i Berlinit është i rëndësishëm për Malin e Zi. Në programin e mëngjesit, ai shprehu pritshmëritë e tij që Mali i Zi, gjatë vitit të ardhshëm, do të luajë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e Procesit të Berlinit.

IVANOVIQ: MEDIAT DHE OJQ-TË MË KANË SHPALLUR FAJTOR

Ish-Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Petar Ivanoviq, tha dje gjatë shqyrtimit të aktakuzës se mediat dhe organizatat joqeveritare e kishin shpallur tashmë fajtor. "Nuk jam fajtor për atë për të cilën akuzohem dhe kjo procedurë synon diskreditimin tim dhe është organizuar nga disa media dhe organizata joqeveritare që më kanë shpallur fajtor - tha Ivanoviq, i cili akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare për një periudhë të zgjatur. Zyra e Prokurorit Special Shtetit akuzon gjithashtu ish-sekretarin në atë departament, Nemanja Katniq, dhe ish-kreun e Shërbimit të Kontabilitetit dhe Financave, Vukica Peroviq, për të njëjtën vepër penale. Të tre akuzohen se, në kundërshtim me Rregulloren mbi kushtet, mënyrën dhe dinamikën e zbatimit të masave të politikës bujqësore, i kanë paguar mbështetje financiare organizatës joqeveritare "Shoqata Kombëtare e Vreshtarëve dhe Prodhuesve të Verës të Malit të Zi" në shuma që variojnë nga 450 euro deri në 70,000 euro, ku 70,000 euro janë paguar vetëm nga një vendim në prill 2016, që është 12 herë më shumë se maksimumi i përcaktuar sipas dokumenteve të prokurorisë. Ivanoviq i kundërshtoi këto akuza, duke theksuar se ai ishte ai që propozoi rregulloren, e cila, si tha ai, Qeveria miratoi.. Ivanoviq kujtoi se Institucioni i Auditimit të Shtetit (DRI) kontrollonte gjithashtu ndarjen e këtyre fondeve, të cilat ishin fonde falas, të pakthyeshme, dhe se ato nuk kishin kritika apo komente. Prokurori Special i Shtetit, Jovan Vukotiq, tha se të gjitha provat në hetimin në fjalë u mblodhën ligjërisht dhe iu propozuan gjykatës për të konfirmuar aktakuzën. Avokatët mbrojtës ranë dakord se aktakuza ishte e pasaktë, se rregulloret u interpretuan në mënyrë selektive dhe propozuan që gjykata ta refuzonte atë si të pabazuara.

VUK MARASH: ELEKTRO-EKONOMIA PËRDORET PËR ARRITJEN E QËLLIMEVE POLITIKE

Elektro-ekonomia përdoret për arritjen e qëllimeve politike ashtu si në kohën e qeverisjes së PDS-së, sepse pushteti punëson njerëzit e vet për të siguruar vota. Këtë e deklaroi për programin e Mëngjesit drejtori ekzekutiv i BIRN-it për Malin e Zi, Vuk Marash, duke komentuar shkarkimin e drejtorit të Elektro-ekonomisë, Ivan Bullatoviq, para përfundimit të mandatit.

URA KA KËRKUAR FORMIMIN E NJË KOMISIONI HETIMOR DHE HAPJEN E NJË HETIMI PARLAMENTAR

Grupi parlamentare e Lëvizjes Qytetare URA ka kërkuar formimin e një Komisioni Hetimor dhe hapjen e një hetimi parlamentar me qëllim mbledhjen e informacionit dhe fakteve lidhur me veprimet e organeve shtetërore dhe subjekteve të tjera në rastin e dhënies së koncesionit për centralin me erë "Mozhur". Ata theksojnë se ka shumë elemente të dyshimta në këtë çështje, e cila, sipas tyre, po hetohet më shumë nga autoritetet e shteteve të tjera sesa nga ato në Mal të Zi.

CAMAJ: ENDE BESON NË MARRËVESHJEN QË KANË NËNSHKRUAR

Jam i bindur se shumica e qytetarëve të Malit të Zi janë të vetëdijshëm për atë që ne, si shumicë e re qeverisëse, kemi trashëguar pas vitit 2020. Megjithatë, pavarësisht faktit që nuk është e lehtë, dhe thuajse e pamundur brenda natës të ndryshohet gjithë ajo trashëgimi e keqe e një sundimi 30 vjeçar, edhe ne duhet të marrim përgjegjësinë tonë dhe të përshpejtojmë disa procese, deklaroi për gazetën Pobjeda, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj. Ai thotë se ende beson në marrëveshjen që kanë nënshkruar, e cila ende ia bashkon dhe obligon që, siç tha ai, të çrrënjosin deri në fund praktikat e këqija, sidomos kur bëhet fjalë për institucionet e shtetit. Kjo është para së gjithash e domosdoshme për rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin shtetëror dhe në rrugën tonë drejt Bashkimin Evropian, deklaroi Camaj, duke shtuar se duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se rezultatet e deritanishme janë të dukshme dhe të rëndësishme, dhe si dëshmi për këtë janë lavdërimet dhe mesazhet e inkurajimit gjithnjë e më të shpeshta nga partnerët tanë të BE-së.

NIKOLIQ: DHËNIA PAS VDEKJES E URDHRIT MË TË LARTË SHTETËROR DHE NGRITJA E PËRMENDORES PËR AMFILOHIJEN ËSHTË VAZHDIM I REVIZIONIZMIT HISTORIK

Dhënia pas vdekjes e urdhrit më të lartë shtetëror dhe ngritja e përmendores për Amfilohije Radoviqin është vazhdim i revizionizmit historik dhe ka për qëllim të maskojë të vërtetën për qeverisjen katastrofale pesëvjeçare të Malit të Zi– vlerësoi shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Socialistëve, Andrija Nikoliq. Ai shtoi se pushteti po i përshtatet trupës zgjedhore, sepse beson se ende është politikisht përfituese përulja ndaj kultit të Amfilohije Radoviqit, megjithëse, siç tha ai, edhe vetë e dinë që trashëgimia e tij është e diskutueshme dhe e papranueshme.

MILLATOVIQ: AMFILOHIJE BËRI THIRRJE PËR UNITET, LUAJTI NJË ROL KYÇ NË DEMOKRATIZIMIN E MALIT TË ZI

Presidenti malazez, Jakov Millatoviq theksoi se nuk e kishte shkelur ligjin dhe se nuk ishte e pazakontë që priftërinjve t’u jepeshin çmime shtetërore, dhe se Mitropoliti Amfilohije ishte një person kyç që bëri thirrje për tubimin dhe ndikoi në demokratizimin e Malit të Zi. "Duke i dhënë urdhrin më të lartë shtetëror të ndjerit Mitropolitit Amfilohije, Mali i Zi do të tregojë se e vlerëson atë që ai bëri", tha Presidenti malazez Jakov Millatoviq për Televizionin Vijesti. Ai shtoi se nuk e ka shkelur ligjin duke vepruar kështu dhe se nuk është e pazakontë që çmime shtetërore t'u jepen priftërinjve. Millatoviq do ta dekorojë zyrtarisht Amfilohijen pas vdekjes të premten, në përvjetorin e pestë të vdekjes së tij. Ai shpjegoi se Mitropoliti Amfilohije ishte një figurë kyçe që bëri thirrje për unitet në historinë më moderne malazeze, prandaj Mali i Zi ka ruajtur paqen. Më 19 tetor, Millatoviq njoftoi se kishte vendosur t’i jepte Amfilohijes pas vdekjes urdhrin më të lartë shtetëror.

PROCESI I BERLINIT PROMOVON REFORMA THELBËSORE PËR ANËTARËSIM NË BE

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot në Londër për të marrë pjesë në Procesin e Berlinit, së bashku edhe me udhëheqës të disa vendeve të Bashkimit Evropian, për të biseduar për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit. Procesi i Berlinit është nismë diplomatike e themeluar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, do t’i mirëpresë udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, dhe Maqedonia e Veriut, si dhe përfaqësues nga Gjermania, Franca dhe anëtarë të tjerë të BE-së. Në këtë samit do të marrë pjesë edhe kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz. Ministria e Jashtme e Britanisë tha në një komunikatë se udhëheqësit do të bisedojnë për stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, ku lufta kundër migracionit të paligjshëm, veçanërisht në rrugët kryesore të kontrabandës, do të theksohet si temë kyç. Britania pret që samiti ta forcojë bashkëpunimin e saj me partnerët evropianë për të zbatuar strategjinë e Qeverisë për t’i forcuar kufijtë, për t’i goditur bandat dhe për t’i kthyer ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vendet e tyre të origjinës. Gjithashtu, ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar po kërkon të rindërtojë marrëdhënien e saj me BE-në.

ZJARR DHE TË SHTËNA PRANË KUVENDIT TË SERBISË, NJË I PLAGOSUR

Një person është plagosur si pasojë e të shtënave të mërkurën pranë Kuvendit të Serbisë në Beograd gjatë një incidenti ku shpërtheu edhe zjarri në një tendë aty pranë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar këtë incident si “akt terrorist”. Duke folur në një ceremoni për nënshkrimin e një kontrate për ndarjen e fondeve për blerjen e shtëpive rurale, Vuçiq tha se i duhej të largohej nga kjo ngjarje për shkak të "aktit terrorist para Kuvendi të Serbisë". Ndërkohë, zjarri në tendë u shua rreth mesditës pasi ndërhynë zjarrfikësit dhe tymi që dilte nga tenda u zhduk pothuajse plotësisht, raportoi një gazetar i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. Policia ende nuk ka njoftuar zyrtarisht se çfarë ka ndodhur dhe çfarë e shkaktoi zjarrin që shpërtheu në tendat e vendosura në zonën që ruhet vazhdimisht nga policia.

TË PAKTËN GJASHTË TË VRARË, PËRFSHIRË FËMIJË, NË SULMET RUSE NË UKRAINË

Rusia ka kryer sulme të mëdha me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, duke i vrarë të paktën gjashtë njerëz, përfshirë dy fëmijë, thanë autoritetet. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për shtimin e trysnisë ndaj Kremlinit gjatë udhëtimit të tij drejt Suedisë, ku pritet të kërkojë më shumë armë mbrojtëse mes përpjekjeve të ngecura për paqe. Zelensky i cilësoi si “të liga” sulmet ruse dhe tha se ato goditën infrastrukturën energjetike dhe civile në të paktën dhjetë rajone të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, Kievin. “Një tjetër natë që dëshmon se Rusia ende nuk ndien mjaftueshëm trysni për zvarritjen e luftës. Fjalët e Rusisë për diplomacinë nuk kanë asnjë kuptim përderisa udhëheqja ruse nuk i ndien problemet kritike”, shkroi ai në X. Zelensky, i cili po shkon në Suedi për të biseduar për bashkëpunimin në fushën e mbrojtës mes dy vendeve, përsëriti pretendimin se armët me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën mund ta ndryshojnë rrjedhën e luftës gati katërvjeçare.

VANCE NË IZRAEL: SIGURIA NË GAZË PRIORITETI KRYESOR

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka refuzuar të japë detaje mbi formën përfundimtare të qeverisjes së ardhshme në Gazë, duke theksuar se vendosja e sigurisë për izraelitët dhe banorët e Gazës është prioriteti kryesor. JD Vance e bëri këtë deklaratë gjatë një konference shtypi në qendrën e koordinimit SHBA-Izrael për armëpushimin në Gazë. Vance mohoi se vizita e tij në Izrael këtë javë kishte për qëllim forcimin e marrëveshjes së armëpushimit, e cila u trondit pas sulmeve ajrore të ushtrisë izraelite (IDF) në Gaza, të kryera si përgjigje ndaj sulmit të fundit të Hamasit të dielën që vrau dy ushtarë izraelitë. Ai tha se vizita e tij kishte qenë e planifikuar për “muaj me radhë” dhe nuk lidhej drejtpërdrejt me ngjarjet e fundit. Duke përsëritur qëndrimin e presidentit Donald Trump, Vance tha se Uashingtoni nuk do të vendosë një afat të saktë për çarmatimin e Hamasit, por paralajmëroi se “nëse Hamasi nuk respekton marrëveshjen, do të ndodhin gjëra shumë të këqija.”

NIGERI: TË PAKTËN 29 PERSONA KANË HUMBUR JETËN, NDËRSA 24 TË TJERË JANË PLAGOSUR

Të paktën 29 persona kanë humbur jetën, ndërsa 24 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i një kamioni cisternë. Ngjarja ndolli pas një aksidenti në autostradën në shtetin Niger, në qendër të Nigerisë, kanë njoftuar shërbimet e emergjencës. Kamioni që transportonte karburant ishte përmbysur , dhe njerëzit kishin shkuar për të mbledhur karburantin.

GRABITJA NË LUVËR – MUZEU I FAMSHËM RIHAP DYERT PËR VIZITORËT

Muzeu i Luvrit në Paris hapi sërish të mërkurën dyert për vizitorët, pas grabitjes së të dielës që tronditi vendin. Forcat e zbatimit të ligjit janë ende në kërkim të katër autorëve të ngjarjes të cilët grabitën mëngjesin e së dielës tetë bizhuteri  të paçmueshme nga galeria Apolon e muzeut .Prokurori i Parisit u shpreh në një intervistë se bizhuteritë e vjedhura kanë një vlerë prej 88 milionë eurosh. Grabitja cilësoi si një goditje e fortë ndaj krenarisë së Francës. Ministri i Brendshëm i vendit u shpreh se incidenti kishte dëmtuar imazhin e Francës në skenën botërore. Ngjarja ndodhi pas orës 9:30 të mëngjesit të së dielës, ku katër autorët, duke përdorur një shkallë zgjatuese nga e cila arritën në një nga dritaret e galerisë Apollon, prenë xhamin e kësaj të fundit dhe hynë në galeri ku ruhen edhe bizhuteritë e kurorës franceze.

NESËR MOT I VRANËT DHE ME RESHJE TË SHIUT

Në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell, vende-vende me reshje të dobëta të shiut. Frynë erë e dobët deri mesatare , vende-vende edhe e fortë nga drejtimet jugore. Temperaturat e shënuara në orën 14: Budvë 20, Tivar, Beran e Plevle 18, Herceg Novi e Andrievicë 17, Podgoricë, Ulqin e Rozhajë 16, Bijello Pole 15, Plluzhinë 14, Cetinë, Nikshiq e Guci 13, Kollashin e Shavnik 12 dhe në Zhablak 10 gradë.
Për nesër parashihet të mbaj mot krejtësisht i vranët, gjatë ditës në pjesët jugore dhe qendrore të vendit me reshje të dobëta të shiut, kurse pasdite dhe në orët e mbrëmjes me reshje të shiut, rrebeshe dhe bubullimë. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë e drejtimeve jugore. Temperatura e mëngjesit prej 5 deri në 15, kurse më e larta e ditës prej 12 deri në 21 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се